Standard.al

Maqedoni e Veriut, mbahet balotazhi për zgjedhjet presidenciale

0

Sot në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet e gjashta presidenciale që nga pavarësia e këtij vendi.

Mbi 1 milion e 808 mijë votues figurojnë në regjistrin zgjedhor, një shifër kjo që ka qenë e debatueshme prej vitesh në shtetin e vogle prej 2 milionësh. Votuesit mund të zgjedhin në mes njërit garues, i konsideruar si i moderuar dhe properëndimor dhe tjetrit që mund të bllokojë proceset integruese të vendit. Stevo Pendarovski është kandidat i Lidhjes Social Demokrate i mbështetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe një sërë partish të tjera më të vogla e organizata joqeveritare. Ndërsa, Gordana Siljanovska Davkova garon si kandidate presidenciale e VMRO-DPMNE-së së opozitës, e vlerësuar si nacionaliste.

Të dy garuesit dhe përkrahësit e tyre e kanë të qartë se pa votat e shqiptarëve nuk bëhen presidentë dhe ata kanë zhvilluar një fushatë në këto dy javët e fundit duke u përqendruar në tërheqjen e votuesve shqiptarë.

Stevo Pendarovski ofron konceptin “Një shtet për të gjithë”, një shtet ku nuk do të ketë padronë dhe qiraxhinj apo të nënrenditur, as qytetarë të rendit të parë e të rendit të fundit, siç shprehej ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ndërkaq, Gordana Siljanovska ka zhvilluar një fushatë me sulme ndaj kundërkandidatit presidencial Pendarovski dhe Lidhjes Social Demokrate në pushtet, duke i paraqitur ata si përgjegjës për shitjen, sipas saj të emrit, të popullit dhe identitetit maqedonas. Ajo është shprehur se ajo vetë nuk do ta përdorë emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut” nëse bëhet presidente, dhe se do të kërkojë mënyra për kthimin e emrit Republika e Maqedonisë. Siljanovska po ashtu mund të paraqesë probleme, sipas analistëve, ndaj ligjit që i mundëson një shtrirje të gjerë përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Në balotazh duhet të dalin mbi dyzet për qind e votuesve, përndryshe zgjedhjet quhen të pavlefshme.

Në atë rast, Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi do të merrte përgjegjësitë si ushtrues i detyrës së presidentit deri në organizimin e zgjedhjeve të radhës, pas një periudhe prej gjashtë deri nëntë muajshe. Zoti Xhaferi ka lënë të kuptohet se kjo do të paraqiste një barrë për të dhe për institucionet dhe nuk do t’i ndihmonte aspak proceset.

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 3300 përfaqësues vendas dhe 520 vëzhgues të organizatave të huaja me ODIHR-in në krye.

Qendrat e votimit mbyllen në ora 19 dhe pas pak orësh mund të dihen rezultatet e para që zakonisht publikohen nga shtabet zgjedhore të garuesve apo edhe nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve para mesnate./VOA

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.