Çfarëdo të jetë shef s’ka rëndësi, rëndësi ka të mbulojë fytyrën tuaj të vërtetë

0
136

Nga Gerina Mullaj

 

Harrova të vesh atë trikon që më thuri për merak nënoja e sime shoqeje, ç’votë e mirë është ajo, kështu grua e mirë, se po më duken njerëzit si vota, shyqyr nuk them me zë ato që mendoj pa zë se as ime shoqe s’do më votonte; dhe tani përveç melankolisë që më kap sa herë i jap biçikletës në orët e vona të natës duhet të duroj edhe të ftohtin; por s’është kjo më e keqja, përveç të ftohtit duhet të duroj edhe mungesën e kamerave.

Kot nuk thoshte Dale Carnegie që njeriu ka nevojë për vemendje po aq sa ka nevojë edhe për të ngrënë edhe për të berë dashuri. Për ushqim se kam problem se s’jam barkalec si ca deputetë e anëtarë këshilli që më adhurojnë në fshehtësi për kallepin që jam, jam shumë në formë madje, rrezik edhe misi i partise, Spiropali më ka zili për format, në një botë paralele mund të më quante Napolon Bonaparti. Po edhe për këto marrëdhenjet e detyruara mashkull femër s’ma ndjen shumë se çuditërisht, befasisht, papritmërisht, vuaj nga një sëmundje monogamie për të cilin më tallin tërë shokët e mi që janë kryetarë bashkie e kanë benevrekë të grisura ngaqë shkojnë me shumë gra.

Unë s’jam si ata se vuaj nga monogamia e nëse s’do isha bërë kryetar bashkie me siguri do isha bërë prift katolik se ata nuk martohen. Kështu që bëj edhe pa ushqim, edhe pa dashuri, por pa vemendje? Uh, jo larg qoftë! Më duhet një dru të trokas, tërë këto pemë kam mbjellë e veç shtylla më dalin. Varja po trokas në kokën time, larg qoftë ky mendim ogurzi i të qënit larg vemendjes publike. Po ajo si hije aty matanë çfarë është? Kryeqyteti më kall tmerrin natën, i fortë jam që dal vetëm por akoma më i fortë jam që ketoj në një qytet që po ndërtoj vetë. Të ndaloj më mirë të shoh mos mbase është dikush që më përndjek? S’jam mësuar të më përndjek gjë tjetër veç fotografit.

Ah po, ndodh ndonjëherë rrallë që më përndjek vrasja e ndërgjegjes kur nuk i bëj gjërat siç duhet, kur nuk realizoj objektivat. Kur i ve objektiv vetes të puth 15 fëmijë në ditë dhe nga lodhja, se shpirt i brisht jam edhe unë, puth vetëm 5. Ose kur duhet të bëjë 134 fotografi në ditë dhe bëj vetëm 100, ose kur duhet të dal 11 herë ditën në ekran ppr dal veç10 herë. Këto mëkate më mbajnë peng ndërgjegjen por i rikuperoj shpesh kur marr bekimin e të madhit, mjafton të më buzëqesh një herë ai dhe unë riformatohem nga e para. Po ç’na qënka ajo hija? Oh qenka një nga ato kullushkat për të cilat më akuzojnë.

Më urrejnë e turfullojnë nga xhelozia për shkak se unë jam një nga të rrallët kryebashkiakë që bëj magji si Copperfieldi, ai me shokë të më vijnë anash se veç unë mbjell pemë që kur rriten bëhen kulla. Shih si ngrihen kryeneçe, kullushkat e mia, kështu më pëlqen t’i quaj, se mezi i kam bërë, si beba. Në të vërtetë këto beba dua të puth jo ato të kopshtit por çështja është që ato më sjellin vota. Po kjo rruga si nuk paska korsi biçikletash? Dhe këto shtyllat në mes të rrugës, ja dhe një djalosh që ngjit letra nëpër shtylla para syve të mi, por tani s’ka kamera kështu që s’po e qortoj.

Shiko si dridhet toka kur kaloj unë. Kaq i fuqishëm e i pushtetshëm jam sa edhe toka ka emocione. Oh jo, qenka dridhja e telefonit. Kush I bie telefonit tani? Se kuptoj pse dola me biçikletë përderisa s’ka kamera por më është bërë ves kjo dreq biçiklete qëkur më mbiu në kokë ideja sa e marrë aq edhe pjellore e tu dukurit ndryshe e i veçantë. -Alo? Mazllo ti je? -Po shef, jemi bërë merak se po gdhin mëngjesi e s’po dukeni në zyre. -Uh qenka gdhire? Si e le me atë këngëtaren do dal te sheshi sot? Kërkon shumë lekë? -Kërkon goxha por për faktin që vetëofrohet të ekspozojë këmbët për të cilat thotë se ka investuar më shumë seç ka investuar për trurin, ajo mendon me mendjen qe s’ka që e meriton atë shifër. Si thua shef? -Jepi sa të dojë mjafton të ndezë skenën. Ajo meriton jo vetem paratë po edhe vënjen në rrezik të prirjes time për monogami. Megjithëse s’jam unë për këto punë jo, do njoftoj një shok kryetar bashkie në nje qytet që po behet si fshat për nga varfëria qëkur e mori ky, mbase i duhet qytetit të tij ndonjë kengëtare për të mbuluar me muzikë ahengu heshtjen dramatike të gjithë atyre njerezve që s’guxojnë të revoltohen. Shyqyr qe kam ekranet pas vetes që më nxjerrin tamam ashtu siç nuk jam.

Gjithsesi si fillim duhet të mbushim sheshet, të ndezim turmat, ti kënaqim, se paçka se na akuzojnë me të drejtë e pa të drejtë që jemi hajdutë ne prapë nuk jemi aq të pacipë sa qejfin mos ja u japim falas. -Por arka e caktuar për punët e qejfit është boshatisur shef. -Merr nga buxheti i caktuar për fëmijët në nevojë e jepja kembë-bukurës. -Patjetër. -Prit Mazllo se dolën ca shpellarë rrugës. -Çfarë? Protestues? -Jo, jo ca fëmijë po shkojnë në kopësht. -A nuk do ndaleni t’i puthni? -Jo, jo s’kam kamerat. Mazllo, edhe diçka. Ke buzëqeshje të vesh sot? Atë që bëj për vete gjyshet, atë që më jep vetëdije ariane e fisnikëri europjane për kundërshtarët, atë qe më bën të dukem si psallt për fëmijët apo atë që më bën të parezistueshëm për çdo krijesë të gjallë e të pa gjallë në tokë?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here