Standard.al

“PEN”/ Organizata botërore e poetëve: Pse sulmohet Visar Zhiti në vendin e tij, nga persekutorët e diktaturës me poste të larta…….

2

PËRULEMI PARA VEPRËS DHE QENDRESËS

SË VISAR ZHITIT.

 

 

Nga PEN-I Shqiptar

“PEN Internacional” është organizatë botërore e Poetëve, Eseistëve dhe Narratorëve, “P.E.N.”, me qendër në Londër, themeluar në vitin 1921, me bashkëkryetar shkrimtarin nobelist  John Galsworthy dhe tashmë me filiale e degë të vetat në Europë e në të gjithë botën, mbi 100 qendra. Kjo organizatë u krijua me qëllim mbrojtjen e shkrimtarëve që burgosen apo sulmohen dhunshëm në vendet totalitare apo me demokraci të pa konsoliduara.

PEN-i Shqiptar, i themeluar vite më parë, me President Nderi shkrimatrin bot:eror Ismail Kadare dhe me drejtesuese poeten dhe përkthyesen Entela Kasi, ndërkohë pedagoge në Qendrën Universitare të Gjuhëve të huaja në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, bën një apel dhe del në mbrojtje të shkrimtarit Visar Zhiti duke iu kundërvënë sulmeve të forcave të errëta, fantazma të diktaturës së shkuar dhe i quan “akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë…”

 

 

SULMET NDAJ SHKRIMTARIT VISAR ZHITI

janë veprime të qëllimshme. Janë akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë. Kjo është e vërteta.

 

Sot nuk është koha që të pyesim se për çfarë arsye shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik, intelektual i përmasave evropiane, sulmohet në Shqipëri.

Sot është koha që të pyesim se si këto akte të qëllimshme, amorale, kriminale, gjejnë hapësirë në media të caktuara në shtypin shqiptar.

Kjo është pyetja që shtrohet sot nga shkrimtarët e huaj, nga elitat e mendimit botëror të PEN International, dhe jo vetëm.

 

Visar Zhiti, sulmohet herë pas here në Shqipëri, në atdheun e tij për shkak të veprës, për shkak të qëndresës së tij nga forca të errëta të diktaturës, nga persekutorët e tij. Persekutorët kanë dhe mbajnë detyra të larta në Shqipëri, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë!

Kjo është një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, e cila, pas rënies së murit të Berlinit, ka dështuar duke veshur me pushtet dhe imunitet të gjithë ata individë, të cilët duhet të ishin jo vetëm jashtë jetës politike të vendit, por duhej të ishin përballur me akuzat për krime, të cilat i kanë kryer në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

Kjo është e vërteta, të cilën e artikulojnë elitat e mendimit botëror të letërsisë në PEN International, lidhur me këtë çështje.

 

Pyetja tjetër që shtrohet është: si ka mundësi që intelektualët, shkrimtarët dhe njerëz të medias në Shqipëri, lidhur me këtë çështje nuk kanë të njëjtin reagim për rastin e shkrimtarit Visar Zhiti?

Kësaj pyetjeje, e cila na drejtohet të gjithëve në Qendrën PEN të Shqipërisë po i përgjigjem në statusin e drejtueses të PEN Qendrës së Shqipërisë.

Për aq kohë sa ata që shkruan akt ekspertiza kundër shkrimtarit Visar Zhiti në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri për dënimin e shkrimtarit, sot i kemi në ekrane , në auditorë të promovuar , të mbrojtur, të pushtetshëm, ky është tregues se persekutorët e djeshëm nuk mund të jenë garant për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, e për më tepër të jenë misionarë të lirisë! Kjo është e pamundur.

 

A nuk i kemi parë të gjithë me sytë tanë se si atyre as u dridhet qerpiku, kur na shfaqen edhe në auditorë edhe në mikrofona sikur të ishin këta persekutorët , viktima të asaj perjudhe të errët të Shqipërisë gjatë të cilës kryen krime kundër njerëzimit duke shkelur mbi çdo vlerë e parim të dinjitetit njerëzor, e në post diktaturë nuk shprehën asnjë lloj pendese?

Sot më kujtohet një fjali e Visarit, në një çast tjetër të vështirë, ndërsa sulmohej nga të gjitha anët nga majat e Institucioneve të shtetit në Shqipëri, fjali të cilën po e sjell për të gjithë ne të tjerët kudo ku jemi si një kambanë për veshët tanë të shurdhuar e sytë tanë të verbër. ‘Zot fali, nuk dinë çfarë po bëjnë’…

 

Ishte koha kur shkrimtari Visar Zhiti, po shkonte në Vatikan, ndërsa pengohej nga Shqipëria. Një prej ngjarjeve më të rënda kjo jo larg në kohë!

Shqipëria e sotme ka probleme me vetveten, për faktin se nuk mundi të shkëputet nga e kaluara e errët, e cila na është kthyer sot edhe më e egër se dikur.

Visar Zhiti me veprën, jetën, integritetin e tij intelektual, personalitetin dhe dinjitetin njerëzor të tij mund të ishte pa dyshim një Nobel i Paqes si  Nëna Terezë, Shën Tereza e shqiptarëve, dhe mund të ishte kandidati i Nobelit të letërsisë po ashtu, nëse  ne do të kishim propozuar emrin e tij. Por ne nuk i kemi bërë këtë nder Shqipërisë së Visarit, sepse na mungon vizioni po aq sa dashuria, për faktin e thjeshtë se ishim e jemi po ne nga atdheu i tij që në mënyrën më të ulët ende edhe sot lejojmë që akte të tilla monstruoze të kryhen kundër shkrimtarit Visar Zhiti në Shqipëri.

Përballë tij ne jemi thjesht të pa- moral, e kjo na zhvesh në sytë e Evropës dhe botës.

Personalisht, si njeri dhe si drejtuese e PEN – Qendrës së Shqipërisë përulem me respektin më të thellë ndaj shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti.

Sot shoqëria politike, Insitucionet e shtetit, shoqëria intelektuale, akademikët, shkrimtarët e njohur të vendit, duhet të veprojnë për të ndaluar çdo akt e sulm ndaj shkrimtarit Visar Zhiti.

 

Nëse ne lejojmë që të tilla ngjarje të përsëriten kështu siç vërtet po ndodh, nëse ne heshtim ne të gjithë pa përjashtuar askënd, po pranojmë që të nëpërkëmbet, shkelet, cënohet çdo vlerë e dinjitetit njerëzor në Shqipëri.

 

Entela Kasi

Presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë,

PEN Internacional,

me Seli në Londër

 

Tiranë 19 . 04. 2019

 

 

 

2 Comments
  1. zgjohuni says

    Te flasesh per sekt do te thote se sa here bejne pune te rendesishme nje nga anetaret e asaj qe kane ne shenjester e bejne viktime.
    ka shumenjerez qe ky sekt i perdor!

    Une kam nje fjale :
    Zgjim
    Tani ketu,gjithkund,pergjithmone !

  2. Arben says

    Visari eshte visar! Nuk ka nevoje per PEN-en e nje cope injoranteje qe quhet Entela Kasi!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.