Zbulohen pikat kryesore/ Raporti i ashpër i deputetëve holandezë për rikthimin e vizave

0
85

Në një raport të hartuar nga një grup deputetësh, theksohet fakti se në vitin 2010 liberalizimi i vizave për Shqipërinë u miratua me kushtin që qeveria shqiptare të vazhdonte luftën e nisur ndaj drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore, por, në kundërshtim me këto pritshmëri, qeveria shqiptare nuk ka forcuar sundimin e ligjit në vend dhe nuk ka luftuar bandat kriminale, të cilat sot kërcënojnë sigurinë e shumë vendeve të Bashkimit Europian.

Parlamenti holandez i kërkoi dje qeverisë holandeze t’i kërkojë BE-së nisjen e procedurave për rivendosjen e vizave me Shqipërinë.

Shkaku kryesor për këtë kërkesë, e para në historinë e Shengenit, është rritja e jazhtëzakonshme e krimit të organizuar dhe mafias shqiptare në Holandë, pra të nënshtetasve shqiptarë që zhvillojnë veprimtari të krimit të organizuar në territorin holandez duke përfituar nga lëvizja pa viza.

Exit.al e ka lexuar raportin e shkruajtur në gjuhën holandeze. Pikat kryesore që theksohen në të janë:

— Organizatat kriminale shqiptare po shfrytëzojnë mundësinë e udhëtimit pa viza në BE për të zgjeruar rrjetin e tyre të trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore. Ata vijnë në Holandë si turistë, çka nuk i lejon policisë të pengojë hyrjen e tyre, duke qenë se ata kanë të drejtën të udhëtojnë lirisht në zonën Shengen.

— Shqiptarët kryejnë të gjitha llojet e veprimtarive kriminale – nga krimet e vogla deri tek trafiku i kokainës dhe i qenieve njerëzore.

— Pjesa më e madhe e botës së krimit në Amsterdam është pronë e bandave kriminale shqiptare dhe kontrollohet prej tyre. Në Rotterdam dhe Amsterdam janë problem bandat që trafikojnë kokainë, ndërsa në Limburg shqiptarët kanë filluar të ndërtojë plantacione kanabisi. Bandat shqiptare menaxhojnë transportin e emigratëve të paligjshëm me kamionë në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar.

— Shqiptarët e kanë kthyer Holandën në vend të pasigurt, për shkak të trafikut të drogës dhe njerëzve.

— Holanda nuk ka ligj për ekstradimin e kriminelëve në Shqipëri. Kjo do të thotë që kriminelët shqiptarë që kanë vrarë në Shqipëri mund të jetojnë të lirë në Holandë, pasi nuk mund të ekstradohen në Shqipëri. I tillë është rasti i Arben Frrokut, i cili vrau një komisar policie në Shqipëri, u dënua me burgim të përjetshëm, por nuk mund të ekstradohet nga Holanda. Po ashtu, edhe pasi kanë kryer krime në Holandë, kriminelët mund të jetojnë të lirë në Shqipëri.

— Disa prej kryetrafikantëve shqiptarë në Holandë po investojnë në restorante dhe ndërtesa për të pastruar paratë e krimit, dhe po e zgjerojnë aktivitetin e tyre edhe në vende të tjera, duke u bërë edhe më të fortë e më të rrezikshëm.

— Paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale në Hollandë, po dërgohen fizikisht në Shqipëri me makina, dhe më pas depozitohen me shuma nga 30 mijë euro në bankat e Shqipërisë, pa deklaruar burimin e të ardhurave.

— Mafia shqiptare ka hedhur rrënjë në Britani dhe ekziston rreziku që pas Brexit grupet mafioze shqiptare të zhvendosen nga Britania në Holandë apo në vende të tjera të BE-se. Shërbimet sekrete holandeze duhet të hetojnë nëse kjo gjë po ndodh.

Bazuar në këtë raport, deputetët holandezë i bënë thirrje qeverisë holandeze që t’i kërkojë Komisionit Europian nisjen sa më të shpejtë të procedurave për të rikthyer e vizat për qytetarët shqiptarë.

Deputetët i kërkuan qeverisë shqiptare ta marrë këtë mocion parlamentar si sinjal të fortë për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe për të vendosur shtetin ligjor në Shqipëri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here