Vota e kunatit të Mimi Kodhelit emëron burrin e deputetes Felaj, prokuror në Tiranë!

0
239

Vota e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë(KLP), Gent Ibrahimi ishte përcaktuese të hënën në emërimin e Bledar Valikajt, bashkëshorit të deputetes socialiste Ermonela Felaj, si prokuror në kryeqytet.

KLP njoftoi se u miratua me 5 vota “pro” caktimi në detyrë i prokurorit Bledar Valikaj në Prokurinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për të cilin në mbledhjen parardhëse të 25 marsit u vendos dhënia e statusit të prokurorit.

Sipas KLP votat për caktimin e Valikajt u ndanë në 5 me 5 pasi anëtari i 11 i Këshillit mungon, pas shkarkimit nga KPA i Antoneta Sevdarit dhe Vatë Staka ende nuk mund të marrë detyrën në pritje të konfrimit të procesit të votimit të tij.

Megjithatë ligji 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, duket se i ka lënë të drejtë kryetarit të këshillit të prishë ngërçin në këto raste. Pavarësisht se votat për caktimin në detyrë të Valikajt janë ndarë në mënyrë të barabartë neni 166 i ligjit parashikon se vota e kryetarit prevalon mbi atë të anëtarëve të tjerë.

“Kryetari është anëtari i fundit, i cili voton në lidhje me një çështje. Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese”, citohet në pikat 5 dhe 6 të nenit të sipërcituar, të cilit KLP i është referuar për të marrë vendim në rastin Valikaj.

Në mbledhjen e 25 marsit, me gjashtë vota pro dhe katër kundër, KLP i hapi rrugën Bledar Valikajt për t’u emëruar prokuror. Bledar Valikaj, oficer i policisë gjyqësore dhe bashkëshort i deputetes socialiste, Ermonela Felaj i kërkoi KLP-së të ekzekutonte vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit që i dha të drejtë lidhur me kërkesë-padinë që ngriti ndaj Presidencës në vitin 2015, pasi propozimi i ish-kryeprokuorit Adriatik Llalla për emërimin e tij si prokuror nuk u dekretua nga ish-Presidenti Bujar Nishani.

Gjatë seancës së të hënës, KLP mori edhe disa vendime të tjera. Kështu, me 6 vota pro u vendos që antëari i ri i KLP i zgjedhur pa garë të enjten e javës së kaluar, të mos marrë pjesë në këtë mbledhje pasi nuk kishte përfudnuar afati i ankimit prej pesë ditësh.

KLP mori vendime edhe për zëvendësimin e disa drejtuesve të prokurorive të shkarkuar nga detyra prej KPK-së pas procesit të rivlerësimit. Kështu, në funksionin e drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Durrës që më parë mbahej nga Ferdinand Elezi, u caktua përkohësisht prokurori Ludovik Doda, ndërsa në vend të Edison Ademit, në funskionin e drejtuesit të Pokurorisë së Sarandës u caktua përkohësisht Sali Hasa.

Në prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda u caktua prokuori Isa Jata dhe me caktim të përkohshëm në Prokurorinë e Apelit Durrës, prokurorja Afërdita Ndoi. KLP ka miratuar me 5 vota caktimin në detyrë në Prokurorinë e Tiranës të prokuorit Leonard Filopati, që sipas njoftimit të KLP-së, rikthehej në sistemin e prokurorisë për shkak të mbarimit të afatit të komandimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Gjithashtu u miratua raporti për analizën e aftësive profesionale të prokurorëve: Manjola Kajani, Ened Nakuci, Eugen Beci, Njazi Seferi, Doloreza Musabelliu, Blerim Tominaj, Elisabeta Imeraj, Olsian Çela, Përparim Kulluri, Vladimir Mara, të cilët sipas KLP-së janë vlerësuar në kuadër të rivlerësimit kalimtar. Një pjesë e tyre garojnë për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion (SPAK). Raportet sipas KLP-së iu dërguan KPK-së dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit./Marrë nga BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here