Standard.al

Prokurorja e Përgjithshme nuk di gjë…

0

 

Nga Ermal Mulosmani

Ditët e enjte, ekranet shqiptare, në kohën kryesore të tyre, orvaten të bëjnë më të mirën për të marrë vëmendjen e spektatorit. Nuk e di pse nuk e bëjnë këtë gjë njëri të hënën, tjetri të martën e tjetri të mërkurën por kjo është çështje tjetër, jashtë temës së këtij shkrimi.

E në këtë kontekst, mbrëmë, Top Channel kishte zgjedhur të kishte të ftuar Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme znj. Arta Marku.

Kisha boll arsye ta shihja me dashamirësi atë intervistë. Ajo vjen nga një shtresë e margjinalizuar trefish në Shqipëri. Është grua, vjen nga Veriu i Shqipërisë dhe nga shtresa e të Persekutuarve Politikë të regjimit komunist.

Por, nëse do isha i sinqertë deri në fund, e kisha një paragjykim për të. Mosveprimet e saj spektakolare për çështje shumë sensitive që përfliten çdo ditë nëpër media i kishin ulur shumë pritshmëritë. Gjithsesi me shpresën se jam gabim u zhyta në kolltuk dhe i dhashë gjithë vëmendjen time kësaj interviste.

Ajo kishte një talent të madh për të mos thënë asgjë. Më shumë sesa paraardhësi i saj.

Në 101 minuta intervistë ajo mundet të ketë përdorur jo më shumë se 200 fjalë, ndër të cilat fjalët: “Nuk di asgjë”, “Di sa publiku”, “jam e detyruar për të mos ditur”, “ prokurorët janë të detyruar për të mos treguar”, “po e përsëris për të disatën herë që nuk di asgjë”, “ligji më detyron të mos di asgjë” etj etj u bënë refreni i intervistës…

Mund të jenë përsëritur mbi 15 herë gjatë mbrëmjes.

Mu dhimbt. Por vetëm pak. I harrova simpatitë e nisjes.

Po pse dreqin del në televizor? Një shprehje thotë “Më mirë mos fol e lëri të tjerët të dyshojnë se je e paaftë sesa të flasësh e tu heqësh çdo lloj dyshimi”.

Për dosjen ku janë përgjimet e Durrësit që vërtetojnë vjedhjet e votave nga trafikantët e kokainës deklaroi “Janë 700 disqe për tu zbardhur”.

Me gjasë kërkohen 10 vjet punë. E kur të zbardhen përgjimet atëherë fillojnë arrestimet!

Çfarë logjike! Po ti zbardhi tre disqe e fut nja 5 vetë në burg. Të tjerët kur tu vijë radha.

Për rrezikun rus në Shqipëri kanë ecë mirë hetimet 😊.

Për Unazën e Re nuk di gjë tha. Janë një grup prokurorësh nga Prokuroria e Tiranës por nuk e di si janë punët. Unë thjesht i kontrolloj për oraret. Kur kanë ardhë në punë, a janë sjellë mirë, kaq më ka dhënë ligji…

A do kemi peshk të madh për të nxënë? – pyet drejtuesja e emisionit, sa unë e habitur nga përgjigjet e Artës.

“Do presim e do shohim, nuk ia kam idenë, nuk kam asgjë për të bërë”- u përgjigj Prokurorja e Përgjithshmë, shpresa e goditjes së krimit më të ashpër në zemër të Evropës!

Pyetje :”A do zbardhen ndonjëherë këto dosje”?

Përgjigje:”Shpresoj shumë që të dalin në dritë. Prokurorët i detyrohen opinionit shumë dhe shpresoj që të dalin në dritë”

Ohhh… më doli prej shpirti. Po pse dreqin do të kandidosh për një post që nuk ka kompetenca? Pse pranon të marrësh sharjet e gjithë publikut e politikës kur nuk paske kurrfarë gjëje në dorë?!

Sa herë që mendoj se janë prekur kufinjtë ekstremë të paaftësisë zhgënjehem.

Arta Marku po i bën një vit e gjysmë si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Tani po i pretendon edhe shtatë vjet të tjera.

Çdo zgjatje e Arta Markut është një festë për krimin, korrupsionin dhe antiligjin në përgjithësi. Kjo ka detyrë të mos dijë gjë. Edhe në rast se ndonjë prokuror do t’i tregojë ndonjë gjë kjo e ndërpret: “Ju lutem mos më tregoni gjë, jua ndalon ligji. Unë ecuritë e dosjeve i lexoj në gazetë”.

Apo kështu duhet?!

/GazetaExpress/

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.