Standard.al

Rama e quajti “pocaqi”, plas në PS/ Deputeti i përjashtuar kërcënon Ballën: Njoh ligjin, por dhe kanunin…

0

7 muaj pasi kryeministri Edi Rama e përjashtoi live në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, deputeti i Kurbinit, Gjetan Gjetani, thotë se qyteti i tij po trajtohet si vend i botës së tretë.

Në një intervistë për Dosja.al, Gjetani, një nga personazhet me ndikim në degën lokale të PS në Kurbin, thotë se përjashtimi që i bëri Rama në shtator, e bën të paralajmëroj se është nga ato politikanë që njeh ligjin, por edhe kanunin.

Deputeti i përjashtuar nga PS, flet 7 muaj pas incidentit me kryeministrin Edi Rama, në Asamblenë e PS, ku Rama e quajti “pocaqi” kërkesën e Gjetanit për shkarkimin e shefave të Policisë së Kurbinit, pas dy ngjarjeve kriminale që ndodhën në këtë qytet.

Ai akuzon kryetarin e grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla se ka ndikuar në përjashtimin e tij.

Intervista e plotë

Janë bërë 7 muaj tashmë nga përjashtimi juaj prej grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Cili ka qenë aktiviteti juaj në këto muaj?

Përveç veprimtarisë parlamentare, asnjëherë nuk kam shkëputur marrëdhëniet me qytetarët e Kurbinit! Kam detyrim të mbajë lidhje me qytetarët që më kanë besuar t’i përfaqësoj. Edhe pse akseset i kam shumë të vogla, për arsye se Edi Ramës, nuk i interesojnë qytetarët e Kurbinit, jam munduar me mundësitë e mia, të bëj të pamundurën për t’i ndihmuar. Më vjen shumë keq për situatën në Kurbin! Flas me bindje se Kurbini, është trajtuar si vend i botës së tretë nga qeveria e Edi Ramës! Qytetarët e Kurbinit, shikohen si njerëz pa rëndësi nga kjo qeveri. Asnjë investim, që zhvillon ekonominë e zonës së Kurbinit, nuk është dhënë nga kjo qeveri. Edhe pse 26 kërkesa i kam depozituar në Kryeministri për investim ne Kurbin, asnjë nuk është marrë për bazë. Kërkesat për investim, i kam depozituar në Mars të 2019. Takimi me qytetarët, për mua ka qenë jo detyrim por edhe shumë i rëndësishëm, për arsye se të gjithë qytetarët e Kurbinit, duhet ta dinë të vërtetën e përjashtimit tim nga PS! Asgjë e vërtetë nuk është thënë nga Edi Rama, në mbledhjen e asamblesë kombëtare të PS, më 07.09.2018. Unë besoj se kam arritur një sukses, se të gjithë qytetarët e Kurbinit, e kanë kuptuar arsyen e përjashtimit nga Edi Rama, dhe më kanë mirëkuptuar për situatën që ndodhem.

A keni patur kontakte me drejtuesit lokal të PS, a bashkëpunoni me ta?

Une nuk mund të shkëpus asnjëherë lidhjet me bazën e Partisë Socialiste! Jo vetëm u detyrohem pa masë për ndihmën që më kanë dhënë në zgjedhjet e 2017, por kemi një jetë të tërë që japim kontributin tonë në PS! Më shumë organizata të PS, kemi jo vetëm raporte politike por edhe shoqërore. Për mua organizatat e PS, në Kurbin, kanë qenë dhe do jenë një këshilltare shumë me vlerë. Organizatat e PS, në Kurbin, janë familjet më të nderuara të Kurbinit! Edhe pse Edi Rama, i ka hedhur në greminë, vazhdojnë ta kenë me pasion PS! Më vjen keq se sa herë ngrenë zërin, për problemet e zonës dhe qytetarëve të Kurbinit, i drejtojnë për te zyra e punës. Ndërsa votat i kërkohen organizatave të PS. Dhe kur vjen puna, për persona që nuk kanë lidhje me PS, nuk i drejton njeri te zyra e punës, por i rregullojnë punët me katapulte. Mua më vjen keq që nuk bëra asgjë për organizatat e PS.

Po me drejtuesit qëndror si i keni raportet?

Dy janë drejtuesit qëndrorë, Edi Rama dhe Taulant Balla. I pari me dihet se çfarë dashurie ka për mua, ndërsa i dyti ka qenë një ndër ato që më kanë përgatitur infrastrukturën për të më përjashtuar Rama!

Po në bashkinë tuaj kush do të kandidojë? Për kë do të punoni?

Unë e di se kush do të kandidojë, por do flas më me detaje në momentin që do bëhen zyrtare emrat. Ndërsa përsa i përket për kë do punojë, unë do punoj vetëm nëse më thirrin strukturat e PS! Vetëm strukturat e PS në Kurbin, më urdhërojnë që të punoj.

Pjerin Ndreu, miku dhe kolegu juaj do të kandidojë në Bashkinë e Lezhës. A keni ju influencë në atë bashki? A do ta ndihmoni Pjerin Ndreun?

Edhe pse më duket pyetje provokuese do përgjigjem. Është e vërtetë që e kam koleg, por nuk është e vërtetë që është miku im. Unë nuk kam miq që janë të pabesë. Qytetarët e Lezhës, duhet t’i bëjnë një pyetje vetes përpara se të shkojnë të votojnë, çfarë e lidh Pjerin Ndreun me Lezhën!

Si e shikoni situatën politike, ndërkohë që opozita ka dorëzuar mandatet?

Dorëzimi i mandateve nga opozita nuk është aspak një imazh i mirë për vendin tonë. Por edhe sjellja arrogante e qeverisë ndaj opozitës, nuk është aspak e hijshme. Situata politike në gjykimin tim është shumë e rëndë. Nuk është aspak në interes të Shqipërisë. Ne po pretendojmë të bëhemi pjesë e familjes Europiane, dhe vendi ynë përsëri me avazin e vjetër, por me një formë tjetër, për shkak të politikës. Në vlerësimin tim duhet të reflektohet sa më parë nga klasa politike.

Po qeverinë e Partisë Socialiste?

Shqipëria në vitin 2013, votoi PS, për t’i besuar qeverinë e vendit. Po ashtu edhe 2017, votuan për PS. Pritshmëria nga ana e qytetarëve ishte shumë e madhe. Sot flas me siguri të plotë, se qytetarët janë të zhgënjyer nga kjo qeveri. Mos të harrojmë se jemi një vend: Me një ekonomi shumë më të dobët se 2013. Fakti që nga Shqipëria jam larguar rreth 500 mijë veta, mua por besoj se asnjë shqiptare, nuk është entuziaste nga kjo qeveri. Jemi një vend pa gjykata Kushtetuese dhe gjykatat e Larte. Asnjë justifikim nuk mund të kemi për mungesën e këtyre dy institucione shumë të rëndësishme për qytetarët e këtij vendi. Kemi një shtim të personave me sjellje të papëlqyeshme, që kanë lidhje me politikën. Nga bisedat që kam pas shume qytetarë jo vetëm me Kurbinin, por edhe në bashkitë e tjera, kemi një administratë Haxhi Qamilshe. Dhe qeveria nuk shmanget dot nga asnjë nga këto pika.

Disa muaj më parë e kritikuat kryeministrin, çfarë mendoni sot për të?

Unë nuk kam kritikuar kryeministrin, por kam ngritur zërin për situatën e rendit dhe sigurisë publike në Kurbin! Edi Rama, kaq arrogant u tregua sa nuk pyeti fare për qytetarët e Kurbinit, mbrojti hajdutat e policisë dhe më përjashtoi mua nga PS! Mjafton vetëm të pyesim qytetarët e Kurbinit, dhe dalin në pah për të gjitha ato probleme që unë kam ngritur zërin.

A mund të themi se incidenti i shtatorit është harruar tashmë?

Unë nuk jam i sigurt nëse është mbyllur apo jo, por për një gjë jam i sigurt, që unë jam i përgatitur për të përballuar çdo skenar. Unë dhe familja ime jemi përgatitur për çdo situatë. Dime ku ta kërkojmë të mirën dhe të keqen. Për fatin tim të mirë njoh shumë mirë ligjet e këtij vendi dhe kanunin! Nuk është etike që për një politikan të përmendet kanunin, por unë jam në kushtet për ta përmendur kanunin.

Ju keni votuar në Kuvend konform rregullave të PS. Pse?

Përsa i përket votimit, nuk është se ka pasur ndonjë vlerë vota ime. Nuk ka pasur nevojë asnjëherë PS, për votën time.

A mendoni që Edi Rama është po ai lider autoritar në Partinë Socialiste?

Nuk kam dëshirë të përgjigjem se do shkel etikën.

Si e shikoni zgjidhjen e krizës politike në vend? A do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Zgjidhja politike për sa kuptoj unë nuk zgjidhet ndryshe përveçse me zgjedhje te parakohshme. Opozita nuk ka dhënë shenjë tjetër për zgjidhjen e krizës politike, përveçse të arrihet në zgjedhje të parakohshme. Në gjykimin tim, zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme./Dosja.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.