Standard.al

Grabitja në Rinas, Reuters: Mund të jenë marrë 10 mln Euro

0

Grabitja e ditës së sotme në Rinas ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, Reuters në një artikull të publikuar i ka kushtuar interes të veçantë ngjarjes.

Reuters shkruan se “policia ekzekutoi një nga disa persona të armatosur në një shkëmbim zjarri, pasi ata u futën në aeroportin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe u larguan prej atje me një ngarkesë parash”. “Hajdutët e maskuar dhe të armatosur u futën përmes hyrjes që përdoret nga shërbimet e zjarrfikëses dhe pasi morën paratë, u arratisën duke provokuar një ndjekje policore”.

Dëshmitarët u thanë gazetarëve se tre personat e armatosur që kishin shënjestruar avionin për në Vjenë, që në atë moment kishte ndezur motorët në pistë, të veshur me uniforma ushtarake, u futen brenda dhe kërcënuan stafin me armë, duke marrë dhe paratë.

Policia, fillimisht konfirmoi një shumë të caktuar parash që ishte vjedhur, ndërsa raportimet e para flisnin për një shumë prej 2 milionë Euro, por më vonë u tha se mund të jetë pesë herë më e madhe.

Reuters shkruan se autorët shkëmbyen zjarr me policinë, gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, ndërsa një nga grabitësit humbi jetën.

Raportimet e medias nga vendi i ngjarjes, treguan se viktima kishte në trup një armë, një granatë dhe disa fishekë.

Reuters thekson se bankat e huaja me filiale në Shqipëri i nxjerrin kartmonedhat jashtë përmes aeroportit të Rinasit për në Vjenë, për shkak se banka qëndrore nuk i pranon depozitat e tyre në kartmonedha.

“Dërgesat janë sulmuar disa herë vitet e shkuara, njëherë brenda në aeroport dhe dy herë në rrugën që të çon në aeroport”.

Agjencia shkruan se policia ka gjetur disa nga paratë e grabitjes së fundit, të cilat ishin futur në tenxhere presioni nën tokë”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.