“Pse s’më testove nga koka te këmbët!” Diplomatja, Ramës: Jam pa miq, pa k*rvëri…

0
128

Ilda Topalli, ish-sekretarja e parë e Konsullatës së Përgjithshme në Stamboll, e cila u shkarkua nga ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, sapo ai nisi reformën në shërbimin e jashtëm, i është drejtuar me një letër Kryeministrit Rama, që mban dhe postin e ministrit të Jashtëm, përmes platformës së Bashkëqeverisjes, shqipëriaqëduam.com.

Ajo i kërkon Kryeministrit që, para se të firmoste shkarkimin e saj, ta testonte se cila ishte, shkruan Panorama. “Më justifiko të lutem shkarkimin nga detyra dhe flakjen në rrugë pa më testuar, pa më hetuar, pa më kontrolluar, pa më pyetur. Sepse më detyrohesh kaq gjë! Llogjet e kazanit të drejtorëve të tu më pohuan se kjo reformë ka prekur të gjithë diplomatët e emëruar jashtë sistemit pa asnjë përjashtim, pasi janë emërime partiake. A je i sigurt për vërtetësinë e këtij pohimi?! Më provo të lutem lidhjen time partiake, miqësore, materiale, dashnorore apo farefisnore me cilindo që pretendon se është bërë shtysë për emërimin tim”, shkruan ajo. Ajo ka një CV të pasur, me shkollime jashtë vendit, kualifikime, intershipe dhe pesë gjuhë të huaja, si: anglisht, turqisht, gjermanisht, italisht dhe spanjisht.

ILDA TOPALLI

Kryeministri im,

Faleminderit, që firmose dje si fletërrufe urdhrin e lirimit tim nga detyra si diplomate dhe që më dhe shtysë tanimë të mos kem frikë të nxjerr zërin për të mbrojtur të drejtën time dhe atë që mendoj se meritoj.

Sapo më rikonfirmove se në Shqipërinë tonë të bukur të drejtëve nuk u njihet kurrë e drejta apriori, por u duhet të çirren për ta kërkuar dhe marrë atë.

Këtë do bëj dhe unë, me çdo mjet ligjor dhe ankimor.

Hidhu një sy kualifikimeve të një vajze 28- vjeçare, pa parti, pa miq, pa ryshfete, pa kurvëri e pa lidhje farefisnore në administratë.Por ty dhe drejtorëve të tu në Ministri nuk ju pëlqejnë njerëzit e drejtë dhe të aftë si unë apo jo?!

Me vjen keq dhe inat i dashur Kryeministër, që nuk munda të gjej në kohë as mikun dhe as lekun që do ngopte egot e drejtorëve që të servirin mbi tavolinë emrin tim për ta bërë kurban të kopesë së emërimeve despotike dhe partiake jashtë sistemit, pa denjuar të pyesje se kush isha, çfarë CV-je kisha, pse isha emëruar dhe si kisha punuar deri më sot.

Pse nuk më ftove për të më testuar nga koka te këmbët përpara se të më flakje në rrugë?! Më testo të lutem!

A nuk jam unë njësoj shtetasja dhe nëpunësja jote, ashtu siç janë edhe ata që janë pjesë e shërbimit të jashtëm?! A vlej unë më pak se ata për ty zotëri, vetëm se nuk kam hyrë dot në konkurset e DAP-it sepse jam pa krahë?!

Ke firmosur urdhërshkarkim për një të re që flet 5 gjuhë të huaja, ndër të cilat tri rrjedhshëm, që është e kualifikuar për programe të avancuara dizajni kompjuterik dhe që ka një bachelor në Shkenca Politike e dy mastera në Diplomaci Ballkani dhe Çështje Globale?

A nuk janë mjaftueshëm për të përmbushur kushtet e rekrutimit në shërbimin tonë të jashtëm?! Jo, sepse aftësitë janë handikap për ju apo jo?! Kushtet e rekrutimit për Drejtorinë tuaj të Burimeve Njerëzore janë: mik, ryshfet dhe vetofrim apo jo?! Më ke emëruar po ti dhe ish-ministri yt një vit më parë, bazuar në nenin 31 pika 3 të ligjit nr.23/2015, sepse Konsullata e Përgjithshme e RSH në Stamboll kishte dhe ka nevojë për një diplomate të kualifikuar si unë.

Më keni gjetur ju mua i dashur Kryeministër dhe jo unë ju, sepse flas turqisht shkëlqyeshëm e kam një eksperiencë mbi 5-vjeçare shkollimi, jetese e punësimi në Stamboll, kushte jetike këto për një zyrtar në këtë Konsullatë. Kam mbaruar stazh me sjellje shembullore pranë kësaj Konsullate i dashur Kryeministër, sjellje të cilat janë bërë shkak reference për mua nga ish-konsulli i përgjithshëm në këtë përfaqësi asokohe.

Më justifiko të lutem shkarkimin nga detyra dhe flakjen në rrugë pa më testuar, pa më hetuar, pa më kontrolluar, pa më pyetur. Sepse më detyrohesh kaq gjë! Llogjet e kazanit të drejtorëve të tu më pohuan se kjo reformë ka prekur të gjithë diplomatët e emëruar jashtë sistemit pa asnjë përjashtim, pasi janë emërime partiake. A je i sigurt për vërtetësinë e këtij pohimi?!

Më provo të lutem lidhjen time partiake, miqësore, materiale, dashnorore apo farefisnore me cilindo që pretendon se është bërë shtysë për emërimin tim. Dhe më thuaj nëse Europa apo ndërkombëtarët nuk do të përshëndesnin një diplomate të re si unë, pasi t’i kesh hedhur një sy dosjes sime!

Pastaj, më trego me transparencë të plotë se cilin të kanë propozuar të katapultosh në vendin tim?!

Më ke shkatërruar ëndrrën e një jete i dashur Kryeministër, e bashkë me të edhe shpresën dhe besimin në ty, sepse t’i nuk i ngjake shpresës e as së ardhmes që dua për veten, familjen dhe vendin tim!

P.S: Nga një socialiste since day one, të cilën sapo e humbe, jo nga ato që të mbështesin se i detyron tesera e partisë, e as nga ata që brohorasin emrin tënd nëpër mitingje për të përfituar një vend pune. Sot ke humbur një votë nga ato të sinqertat dhe më besniket, ato me zemër e shpirt Kryeministri im!

E jotja, Ilda!

Thjesht Ilda, jo Ilda e filanit, as e fëstëkut, as e mikut a dashnorit, as e ryshfetit, Ilda e familjes së vetë të thjeshtë pogradecare, që e ka siguruar gjithmonë jetesën me djersën e ballit dhe të zverkut./PANORAMA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here