Standard.al

Skandali me bashkëshortin e deputetes së PS-së, u emërua prokuror nga KLP, por s’ka kush t’ia bëj vetingun

0

 

Emërimi i Bledar Valikajt si prokuror në Prokurorinë e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka krijuar një ngërç “sui generis” lidhur me kryerjen e procesit të rivlerësimit për të, i njohur ndryshe si procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pas vendimit të diskutueshëm të 25 marsit, që i dha Valikajt statusin e magjistratit dhe vendimit të 15 prillit që e ndau përgjysmë KLP-në, institucionet nuk janë ende të qarta se kush duhet të kryejë procesin e vetingut për prokurorin e ri.

Bledar Valikaj është emëruar oficer i policisë gjyqësore në vitin 2002 në Berat dhe prej vitit 2013 e ka kryer detyrën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.  Valikaj, i cili është bashkëshorti i deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj u propozua për prokuror në vitin 2015, por pasi u refuzua me heshtje nga Presidenti i Republikës, nisi një betejë gjyqësore kundër tij, të cilën e fitoi.

Në vendimin nr.52, datë 25 mars 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që paralelisht me emërimin e Bledar Valikajt si prokuror, administrata e Këshillit duhet të njoftonte sa më parë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për këtë vendim.

Por njoftimi i KLP-së nuk konsiderohet i mjaftueshëm nga Komisioni i vetingut.

I pyetur nga BIRN nëse kanë filluar procedurat e vetingut për Z.Valikaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u përgjigj përmes një zëdhënëseje se Komisioni ishte njoftuar për emërimin e tij, por nuk kishte marrë asnjë kërkesë tjetër në lidhje me të.

“Nëse nga ky institucion [KLP] do të depozitohet kërkesë për rivlerësim, ju garantojmë se Komisioni do e shqyrtojë atë në përputhje të plotë me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjin nr. 84/2016,” shtoi zëdhënësja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Por ndryshe nga KPK, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi argumentoi në një bisedë telefonike me BIRN se përderisa dokumentacioni i ishte përcjellë Komisionit, vetingu në këtë rast duhet të kryhet prej tyre.

 

klp

“Ne zyrtarisht interpretojmë se fakti që kemi informuar Komisionin i Pavarur të Kualifikimit, duhet që të jenë ata që ta kryejnë vettingun e këtij prokurori”, tha Ibrahimi.

Ping-pongu mes dy institucioneve reflekton vakuumin ligjor mbi të cilin u ngrit procedura e promovimit të Valikajt nga oficer i policisë ligjore në prokuror të emëruar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë së Tiranës.

Në kushtet kur Valikaj nuk vjen nga Shkolla e Magjistraturës dhe nuk është subjekt ex- officio i ligjit të rivlerësimit kalimtar, është e paqartë se kush nga institucionet duhet të kryejë vetingun për të.

Z.Valikaj u shpreh i rezervuar për të komentuar gjatë një bisede telefonike me BIRN.

“Jam i hapur për vetingun,” tha shkurtimisht ai.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.