Standard.al

Nëse duam të jemi si ata, kryeministri të japë dorëheqjen aq shpejt saç e jep i tyre…

0

Nga Pano Soko –
Në sintezë, ajo që kuptuam nga Austria është “Nëse duam që një ditë të jemi si ata, duhet që të ndërtojmë një sistem politik, ku Kryeministri ynë të japë dorëheqjen aq shpejt saç e jep Kryeministri i tyre.”
Pano Soko
20 Maj, 2019 7:20
Ajo ç’ka më tërhoqi tek gjithë kjo historia austriake, ishte eleganca e zgjidhjes që ofron një demokraci që funksionon.

Zv.Kancelari u ekspozua në një histori korrupsioni verbal (pra duke diskutuar për plane korruptive që nuk u materializuan në fakt), ai dha dorëheqjen dhe pas tij e dha dorëheqjen dhe Kryeministri.

Personalisht nuk më interesojnë arsyet, loja për pushtet apo intrigat që qëndrojnë pas publikimit të videos.

Videon mund ta ketë nxjerrë vetë biznesmenia ruse, për ndonjë prishje pazari? -Ndoshta.

Mund ta ketë nxjerrë vetë Kryeministri austriak për të dobësuar në publik aleatin e vet dhe nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme (ku ai vetë do të shkojë me sharmin e demokratit parimor) ta dobësojë apo pse jo ta heqë qafe fare aleatin, duke marrë më shumë pushtet? -Ndoshta.

Mund ta ketë nxjerrë Gjermania, më saktë Merkeli, për t’i dhënë një goditje boshtit të partive Euro-skeptike europiane që kryesohet nga Salvini dhe ku Strache dhe partia e tij FPÖ kishin një rol të rëndësishëm, tani në prag të zgjedhjeve për parlamentin europian? -Ndoshta.

Ose mund të mos jetë asnjē nga këto.

Mua nuk më interesojnë arsyet e publikimit, por rruga që “snajperat” politikë zgjodhën për ta “vrarë” shënjestrën e tyre. Ajo ishte vendosja e viktimës “mes nofullave” të demokracisë. E ekspozuan në internet, që populli ta shikonte dhe çdo gjë pastaj do të rridhte vetë si ujë.
Ishte vetë sistemi që e neutralizoi për 18 orë. Nuk pati as protesta, as irritim popullor të demostruar, asgjë. Ose më saktë as nuk u prit fare, që situata të përshkallëzohej, se e dinin si do përfundonte. Ti s’jep dorëheqjen, populli të dërrmon, të nxjerr jashtë si plehrë. Sepse ai e ka në dorë sistemin.
Zv.Kancelari doli direkt, pranoi fajin dhe u dorëhoq nga të gjitha funksionet si në qeveri dhe në parti, e pak orë më pas u dorëhoq edhe Kryeministri.

E pra ky është një leksion demokracie që tregon se ç’do të thotë sistem ku populli është omnipotent. Leksion që tregoi se Austria nuk është aty ku është, sepse liderët aty janë të pakorruptuar, apo ata zgjedhin njerëz të kulluar në krye. Jo, edhe aty zgjidhen politikanë të korruptuar apo mashtrues me kollare! Por ata kanë ndërtuar një sistem që i nxjerr jashtë shumë lehtë të gjithë ata më sipër. Pa pasur nevojë për protesta, kryengritje a luftë. U ekspozove në publik, u dogje..u përvëlove.

Imagjinoni tek ne, të kishte dalë një video e tillë për Erion Braçen apo Senida Mesin.
Do dilte Rama te ERTV, do thoshte “Çojeni videon në Prokurori, të flasi drejtësia. S’mund të shkarkoj zv.Kryeministrin se nxorri njëri një video.” Dhe do mbyllej aty e gjitha si histori. Videoja do endej nëpër prokurorira dhe çdo gjë do harrohej, sa të vinte skandali i rradhës.
Ka ndodhur më përpara, do ndodhte prapë.

Sepse këtu askush nuk pyet nga populli. Është sistemi që e ka nxjerrë popullin jashtë loje. Nëse populli nuk reagon, asgjë nuk ndodh.
Nëse populli reagon, futet populli në burg për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm.. dhe përsëri asgjë nuk ndodh.
Sepse populli është totalisht i parëndësishëm.
Kur të vijnë zgjedhjet do votosh prapë një nga listat e besnikëve se s’ke çfarë të bësh. Deputetët prapë Kryetarit do t’i rrinë në rrjesht, po duan të jenë të tillë.
Ose do vendosësh të bojkotosh, nuk do shkosh fare të votosh…shumë mirë, mos shko. S’i prishet puna njeriu.

Në sintezë, ajo që kuptuam nga Austria është “Nëse duam që një ditë të jemi si ata, duhet që të ndërtojmë një sistem politik, ku Kryeministri ynë të japë dorëheqjen aq shpejt saç e jep Kryeministri i tyre.”

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.