“Rama frikacak”, Kryemadhi: Fati i tij do të bëhet edhe më i zi

0
120

Opozita zhvilloi ditën e sotme protestën e radhës në pesë qarqet kryesore të vendit.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ftuar në “Top Channel” është shprehur se protesta e sotme ishte paqësore për të treguar solidaritet me qytetarët e tjerë.

“Sa herë ka protesta vendos të ikë nga Tirana, edhe jashtë shtetit. Në të gjitha rastet, edhe në vitet më të vështira, kryeministri ka qëndruar në zyrë. Kjo është një zgjedhje që ka zgjedhur kryeministri, që mendoj se është e gabuar. Njeriu duhet të përballet me të vërtetën”.

“Ne nuk pamë qytetarë të irrituar, përkundrazi ishin solidarë. Pamë shumë makina që kishin hapur krahun në anë të rrugës, duke treguar solidaritet. Ky është një nga hapat që ka hedhur opozita, e do të ketë vazhdimësinë e saj. Gjithçka është në bazë të një strategjie dhe plani, që do të jetë i befasishëm. Pse? Sepse kryeministri është larguar gjithnjë sa herë ka pasur protesta dhe nuk ka tentuar të qëndrojë e të përballet me njerëzit. Kjo tregon frikën që ka ai, ose s’do të përballet me opinionin mbi këtë situatë”,vijoi Kryemadhi.

E pyetur nëse Rama largohet me protesta dhe bllokim rrugës, kryetarja e LSI dha këtë përgjigje:

“Ai është problemi i Ramës. Çdo ditë që ai qëndron fati i tij bëhet më i zi”.

Pjesë nga intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për emisionin ‘Open’ të Eni Vasilit në ‘Top Channel’

E ndoqët Ramën në Parlament sot?

Dua t’ia kursej vetes minutat për të dëgjuar një njeri që nuk thotë asgjë dhe përveçse nuk thotë asgjë, nuk bën asgjë. Ky njeriu që meqenëse paska merakun e LSI-së për blerjen e votave, u lut 10 muaj që të bënte koalicion dhe vazhdon ti lutet për të dalë nga kriza. Kështu që nuk më shqetëson fare. Shqiptarët janë të qartë për sa i përket procesit të votës. Nuk është kapur ndonjë nga LSI-ja duke blerë vota, por është kapur Edi Rama duke blerë vota dhe janë kapur drejtuesit e tij duke blerë vota. Madje i është dënuar edhe një kryetar partie, i PS-së të Vorës me blerje votash. Mua nuk më shqetëson kjo gjë, por ndihem mirë kur Rama treçerekun e kohës merret me LSI-në. Do të thotë që LSI-ja i dhemb, rritet, ekziston, do të thotë që LSI-ja është problemi i tij.

Përse u vendos të ndiqej strategjia e sotme dhe a mendoni që duke bllokuar qarkullimin, lëvizjen e lirë të njerëzve që jo pak herë irritohen për shkak të mungesës së qarkullimit?

Unë nuk them që pati ndonjë qytetar të irrituar. Përkundrazi ishin solidarë dhe kur unë shkoja nga Tirana për në Durrës, më bënte përshtypje se si në të gjithë rrugën e Shkozetit makinat ishin parkuar në anë të rrugës, shoferët bashkë me pasagjerët qëndronin në makinë dhe po prisnin në një lloj solidariteti me protestuesit. Ky është një nga hapat që po hedh opozita, e cila do të ketë vazhdimësinë e saj. Çdo gjë është lënë në bazë të një strategjie dhe në bazë të një plani që për hir të së vërtetës do të jetë i befasishëm. Pse? Sepse në nëntë protesta që opozita ka bërë, Kryeministri gjithmonë është larguar dhe asnjëherë nuk ka pranuar të përballet politikisht. Njëherë ishte në Vlorë, njëherë në Fier, një herë në Katar, etj. Gjithmonë gjen momentin për të ikur jashtë Shqipërisë kur ka protesta, sepse ndoshta kjo tregon frikën që ka ose ndoshta kërkon që të shmangë përballjen me situatën e vërtetë. Ne që jemi këtu kemi mbi 30 vjet që jetojmë në Shqipëri, e kemi ndjekur politikën, kemi qenë pjesë e saj, por ajo që të bën përshtypje është se edhe në momentet më të vështira, kryeministrat kanë qëndruar në zyrën e tyre dhe nuk janë larguar, ashtu sikurse edhe gjithë përgjegjësit e institucioneve të tjera përkatëse. Megjithatë kjo është një zgjedhje e kryeministrit, që mendoj se është tepër e gabuar sepse ajo që është më e rëndësishme është fakti se njeriu një ditë përballet me të vërtetën, nuk mund t’i fshihet asaj gjithmonë.

Nëse do të ishte në zyrën e tij çfarë do ndryshonte?

Sot ka tjetër ka gjë, ne po flasim për aktivitetet e kaluara. Sot ka qenë ky lloj reagimi. Sigurisht që do të ketë aktivitete të tjera, lëvizje të tjera me të cilat do të njiheni sipas kohës, vendit dhe momentit.

Ju mendoni që largohet Rama me këto bllokimet e rrugëve?

Ajo është çështje e Ramës, zgjedhje e tij. Unë di të them që çdo ditë që ai qëndron, fati i tij bëhet edhe më i zi, meqenëse i ka edhe qejf këto fallxhoret.

Të bllokosh rrugën nuk më duket një gjë e re, dhe nuk më duket diçka që mund ta lëkundë vendosmërinë e Ramës për të shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit… Sot pjesëmarrja e protestuesve ishte më e ulët se herët e tjera…

Në Durrës ku isha unë ishin rreth 3000-4000 vetë, por sikur edhe 100 veta të jenë, nuk ka asgjë të keqe. E rëndësishme është që njerëzit këtu protestojnë dhe të mos ndalohen për të protestuar.

Opozita ka vetëm një pikë në protestën e saj, triumfin e opozitës dhe largimin e Ramës. Pa një kompromis dhe dialog të hapur, mua nuk më duket sikur vetëm protesta mund të mjaftojë…

Mund t’ju sqaroj diçka pse nuk ka vetëm një pikë. Nuk është një pikë, është pikë domethënëse për të gjithë kthimin e një situate krejt tjetër. Ka ndodhur që një institucion ndërkombëtar që është Zëri i Amerikës, dhe nuk mund të themi që Zëri i Amerikës është Top Channel sepse ka një pronar privat apo një televizion tjetër, por Zëri i Amerikës është një institucion e departamentit të shtetit, i cili denoncon një dosje të Prokurorisë shqiptare me regjistrime me vendim të Gjykatës shqiptare ku përgjohen grupe kriminale trafikante ndërkombëtare të drogës duke blerë vota për PS-në dhe kjo është vetëm një pjesë shumë e vogël se njerëzve u është bërë kjo 339 si një makth dhe si një ëndërr që e dëgjojmë përditë. Në fakt është shumë e rëndë dhe për dijen tonë dhe për shkak të mosreagimit të Prokurorisë shqiptare. Se të mendosh të kesh një opozitë, të themi ke dhe disa ish deputetë, të cilët të përmendin 339-ën dhe Prokuroria shqiptare akoma nuk thërret një element politik të PS-së, ka ndodhur apo s’ka ndodhur, qoftë edhe për ta qetësuar opozitë, pra për të thënë që po vepron drejtësia, por përkundrrazi ndërron prokurorët e çështjes sepse nuk merr njeri përsipër për të vazhduar zbardhjen e disqeve të regjistrimeve të bisedave të Avdylajve apo të 184-ës që janë zgjedhjet e Dibrës. Tani problemi qëndron tek çështja dhe tek mungesa e dialogut. Kur filloi Sali Berisha dhe thoshte që do të djegim mandatet unë isha e para që thosha që mandatet tona janë mandatet gjaku dhe ne nuk i djegim mandatet sepse beteja jonë është në Parlament dhe ne tentuam, Komisioni hetimor për Saimir Tahirin, as sot e kësaj dite nuk ka përgjigje nga policia e shtetit për pyetjet dhe kërkesat që kërkonte komisioni hetimor para 1 viti e gjysmë. Që ti me ligj e ke që për çdo kërkesë që ka komisioni hetimor, por dhe një deputet dhe një qytetar i thjeshtë, je i detyruar t’i kthesh përgjigje. Nuk kthyen përgjigje. Me atë akuzë që e akuzoi Prokuroria Saimir Tahirin duhet të ishte në burg, se të njëjtën akuzë ka dhe Aldo Bare, por Aldo Bare është në burg me atë akuzë për trafik të organizuar, kriminal. Sepse ne për një njeri që nuk paguan 5000 lekë energji elektrike e fusin në burg. Ai ka qenë ministër me kryeministër Edi Ramën dhe sa herë del ne televizion flet me kode, çdo fjali e Samir Tahirit dhe e Damian Gjiknurit apo e Vangjush Dakos është kod për Edi Ramën, nuk është kod për mua. Unë miq që i kam njohur, i kam takur, kam pirë kafe me ata, por unë nuk lexoj ndonjë kod.

Kjo nuk ka lidhje me vendimin e Prokurorisë…

Të jemi të sinqertë ne e dimë që Prokuroria në dorë të kujt është dhe kush vendos për të dhe rrimë tek dialogu. Tha Berisha do të djegim mandatet, qëndruam fort, bëmë gjithë proceset, u përballëm, rezistuam, debatonim me partitë brenda, me zotin Basha, Mediu, Berisha, unë, z.Vasili, të gjithë deputetët dhe vjen një moment që në 16 Janar ku ne na hiqet e drejta që kemi me Kushtetutë që ne të diskutojmë për zëvendësimin e ministrave, por jo ti nuk do të flasësh tha Gramozi se ne 30 vjet nuk kemi folur asnjëherë. Po mirë dhe ti që ke qenë në opozitë edhe partia Demokratike që ka qenë në opozitë nuk keni dashur që të flisni kur ndërrohen ministrat, unë dua të flas, ma heq dot këtë të drejtë? Jo nuk ma heq dot por, pse ta bëjmë. Në 2019 ti më heq edhe të drejtën e fjalës, largon edhe nga një delegacion i përhershëm znj. Klajda Gjosha, vetëm dhe vetëm që të mos merrte pjesë sepse diskutohej në procesin e integrimit evropian dhe për hir të së vërtetës është një person që e njeh procesin ën thellësi, e heqin në mënyrë të paligjshme dhe e zëvendësojnë me një të partisë Socialiste, kur ishte vendi i LSI-së, dhe në 16 janar ne iu thamë do djegim mandatet ju besoj e dëgjuat z. Rama që fillonte ulërinte ose tallej dhe thoshte nuk i djegin, kur dolëm ne në 17 shkurt që do ti djegim, thoshte që jo bëjnë këtë, jo bëjnë atë. Kur i çuam dhe letrat në Parlament pastaj, thanë që këta janë opozitë që nuk e duan popullin. Kështu që vijmë në këtë proces ku një nga njerëzit kryesor që është kundër dialogut, është kundër bisedës, është kundër zgjidhjes së problemit është Edi Rama sepse që në momentin që doli dosja 339, z. Rama mund të bënte veprimin e parë, mund të shkarkonte kryetarin e Bashkisë së Durrësit. Mos ti rikthehemi ngjarjeve të tjera që ne kemi bërë procese pa dëgjuar gjë fare se ka sa të duash me manipulim titrash.

Po kryesisht kush është shkarkuar?

Janë shkarkuar vetëm me akuza dhe jo më, të dëgjohet zëri, emër, mbiemër etj. Pastaj vijmë në rastin e Babales që kjo është pastaj një gjë skandaloze flagrante, se si përfshihet e gjithë struktura policore, e gjithë Prokuroria e Shtetit, Kreu i grupit Parlamentar të partisë Socialiste, për të nxjerrë nga burgu një trafikant droge me para dhe për ta detyruar atë që të dali dhe të dëshmojë, për të future në burg një gazetar të opozitës dhe një deputet të opozitës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here