1 vit në xhungël/ Katastrofa e rendit kushtetues në Shqipëri

1
172

Nga Gëzim Saliu

Prej thuajse një viti , Shqipëria po funksionin si shtet mbi bazën e rregullit të xhunglës, ku i forti dhe i pushtetshmi shtyp pa droje të dobëtin e të pamundurin. Jemi në një situatë të paprecedentë sa i përket rendit kushtetues në vend dhe e vetmja herë deri më tani që politika, media e shoqëria civile në tërësi kanë përdorur termin “ të paprecedentë” ishte vetëm dy muaj më parë kur përfaqësuesit e opozitës dogjën mandatet e tyre në Parlament.  Jo të nderuar, situata e paprecedentë ka ndodhur  një vit më parë, kohë që hodhi “themelet” e krizës aktuale që ka pllakosur vendin e zor se mund të dilet prej saj përmes tavolinave të marëveshjeve bajate mes palëve politike.

Shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe mos funksionimi i saj prej fillim majit të vitit 2018 duhet thënë se përbën një ngjarje të paparecedentë jo vetëm në Rajon, por edhe në Evropë e më gjerë.  Reforma në drejtësi, e cila tanimë ka humbur çdo afat kohor , po  sjell dëme të pariparueshme për vendin në kuadër të të drejtave të njeriut, të pronës si edhe çështjeve sensitive ligjore. E menduar si kryereforma e vendit e cila do hapte rrugët drejt BE-së, reforma në drejtësi të vetmin rezultat të pakontestueshëm që ka sjellë deri më tani ka qenë shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe ngërçi i plotë në Gjykatën e Lartë. Shqipëria i ngjan një republike pa kokë, ku shteti funksionon vetëm mbi bazën e vendimeve qeveritare e ndërsa aulat e shqyrtimit të çështjeve që prekin thelbësisht kushtetutën kanë mbyllur siparet prej një viti.

Në xhunglën e Shqipërisë po jetojmë!  Fakt mbetet se kjo situatë e paprecedentë ( shumë herë më e tillë se sa djegia e mandatave) nuk ja ka prishur aspak terezinë, qeverisë jo e jo, por as faktorit ndërkombëtar të akredituar në vend e më gjerë. Janë mjaftuar vetëm më deklarata të tipit: “Gjykata Kushtetuese duhet të ngrihet sa më parë”… Por ndërkohë që kjo Gjykatë thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës nuk funksionon, çfarë ndodh me demokracinë dhe rendin kushtetues të nderuar zotërinj?! Kush i gjykon nëse vendimet e dala nga Këshilli i Ministrave janë konform Kushtetutës ose jo? Do thoni është Presidenti!!! Po, ky do ishte një gjysmë justifikimi nëse vërtet arsyetimet e kreut të shtetit mbi ligjet e Qeverisë do merreshin më së paku parasysh nga mazhoranca dhe nuk do kalonin pa u lexuar fare, madje shpeshherë të paragjykuara edhe politikisht.

Janë më së paku 10 ligje të kthyera nga Presidenti( dje u kthye mbrapsht edhe ligji për vettingun në polici), për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Por sa janë marrë parasysh deri më tani argumentat e stafit të ekspertëve të kreut të shtetit nga Qeveria dhe mazhoranca?! Mund të themi se në asnjë rast nuk është hasur reflektim nga pala qeveritare, madje edhe në rastet e shkeljeve flagrante si ligji për Teatrin apo ai për dividentin. Kjo arrogancë e pushtetit padyshim ka se ku merr krahë. Mungesa e një gjykuesi supreme si Gjykata Kushtetuese e cila verifikon çdo “hap” të Qeverisë në kuadër të vendimmarrjeve të saj e kthen Kryeministrin si kryesues të ekzekutivit në një “sundues të plotfuqishëm”.

Pak teori

Tradicionalisht dallohen dy modele të organizimit të drejtësisë kushtetuese: modeli amerikan dhe modeli evropian. Modeli amerikan është:  i decentralizuar, sepse kontrolli u besohet të gjitha gjykatave të vendit. Modeli evropian është: i centralizuar, sepse ushtrohet nga një gjykatë e vetme dhe e posaçme. Drejtësia kushtetuese në Shqipëri është e organizuar sipas sistemit evropian. Në Shqipëri, sipas nenit 124 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Vetë kushtetutshmëria shprehet në institucionalizimin e pushtetit politik dhe nënshtrimin e tij ndaj rregullave të caktuara duke imponuar përputhjen me aktin themelor të shtetit (kushtetutën), të të gjitha akteve ligjore që nxjerrin organet e pushtetit publik. Kurse drejtësia kushtetuese e bënë të mundur realizimin e një procesi të tillë të kushtetutshmërisë. Pra, drejtësia kushtetuese ndihmon në institucionalizimin e rendit demokratik, synon kufizimin e pushtetit, si dhe garanton respektimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve.

Reforma dhe rendi kushtetues

Reforma në drejtësi padyshim që ishte një reformë që duhej ndërmarrë me urgjencë në sistem. U desh mund deri në arritjen e një votimi konsensual të paketës me ndryshime kushtetuese e cila hodhi bazat e reformës. Kujtojmë këtu përçarjet e forta mes PD e PS, por edhe vetë brenda mazhorancës së kohës, ku LSI në atë kohë me Ilir Metën kryetar nuk pranoi një reformë pa konsensus të gjerë. Mos harrojmë gjithashtu strategjinë e PS-së e cila ngulmoi deri në limit për një reformë me timon drejtimi nga godina e Kryeminstrisë. Por në fund, me verdiktin final të Venecias e cila rrëzoi 70% të draftit iniciativ të ekspertëve të nivelit të lartë dhe këmbënguljes së opozitës e LSI u mundësua një  paketë e bazuar mbi Kushtetutën. E megjithatë dorëzimi i PS-së në verën e 2016-ës ishte vetëm një miratim në heshtje i planit pasaardhës që sic po shohim edhe sot ka futur reformën në një drejtim pa krye. Miratimi i ligjeve shoqëruese të paketës pa konensus me opozitën e më pas zvarritja e reformës në mënyrë të qëllimshme, ku ndërkohë që në sistem nga dita në ditë përfshihen njerëz pranë mazhorancës i ka dhënë shtysë të fortë jo vetëm opozitës por edhe aktorëve të tjerë ta cilësojnë këtë proces të njëanshëm. Për të ardhur më pas tek “qershia mbi tortë”, zgjedhja e Kryeprokrokurores së Përkohshme me një votim tërësisht antikushtetues. Vetëm dy ditë më parë, Presidenti deklaroi se reforma në drejtësi fatkeqësisht në shumë raste u orientua “drejt emrave të përveçëm” dhe jo drejt standardit demokratik.

Ndërkaq faktori ndërkombëtar, shpeshherë i keqinformuar mbi zhvillimet e reformës, vazhdon të apelojë me besim se rezultatet e prekshme do të vijnë, kur ndërkohë çdo raport ndërkombëtar, dhe vetë ai i KE-së, paraqet kritika të forta për numrin e ulët të zyrtarëve të lartë të prekur nga lufta kundër korrupsionit. Për të mos folur më pas për raportet e DASH, që nga viti në vit nxijnë vendin sa i përket çështjeve të drogës, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Por temë tjetër kjo që kërkon shtjellim më të thellë.

Ndërkohë Kryeminsitri dhe PS shet si rezultate të fuqishme të reformës largimin e disa njerëzve të drejtësisë, ku edhe në këtë pikë ha debat të forta procesi si është kryer “filtrimi”. Kjo pasi Vetingu ka kaluar me “pulla të kuqe” një pjesë të atyre që cilësohen si njerëz pranë Qeverisë e ndërkohë ka “ngelur në klasë” të tjerë për problematika shumë herë më të vogla se ato të sipërpërmendurve. Përpos këtij fakti, vetë kreu i qeverisë dhe mazhoranca socialiste, e cila sic ka thënë vetë Rama është ideatorja dhe mbështetja kryesore e reformës, nuk komenton për asnjë moment ecurinë me hapa breshke të ngritjes së institucioneve të reja, mes tyre SPAK dhe Byroja e Hetimit. Po ashtu as kryeministri,  ministrat apo deputetët e PS nuk flasin për asnjë moment mbi krizën kushtetuese në vend, duke e lënë në hije faktin se Shqipëria prej një viti ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë.

Dhe duket se ky “normalitet xhungle” do të vazhdojë më së paku deri në fund të viti. Vetëm në fillim të muajit prill, Kuvendi shpalli listën e kandidatëve e ndërsa procesi deri në konstituimin e Kushtetuese duket se do të kërkojë kohë deri në fund të vitit. Pra në vazhdim, Shqipëria do vazhdojë të mbetet një shtet pa asnjë mjet “checking balance” sic është Gjykata Kushtetuese.

Si shkuam deri te shkrirja e Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese kishte 9 anëtarë në përbëje, prej të cilëve dy ju mbaroi mandati dhe u tërhoqën, ndërsa një tjetër Gjykatës, Besnik Imeraj dha dorëheqjen. Me 6 anëtarë të saj Gjykata mund të merrte çështje në shqyrtim si dhe të jepte vendim, duke qenë se kuorumi minimal për vendimmarrje është të paktën 5 anëtarë. Gjykata Kushtetuese funksionoi deri më 3 maj 2018, kur komisioni i Vettingut rrëzoi Altina Xhoxhajn. Me largimin e saj, Gjykata Kushtetuese mbeti vetëm me katër anëtarë dhe kështu pa kuorumin e domosdoshëm për të marrë vendime. Procesi i verifikimit, e nxorri Gjykatën jashtë loje, duke qenë se 3 anëtarë të tjere te saj u rrëzuan që nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ish kryetari Bashkim Dedja nga Kolegji i Apelit. Aktualisht, në Gjykatën Kushtetuese ka mbetur në detyrë vetëm Vitore Tusha.

Kriza e thellë kushtetuese

Që nga viti 1992 e deri 1 vit më parë, vendit nuk i kishte ndodhur asnjëhere të mbetej pa Gjykatë Kushtetuese, madje as në vitin famëkeq 1997. Një vend pa rend kushtetues të garantuar përmes institucioneve përbën një vend në limitet e një grushti shteti. Të zgjidhur nga zinxhiri kushtetues, pushtetarët e sotëm ndjehen mbretër në kuptimin e parë të fjalës, me autoritet dhe pushtet të pakufizuar. Askush nuk mund t’i ndalë ata të vendosin për fatet e Shqipërisë me një të rënë të lapsit, pa pyetur aspak për pasojat që mund të sjellin këto vendime.

Askush sot nuk ka mundësi të ankohet për shkeljen e të drejtave të njeriut, rasti flagrant ai me gazin lotësjellës të hedhur tek banorët brenda shtëpive në Bregun e Lumit. Vetëm pasqyrimi në media dhe akuzat politike për këtë sjellje antinjerëzore nuk sjellin paoja të prekshme mbi abuzuesit mbi këto të drejta.

Askush sot nuk ka mundësi të ankohet për ligjet e Qeverisë që shkelin të drejtat e pronës.

Askush sot  nuk ka mundësi të ankohet për ligjet e Qeverisë që shkelin parimet themelore të Kushtetutës.

Me pak fjalë, jetojmë në shtetin e xhunglës dhe për këtë duhet të themi me zë të lartë: Katastrofa e rendit kushtetues është ulur këmbëkryq në Shqipëri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Zgjohuni pas kesaj nate te gjate.
    Kulcedra ka njemije e nje tentakula ,pershtatet sipas rrethanava ,mashtron sipas rrethanave,ulet sipas rrethanave ,del ne krye sipas rrethanave por mos harroni eshte kulceder ne cdo gje qe ben.
    Mos i besoni as t,i jepni vetem doren!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here