Cun i mil Edi

0
227

   Nga Gëzim Saliu

“Fajin e kanë kinezët”. Koncensionari , u vendos me shpatulla pas muri  fill pas grabitjes në Rinas dhe çdo minutë që kalonte nga ajo ditë shërbentë si një indicie e fortë e planit final, atë të shpalljes luftë ndaj Kinës.

Ministrja Xhaçka nuk nguroi të tregonte forcën qënë ditën pasardhëse, ku menjëherë në aeroport dërgoi trupat e ushtrisë , si për t’i vërtetuar Kinës se me ne nuk bëhet shaka. Jemi vend i NATO-së, apo nuk festuam edhe pak ditë më parë anëtarësimin e 10-të, ku u theksuan lart meritat e plota të z. Rama në këtë arritje.

Ndërkohë si një heroinë e vërtetë, ashtu sic i shkon për shtat ministres Balluku, një dishepulle e denjë e “Skënderbeut” në krye të qeverisë, Belinda e Transportit deklaroi pa ju dridhur qerpiku në “Opionin” se Qeveria nuk do e kishte fare problem ta prishte kontratën me koncensionarin kinez. Madje Balluku tha se do i tërhiqej veshi fort dhe sipas logjikës rilindase “jeni ju, pa jemi ne”, koncensionari do nxirrej para gjyqit popullor për të marrë përsipër përgjegjësitë e rënda që i takonin lidhur me grabitjen në Rinas. Dhe fundja pse mos i marrë? Kush tjetër më shumë se kinezi ishte fajtor për grabitjen? Policia as nuk diskutohet që të jetë fajtore, ajo reagoi fort dhe pa asnjë mëdyshje. Gjë tjetër pastaj se u lajmëruan me vonesë, sic i vendosi vulën mbrëmë në “Open” këtij fakti gazetari i mirënjohur italian me një shqipe të kulluar C. Bollino.

Po ministria e Transporteve çfarë faji mund të ketë në këtë mes? Znj. Balluku ka respektuar një më një të gjitha direktivat e partisë dhe madje i ka tejkaluar ato. Për të mos folur më pas për Aviacionin Civil, që nuk e lidh asgjë me çështjet e sigurisë së aeroportit. Këto i takojnë kinezit, jo më kot ja kemi dhënë koncensionin e madje ja shtymë me 7 vite. Ta bënte punë, aty e kishte kohën, të merrte të gjitha masat e duhura.

Gjeneral Lleshi e tha me të drejtë, ishte thjesht një incident që lidhet me mangësitë e koncensionarit, mos ta bëjmë kaq të madhe. Por këta kadrinjtë s’të lënë rehat e çdo ditë e nxjerrin ndonjë shpifje nga sirtarët që ja servir Saliu. Ja seç qarkulluan në rrjet një vendim të Kryeministrit sipas të cilit vetë Gjeneral Lleshi paska qenë deri pak kohë para se të merrte postin që mban, kryetar bordi në Aviacionin Civil. E pastaj? Çdo të thotë kjo?! Fajin nuk e kishte aviacioni, por koncensionari.

Ndërkohë “Skënderbeut” udhëheqës të Qeverisë i erdhi fiks në dorë mundësia për t’ja thënë të gjitha në sy kinezëve, pjesëmarrës në samitin e tetë të liderëve të Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEC) në Dubrovnik.  Dhe ja tek erdhi njoftimi zyrtar nga Kryeministria. Me nxitim u rrekëm të shikonim se si Udhëheqësi ynë e kishte bërë telef kinezin me kritikat për koncensionarin.

Lexojmë:  “Kryeministri Edi Rama kërkoi nga homologu i tij kinez Li Keqiang që dy vendet të heqin vizat në kuadër të 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve dy palëshe. Rama i tha kryeministrit Li se heqja e ndërsjellët të vizave mes dy vendeve, do të nxiste jo vetëm rritjen e numrit të turistëve kineze në Shqipëri, por edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Rama i kërkoi gjithashtu homologut të tij përshpejtimin e procedurave që do të lejonin hyrjen e disa produkteve ushqimore në tregun kinez. Nga ana e tij, Kryeministri Li Keqiang konfirmoi heqjen e çdo barriere për importin e verës, mjaltit dhe vajit të ullirit shqiptar”.

Ju të kazanit mos u nxitoni nga njoftimi i mësipërm, ashtu u habitëm edhe në në fillim kur e lexuam. Pse udhëheqës Edi nuk ja paska numëruar Kinës ashtu sic e meritonte? Jua shpjegoj shkurt e qartë, sic edhe mentor Fuga ja kishte shpjeguar dishepujve në media e më gjerë. Nuk është aq naiv udhëheqësi sa të bëjë lojën që do Kina, të krijojë konflikt direkt, pa marrë më parë masat e duhura se mund ta përballojë këtë betejë të rëndësishme për popullin shqiptar. Lavdet për Kinën dhe ftesa për heqjen e vizave shërbejnë thjesht si mbulim, sa për t’i dhënë kohë Oltës dhe Gjeneralit të ngrenë në nivelin e duhur sigurinë e vendit dhe të krijojnë kushte optimale për një përballje fitimtare me Kinën. “Cun i mil Edi, na kënaci me lafe”, kishte thënë Li Keqiang dhe pa kuptuar e kishtë gëlltitur si midhjen në guackë, kurthin e përgatitur me aq finesë nga zyra e shtabit të udhëheqësit.  Strategji perfekte!

 

*Rubrika “Pikante”, aty ku lajmet dhe zhvillimet e ditës përcillen përmes ironisë dhe humorit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here