Standard.al

“Themeli i demokracisë”, Rrokaj bën thirrjen e fortë: Boll më pushtete fasadë, boll më shtet të kapur prej pushtetit

0

Ish-deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj në një deklaratë për mediat ka kritikuar qeverinë Rama.

” Boll më pushtete fasadë, boll më shtet të kapur prej pushtetit.
Kauza jonë nuk është rotacioni për të zëvendësuar një të keqe me një të keqe tjetër, as edhe për të zëvendësuar thjesht një qeverisje me një tjetër. Ajo është për shtyllat e shtetit të së drejtës. Në mënyrë që të heqim dorë prej tranzicionit të pushteteve autokrate, të korruptuara, jotransparente e arrogante.
Ne nuk duam pushtete që ngushtojnë hapësirën publike të veprimit, që minojnë institucionet e pavarura, që mbushin gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe që margjinalizojnë opozitën.
Ajo që ne kërkojmë është t’i jepet fund një modeli të qeverisjes, i cili bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë”, tha ndër të tjera Rrokaj.

Fjala e plotë:

E nderuar zonja kryetare,
Të nderuar anëtarë të KDK-së.

Ky takim vjen pas nënshkrimit zyrtar të Marrëveshjes midis partive të opozitës, e cila erdhi pas një rruge të gjatë të betejës në frontin opozitar për ta larguar të keqen që ka kapluar vendin dhe për të ndërtuar shtyllat e një shteti funksional, që janë deformuar prej grykësisë së pushteteve autokrate, duke filluar me deformimin e votës dhe gjithë pushteteve të tjera në vazhdim.
Kjo rrugë që kemi para është pa kthim: nuk do të ketë më zgjedhje më të mira se ato të parat, siç thuhet shpesh në raportet e ndërkombëtarëve. Nuk do të ketë blerje të tyre, as me paratë e drogës a tenderave, e as me të fortë e polici, me presione në administratën qendrore e vendore. Ne e kemi vendosur. Boll më pushtete fasadë, boll më shtet të kapur prej pushtetit.
Kauza jonë nuk është rotacioni për të zëvendësuar një të keqe me një të keqe tjetër, as edhe për të zëvendësuar thjesht një qeverisje me një tjetër. Ajo është për shtyllat e shtetit të së drejtës. Në mënyrë që të heqim dorë prej tranzicionit të pushteteve autokrate, të korruptuara, jotransparente e arrogante.
Ne nuk duam pushtete që ngushtojnë hapësirën publike të veprimit, që minojnë institucionet e pavarura, që mbushin gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe që margjinalizojnë opozitën.
Ajo që ne kërkojmë është t’i jepet fund një modeli të qeverisjes, i cili bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë.
Këtij lloj modeli që ndërton marrëdhënie klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe oligarkëve pranë pushtetit, i cili prish rregullat tregut, duhet t’i japim fund.

Sot liria e shtypit është cënuar rëndë sepse Rama ka sfiduar në mënyrë të vazhdueshme vetë parimin e një shtypi të pavarur, duke krijuar median e tij televizive në internet, ERTV. Ai i ka goditur në mënyrë të vazhdueshme mediat brenda dhe jashtë vendit, duke përdorur një retorikë gjithnjë e më agresive dhe kërcënuese, duke i karakterizuar ato si “kazan”.
Sot kjo mazhorancë me në krye Ramën ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Rama u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave të forta.
Raporti i Departamentit të Shtetit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve për vitin 2019, botuar në mars, e identifikon Shqipërinë si një vend tranzit kyç për shpërndarjen e narkotikëve dhe “një bazë operacionesh për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.”
Po kështu Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se reformat e drejtësisë janë dëmtuar nga “korrupsioni i përhapur.”
Ky është zëri i vërtetë i ndërkombëtarëve, i aleatëve tanë historikë, të cilët i janë ndodhur pranë vendit tonë dhe kanë kontribuar në proceset demokratike. Por, të nderuar miq, Shqipëria është në radhë të parë përgjegjësi e shqiptarëve dhe, më shumë se për këdo tjetër, dashuria e tyre për të është amanet i shenjtë.
Me djegien e mandateve opozita ua ktheu ato qytetarëve duke u bërë njësh me ta. Sot për opozitën ka vetëm një rrugë: ajo nuk mund të kërkojë rotacion politik me qëllim që të bëjë të njëjtën gjë si mazhorancat e djeshme dhe të sotme; ajo po e kthen në kauzë legjitimitetin e institucioneve të drejta dhe ka nevojë të vetëkorrigjohet, duke e filluar nga vetja. Ne duhet të luftojmë varfërinë dhe të hapim perspektiva reale zhvillimi, në mënyrë që t’u kthehet besimi shqiptarëve që po e braktisin vendin. Ne nuk mund të bëhemi më farsë e pushteteve të deformuara që lindin nga zgjedhje të deformuara. Dhe kjo kauzë fillon me zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themel i demokracisë. Kjo është një përgjegjësi historike.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.