Standard.al

Arta Marku u soll si vartëse e Edi Ramës

0

 

Të dielën në mengjes, Kryeministri Rama thirri dhe priti në zyrën e tij Arta Markun, Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme. Takimi u zhvillua vetëm pak orë pas protestës së opozitës të datës 11 maj 2019, e cila zgjati deri në orët e para të së dielës. Gjatë mbrëmjes dhe natës para takimit, me urdhër të prokurorëve u ndaluan mbi 100 protestues opozitarë. Fillimisht, lajmi nuk u bë publik nga asnjëra palë por u mësua nga një qytetar i cili kishte njohur dhe fotografuar makinën e Markut duke hyrë në oborrin e Kryeministrisë.

Pas botimit në media, Kryeministri Rama e pranoi takimin teksa u pyet nga gazetarët në një konferencë për shtyp, pasditen e së njejtës ditë. Kryeministri sqaroi se Arta Markun e kishte thirrur në zyrën e tij për të mos lejuar që ngjarje si protesta e opozitës, që “cënojnë rendin kushtetues” të mos përsëriten në zgjedhjet lokale të 30 qershorit: “Jo për protestën e djeshme, por për domosdoshmërinë e vëmendjes së gjithë institucioneve kur dje u dha mesazhi i cënimit të rendit kushtetues dhe për të garantuar që ky mesazh nuk do të gjejë rrugë për t’u kthyer në pengesë për zgjedhjet.

Zgjedhjet nuk janë të miat, nuk janë të PS-së, nuk janë të qeverisë, janë themeli i kësaj shtëpie që kemi vendosur ta ndërtojmë në një sistem bashkëjetese të ndryshmesh. Prekja e këtyre themeleve është prekje e gjithë ngrehinës së përbashkët. Kjo është arsyeja.”

Pra, Kryeministri ka vendosur ta quajë protestën e opozitës, gjatë së cilës u hodhën bomba Molotov drejt ndërtesës së Kryeministrisë dhe disa ndërtesave të tjera si mesazh për cënim të rendit kushtetues; dhe kishte thirrur në takim Prokuroren e Përgjithshme për t’i kërkuar asaj që ajo “të garantojë që ky mesazh nuk do të gjejë rrugë për t’u kthyer në pengesë për zgjedhje.”

Kryeministri, natyrisht nuk dha detaje se me çfarë mënyre dhe në bazë të kujt përcaktimi ligjor mund ta bëjë këtë gjë prokuroria, por është e arsyeshme të mendohet se e vetmja mënyrë që ka prokuroria për të shuar “mesazhin” është ndalimi, hetimi dhe çuarja në gjykatë e atyre që protestuan (pavarësisht nëse hodhën apo jo bomba Molotov).

Pikërisht këtë gjë Kryeministri e ka të ndaluar ta bëjë me ligj. Ligji 97/2016, Për funksionin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, në Nenin 103(4) të titulluar Marrëdhëniet e Prokurorisë me Këshillin e Ministrave qartazi ndalon ndërhyrjen e Kryeministrisë në punën e prokurorisë:

“Në marrëdhëniet e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme me Këshillin e Ministrave ndalohen rekomandimet për të proceduar ose jo për çështje konkrete.” Në fakt, prokuria është institucion krejtësisht i pavarur kushtetues. Kushtetuta përcakton qartë (Nenin 148) se: “Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit.”

Për të garantuar këtë pavarësi, marrëdhënia mes prokurorisë dhe Këshillit të Ministrave është e rregulluar me ligj, sikurse është argumentuar më sipër, dhe askund nuk parashikohet e aq më pak të kërkohet që Kryeministri të mund të thërrasë ndonjë prokuror për të diskutuar me të se çfarë duhet bërë që opozita të mos kryejë veprime të caktuara.

Për t’u munduar që takimit të zbuluar në publik kundër dëshirës së tij t’i jepte ngjyrime sa më të pafajshme institucionale jopolitike, Kryeministri përdori një term të ngarkuar mbresëlënës, “rend kushtetues”—ndonëse as Kushtetuta dhe askund tjetër nuk përcaktohet se cila është domethënie e këtij termi dhe si mbrohet “rendi kushtetues”. Por dhe sikur të ketë ndonjë kuptim, prokuroria nuk ka asnjë lidhje e këtë gjë pasi e vetmja detyrë kushtetuese e prokurorisë është (Neni 148):

“Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit.” Kjo detyrë është zbërthyer më tej në Ligjin e Prokurorisë cituar më sipër, i cili përcakton në Nenin 2 se: “Prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit në gjyq, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të parashikuara me ligj.”

Akoma më shumë, duke qenë se po i njejti ligj sanksionin se “prokuroria i ushtron funksionet nëpërmjet prokurorëve” dhe duke qenë se Prokororia e Përgjithshme nuk mund të ndërhyjë në punën e asnjë prokurori, bëhet edhe më i dyshimtë motivimi ligjor i takimit Rama-Marku. Më tej, shpjegimi i Ramës se takimi me Markun kishte në fokus garantimin e zgjedhjeve vendore, është i pajustifikuar pasi, sipas Kodit Zgjedhor, është Policia e Shtetit e cila ka për “detyrë të marrë masa për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, ruajtjen e rendit publik, si dhe garantimin e të drejtës të çdo qytetari për të ushtruar të drejtën për tu grumbulluar, tubuar e votuar”.

Duhet theksuar gjithashtu se në lidhje me zgjedhjet Prokurorja Marku, dhe kreu i KQZ-së Klement Zguri, në prani të Kreut të OSBE-së Borchard kanë firmosur që më 12 mars memorandumin e bashkëpunimit për garantimin e zgjedhjeve të lira më 30 qershor.

Ky memorandum “synon të mundësojë shkëmbimin e informacionit si dhe përdorimin bashkarisht të aplikacioneve kompjuterike për të lehtësuar që qytetarët të denoncojnë shkelje të ligjit ditën e votimeve”. Memorandumi u vlerësua pozitivisht edhe nga kreu i OSBE-së Borchard, i cili tha se ai është “baza e nevojshme për një luftë më të efektshme ndaj manipulimeve zgjedhore, si dhe për një pastrim më efektiv të listave të kandidatëve nga shkelësit e ligjit apo nga personat që po hetohen penalisht.”

Pra edhe atë minimum që ka të bëjë me lehtësimin e mënyrës së denoncimit të qytetarëve, prokuroria e ka marrë përsipër në bashkëpunim me institucionet përkatese kushtetuese, përgjegjëse për zgjedhjet.

Në të vërtetë, fakti që Kryeministri arrin ta sjellë në zyrën e tij që në mëngjes, vetëm pak orë pasi i lind nevoja politike, me gadishmërinë që zakonisht ka një vartës; ndërkohë që prokuroria sapo ka ndaluar dhe mban nëpër komisariate me qindra protestues të kundërshtarëve politikë të Kryeministrit me qëllimin për të folur pikërisht për të shuar “mesazhin” që Kryeministri mendon se është dhënë nga protesta e kundështarëve të tij, është dëshmi e ndikimit, në mos kontrollit, që Kryeministri ka mbi Arta Markun. Zonja Marku u emërua në këtë detyrë si zgjedhje e kryeministrit Rama, u votua me votat e shumicës dhe ndërkohë ka kandiduar për Prokurore të Përgjithshme të përhershme, çfarë kërkon të gjitha votat e shumicës socialiste të Zotit Rama, ndërkohë që në Kuvend nuk ka më asnjë deputet të opozitës.

Burimi: Exit/ Nga: Arjan Balla

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.