“Qeveria tranzitore” në Berlin/ PD gati programin, Meta nis negociatat politike

0
116

Ndërsa vjen duke u thelluar kriza politike dhe institucionale në Shqipëri, kryeministri Edi Rama është thirrur të hënën, në Berlin në një samit të organizuar nga kancelarja Merkel për marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Por gjatë qëndrimit në Berlin, burime pranë stafit të kryeministrit konfirmojnë se Rama do të ketë një takim të veçantë me kancelaren Merkel. Ky takim është paraprirë gjatë javës që u mbyll nga vizita disaditore në Tiranë, e grupit të deputetëve të Bundestagut.

Parlamentarët gjermanë bënë thirrje për zgjidhje të shpejtë e me kompromis të krizës, dhe pritet, që ky mesazh të përforcohet edhe në Berlin. E ndërsa kryeministri Rama pritet të marrë porositë e pritshme nga kancelarja Merkel, në Tiranë janë intensifikuar përpjekjet për krijimin e një klime dialogu.

Presidenti Meta është bërë tashmë pjesë e zgjidhjes. Ndryshe nga paralajmërimi i mëparshëm për sakrifikime ekstreme Meta tashmë e ka shtruar një tryezë. Të martën kreu i shtetit nis negociatat me aleatët e djathtë të Lulzim Bashës, të cilët nga ana e tyre kanë një platformë të posaçme për zgjedhjet e ardhshme pas firmosjes së marrëveshjes për koalicion opozitar.

Ndërkohë në selitë e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, grupet e mandatuara për qeverinë tranzitore po hartojnë programin e saj. Janë 5 pika thelbësore që synon të arrijë kjo qeveri me mandat ende të pacaktuar: Kthimi i legjitimitetit politik të qeverisjes, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.  Përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore. Realizimi i reformës zgjedhore dhe ndjekja e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.

Krijimi i klimës së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrjeje politike.  Krijimi i kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim. Janë këto 5 detyrat kryesore të qeverisë tranzitore, për negociimin dhe krijimin e së cilës pritet vendimi i samitit të Berlinit./shijaktv

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here