Standard.al

“Reporterët pa Kufij”, Meta: Liria e medias, kambanë e fortë alarmi…

0

“Nuk duhet të harrojmë se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike”, u shpreh Meta.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas raportit të fundit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, e cila ka zbritur me shtatë vende Shqipërinë, sa i përket lirisë së medias. Sipas Metës ky raport është një kambanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve.

“Angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend. Nuk duhet të harrojmë se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike. Neni 49 i Traktatit të Lisbonës e përcakton qartë garantimin e lirisë së shprehjes dhe një vend i cili synon t’i bashkohet BE-së duhet të respektojë garantimin e saj. Liria e medias është jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike. Në mënyrë të përsëritur kam dënuar me ashpërsi të gjitha sulmet dhe çdo akt dhune ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit”, thekson Presidenti Meta.

Por në të njëjtën ditë me publikimin e raportit, nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Rama u ndal edhe te nisma e tij anti-shpifje, për të cilën theksoi se shumë shpejt do të vijë në parlament për t’u votuar.

“Do vijmë shpejt me ligjin kundër shpifjes. Nuk vazhdojmë dot të jemi mish për top i kujtdo që i teket të shpifë të sajojë të na futet nëpër shtëpia e të sakatojë të madh e të vogël në emër të lirisë”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se ka punuar me OSBE-në për projektligjin e ri, ndaj ai ka thënë se do shtrëngohet rrethi i atyre që sipas Ramës e kanë kthyer botën mediatike në një llum.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.