Standard.al

“Unë nuk do t’i tradhëtoj në besimin e tyre!” Fuga: Nuk do të ndalem, denoncoj të gjithë puçin institucional

0

Nga Artan Fuga:

Asgjë nuk më ndal derisa të denoncoj plotësisht para opinionit publik të vendit të gjithë puçin institucional dhe kobin intelektual që është bërë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
—————————

E falenderoj sinqerisht deputeten Rudina Hajdari që denoncoi para pak orësh gjendjen dhe puçin institucional që realizohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e cila dështoi tërësisht në reformimin e saj!

I lutem mesa mundet të shohi sesi shkelet me këmbë parlamentarizmi në atë Kuvend, posaçërisht në Komisionin e Edukimit dhe të Mjeteve të Informimit Publik ku Kushtetuta e vendit trajtohet si letër pa vlerë!

Unë me këtë rast gjej rastin të falenderoj edhe ata dhjetra e dhjetra profesorë që më kanë dhënë mbështetje institucionale zyrtarisht anëmbanë vendit, ato universitete dhe katedra që janë shprehur qartë dhe me guxim për një reformë të vërtetë në një Akademi Shkencash të kalbur dhe me probleme shumë serioze jo vetëm me shkencën, por edhe me ligjin!

Unë nuk do t’i tradhëtoj në besimin e tyre!

Falenderoj figura publike dhe ish deputetë, si edhe dhjetra gazetarë që më mbështesin pa u lodhur ashtu sikurse ua ka hije, si edhe redaksi dhe media.

Por, ndërkaq, siguroj që unë nuk do të ndalem derisa para opinionit publik të dali në dritë krejt farsa që luhet në atë Akademi Shkencash, e cila i takon kombit dhe jo një grupi individësh që e ka uzurpuar, i cili vepron me mbështetjen e një grupi deputetësh dhe duke përfituar nga çoroditja politike dhe administrative e ministrisë të arësimit dhe e kreut të saj.

Unë siguroj që nëse merret për bazë propozimi i projektligjit që kam propozuar, e që gjithkush mund t’a disponojë si broshurë më vete qysh nesër në mëngjes te Libraria e Librit Universitar në Tiranë – përballë Presidencës -, brenda një muaji Akademia e Shkencave e marrë peng në pleqërinë e saj senile si institucion shpërbëhet dhe brenda tre muajsh vendi dhe kombi do të kishin një Akademi të re Shkencash sipas traditave më të mira të dijetarëve shqiptarë, të plotësuar me kërkues shkencorë dhe universitarë të talentuar, me dhjetra, dhe të renditur sipas modeleve perëndimore.

Me këtë rast ripohoj që kundër çdo konflikti interesi, unë nuk do të kandidoj për kryetar të saj në momentin e parë të rinovimit, si edhe deklaroj se nëse Akademia e Shkencave qendron sikurse është, me këtë model që prodhon korrupsion dhe batërdi intelektuale, unë nuk do të mbetem kurrsesi pjesë e saj, duke dhënë dorëheqjen e sakrifikuar karrierën time të akademikut për t’a përdorur atë më së miri që opinioni të shohi se çfarë ndodh atje!

Unë do t’i kthej kështu shoqërisë atë që ajo më ka dhënë pa kursim!

Mos qendroni pasivë sepse dija shqiptare ka nevojë sot, jo nesër, për mbështetjen Tuaj, të të gjithëve pa përjashtim, përndryshe do të rrezikojmë të bëhemi kombi më budalla në Europë!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.