Standard.al

Seriali “RINASI”, amerikani Palmer dhe banorët e bregut të lumit

0

E bënë sërish dhe këtë herë sipas informacioneve paraprake, thuhet se është vjedhur një shifër rekord, plot 10 milionë euro. Në aeroportin e Rinasit për të tretën herë është kryer një grabitje, ku autorët të veshur si komando kanë hyrë me lehtësinë më të madhe brenda zonës së rrethuar dhe kanë marrë prej aty çantat me para të dy bankave të mëdha në vend që do transferoheshin në Vjenë.

Dhe bash e gjithë kjo grabitje spekatkolare, ndodhi në ditën që vendi presupozohej  të ishte në masa sigurie maksimale për shkak të vizitës në Tiranë të zv/ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit Matthew Palmer. Ky i fundit, së bashku me mesazhet e përcjella në Tiranë, ka edhe se cfarë të përcjellë si “ngjarje viti” në SHBA nga Shqipëria, përtej krizës politike në vend.  Tipike e një filmi hollivudianë!

Padyshim nga tani e në vazhdim, zyrtari i lartë amerikan nuk do të ngurojë ta mendojë dy herë  vizitën e ardhshme në vendin tonë dhe nëse kjo do ndodhë, do shpresojë që deri atëherë Kryeministri ta ketë mbajtur premtimin e shkelur prej kohësh për aeroportin e Kukësit. Se në Rinas, z.Palmer zor se shkel më.  Nuk di se cilat kanë qenë masat e sigurisë në përcjelljen e tij deri në aeroport, por me siguri gjatë ngjitjes së shkallëve të avionit, z.Palmer i ka shkuar në mendje se vetëm pak orë më parë në të njejtin vend u vodhën në mes të ditës miliona euro!

Sot ajo që rindodhi në aeroportin e Rinasit ishte një provë ulëritëse për mungesën e sigurisë dhe rendit në Shqipëri. Padyshim nga autoritet qeveritare kjo do cilësohet si një tjetër ngjarje rutinë, ku ndoshta sot do ishte me vlerë reale për socialistët komenti epik i zonjës Spiropali: “me ngjarje të tilla bëhen edhe filma”. Por përtej propagandës deri në qesharake të mazhorancës, e cila një nga të metat kryesore të saj në këto vite qeverisje ka mos pranimin e realitetit e si pasojë qëndrimin mbi “retë” e “Shqipërisë së Rilindur”, kjo grabitje përbën një fakt tronditës për pushtetin që ka fituar krimi në vend. Nga 2015 e deri më sot, numërohen 5 raste të grabitjes së autoblindave që transportojnë paratë e bankave të nivelit të dytë dhe tre nga këto janë kryer brenda aeroportit!

 

Ndërkohë që në të njejtën ditë, policia e shoqëruar dhe nga reparti i forcave speciale ishte tepër e “zënë” duke i dhënë ndihmë fadromistë të bashkisë që po prishnin shtëpitë e banorëve të bregut të lumit. Dhe për të parën herë sot ndodhi ajo që nuk ishte parë kurrkund deri më tani në ndonjë vend demokratik. Policia hodhi gaz lotësjellës për të nxjerrë banorët nga shtëpitë e tyre, që ti lehtësonte sadopak punën “çunave të lalit”. E paimagjinueshme! Nëse deri më sot, ministri Lleshaj është akuzuar për gazin në masë të lëshuar ndaj protestuesve (edhe ky i patolerueshëm), gjithnjë është mbrojtur me argumentin e akteve të dhunës së protestuesve, të cilët sipas tij përbënin rrezik potencial. Po sot çfarë mund të thotë z.ministër? Si mund të hidhet gaz lotësjellës mbi civilët?! Ku ndodh që për të nxjerrë banorët nga shtëpitë, të cilat po i mbrojnë në kushtet e mungesës së dësmshpërblimit të drejtë, të përdoret gaz lotësjellës?! Mos jemi vallë në Alepo?

 

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.