“Lajthitjet e kryebashkiakut”/ Barra e taksave në Tiranë, Veliaj i trefishoi brenda tre viteve

0
124

Taksat vendore të paguara nga qytetarët dhe bizneset e Tiranës për Bashkinë janë rritur me tre herë brenda një periudhe tre vjeçare. Të dhënat janë bërë publike në portalin financat vendore, faqja zyrtare që publikon treguesit financiar të Bashkive në shkallë vendit.

Sipas të dhënave, në vitin 2018, taksat e paguara nga qytetarët dhe biznesi për Bashkinë e Tiranës arritën në 13 miliardë lekë ose 105 milionë euro me një rritje prej 30 për qind krahasuar me një vit më parë.

Por nëse krahasohet me vitin 2015 barra e taksave vendore në kryeqytet është rritur me 2.7 herë, nga 4.8 miliardë lekë që ishte në 13 miliardë.

Në total buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin e kaluar ishte 21 miliardë lekë ose rreth 170 milionë euro, pasi përveç të ardhurave nga taksat, bashkia përfiton edhe transferta nga qeveria qendrore si dhe ndarja e taksave me buxhetin e shtetit.

Rritja me gati tre herë e të ardhurave që Bashkia e Tiranës mbledh nga taksat vendore në pjesën dërrmuese është rezultat i rritjes së ndjeshme të taksave në vitin 2016.

Të gjitha rritjet e taksave

Agresioni fiskal i Bashkisë së Tiranës mbi qytetarët dhe bizneset nisi në dhjetor të vitit 2015, kur Erjon Veliaj bëri buxhetin e tij të parë si kryebashkiak.

Në mbledhjen e datës 30 dhjetor  2015, Këshilli Bashkiak i Tiranës rriti ndjeshëm thuajse të gjitha taksat ekzistuese si dhe shtoi taksa të reja mbi qytetarët dhe biznesin. Më konkretisht u shtua taksa e infrastrukturës arsimore, u rritën tarifat e parkimit, u ndryshua taksa e fjetjes në hotel nga 5 përqind e çmimit të dhomës, që ishte më parë, në 350 lekë për dhomë për natë për hotelet me katër dhe pesë yje dhe 150 lekë për dhomë për natë për hotelet e tjera.

Në po të njëjtën mbledhje, taksa e zënies së hapësirës publike nga bizneset u rrit me 10 herë duke u përshkallëzuar sipas zonave të bashkisë Tiranë duke arritur deri në  1500 lekë për metër katrorë në muaj nga 150 lekë që ishte më parë.

U trefishua taksa e tabelave  të bizneseve nga 1 500 – 3 000 lekë/vit që ishte duke u bërë nga 31 000 – 45 000 lekë për metër katror në vit. Po kaq drastikisht u rrit edhe taksa për tabelat me qëllime reklamimi.

Rritje të fortë deri në 9 fish pësoi edhe tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave për të gjitha kategoritë e bizneseve.  Taksa e  ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja pësoi ndryshime në kategorizim dhe çmim.

Për banesat, të cilat në bazë të kategorisë paguanin nga 2-4 për qind të vlerës së investimit, taksa u shumëfishua duke përfshirë 8 % të vlerës së shitjes së banesës për metër katror. Po ashtu, për ndërtime të ndryshme është dyfishuar taksa e ndikimit në infrastrukturë nga 2% e  vlerës së investimit që ishte në 4%.

Më vonë u rrit taksa e pronës, që paguhet mbi ndërtesat, ajo e tokës bujqësore si dhe taksa e ndërtesave të biznesit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here