Servilizmi ndaj pushtetit, bythlëpirja e paskrupullt! Paraprokurorët Artan Hoxha dhe Lorenc Vangjeli

0
136
Ervin Salianji është një avokat i shkëlqyer i vetvetes dhe një akuzues therës me fakte të vërteta!
Salianji e fitoi gjyqin publik përballë paraprokurorëve Artan Hoxha dhe Lorenc Vangjeli. Tashmë, çdo prokuror do të ketë të vështirë ta bëjë të bardhën të zezë.

Mbrëmë u bëra rastësisht dëshmitar i një masakre televizive “live”! Servilizmi ndaj pushtetit, bythlëpirja e paskrupullt, pranimi i poshtërimit publik, njohu mbrëmë nivelet më të larta në këto 30 vite që unë ndjek politikën në Televizion! Por çfarë ndodhi më konkretisht?

Në programin më të njohur politik në vend, “Opinion”, ishte ftuar një ish deputet i Partisë Demokratike i marrë si i pandehur nga Prokuroria për mashtrim dhe falsifikim. Bëhej fjalë për dosjen e famshme ku, një trafikant droge ishte përgjuar duke folur me vëllain e Ministrit të Brendshëm. Vëllai i Ministrit, i dënuar në Itali për trafik narkotikësh, dëgjohej që i thoshte “Do të të ndihmoj edhe në një rrugë të fundit”. Ky ishte fakti që deputeti Salianji publikoi nga selia e Partisë Demokratike rreth një vit më parë.

Sigurisht, kjo bisedë do të trondiste gjithë sistemin politik siç edhe ndodhi. Pushteti e hodhi poshtë menjëherë. “Me përbuzje” madje…. Kryeministri deklaroi menjëherë që “Zëri në audiopërgjim nuk është I vëllait”…Prokuroria u qetësua dhe mendoi që u zgjidh puna. Por, dikush tha që “ore, ky Kryeministri ynë vërtet i di të gjitha, por, ligjërisht duhet ta rrëzojmë me prova, nuk është provë kjo që thotë ky”… Thonë që Kryeministri u mërzit shumë kur i thanë që duhet provuar. Por, u tha që kjo është puna juaj, unë e bëra timen….

Ky ishte një problem i madh. Mirë që Ministri i Brendshëm e mori mandatën, por, një tjetër Ministër i Brendshëm ishte nën akuzë zyrtare nga Prokuroria për grup të strukturuar trafiku droge! Si mundet që dy Ministra të dalin në fare pak kohë të implikuar zyrtarisht me trafikun e drogës?! Jo, duhej bërë diçka tjetër. Filimisht, Fatmir Xhafën nuk e shkarkojmë. Bëjmë sikur e mbështesim për ta hequr në një kohë të dytë, gjasme me dorëheqje. Ndërkohë, për të shpëtuar nga skandali i dyfishtë minsitror duhet zhbërë skandali i përgjimit!

Në këtë moment futet në lojë një personazh nga të shumtët qe Policia ka nën kontroll. Ai deklaron që, zëri në audiopërgjim nuk është i vëllait trafikant (Geron Xhafa) por i imi… Sigurisht, askush nuk e besoi në popull , të gjithë nënqeshin me këtë version. Por, gjërat duheshin çuar deri në fund për të pasë sadopak besueshmëri. Dikush duhej futur në burg. Dhe i pari që pranon të futet në burg është ky tipi, Alizoti. Sigurisht kundrejt pagesës nga pushteti, ai do të bëjë një ose dy vjet burg dhe do paguhet mirë. Quhen bedelë këta tipa.

Krahas tij, duheshin futur edhe inskenuesit dhe përhapësit e audiopërgjimit. Pra edhe deputeti Salianji. Prokuroria me një zell të pashembullt e merr të pandehur atë dhe pritet nga dita në ditë që çështja të mbërrijë në gjykatë. Salianji është kurbani i fundit dhe mbyllet cikli. Babalja shpallet shpifës dhe rilindasit martirë të shpifjeve të ndyra .

Ja, ky ishte skenari rilindas. Viktima e këtij skenari, Ervin Saianji, është një ish deputet i ri që, thënë të drejtën, nuk është se më ngjallte ndonjë simpati. Mbrëmë isha në krahun e tij pasi e shihja si viktimë të skenarit që tregova më sipër.

Përballë tij ishin dy emra të njohur të studios Opinion. Njëri ka njohur një kapërcim të madh nga gazetar kronike në një televizion lokal në starin e përnatshëm të studios më të famshme në Shqipëri. Ai është Artan Hoxha dhe flet për gjithçka ndodh në vend.

I dyti është një emër i vjetër i kësaj studioje, Lorenc Vangjeli. Shquhet si skifter i së majtës, një çerr i vogël, cinik, që bën metafora seksi si dashnor i letërsisë por njëkohësisht është zar i kujtdo që i hedh një kockë. Shikimet e tij ironike, trashjet e zërit me gjuhën që e nxjerr pak sipër buzës shkaktojnë një alergji publike. Mbante rekordin historik të poshtërimit me prezencën e tij në një emision të paradokohshëm po në Opinion. Atë ditë, Kryeministri ishte i ftuar në studio me 4 gazetarë që i bënin pyetje.

Lorenci priti 3 orë të plota duke dëgjuar me adhurim dhe nuk kishte asnjë pyetje për be. Kur në një moment, deshi të thoshte një fjalë, hasi në një nga ato vështrime kryeministrore që e bëri të strukej dhe të harronte edhe derën e daljes.

Pra, këta dy burra kishte përballë Ervin Salianji. Mendova se, pavarsisht se cilën anë të pushtetit mbrojnë, këta nëngazetarë do të ishin të sjellshëm me deputetin. Thjesht një lloj solidariteti me një njeri që Prokuroria do ta fusë në burg pa faj. Ndaj mbeta duke dëgjuar bisedën….

Çfarë të dëgjoj… Salianjit i kishin dhënë gjithë dosjen në dispozicion prokuroria. Sigurisht, me idenë që, në Gjykatë do të paraqisnin vetëm përgjimet e transkiptuara (zbardhura). Por, të pakujdesshëm ata kishin lënë aty edhe përgjimet e pazbardhura me idenë që askush nuk I dëgjon….

Dhe çfarë kishte në ato përgjime….

Biseda të paimagjinueshme në mes Fred Alizotit dhe Drejtorit dhe Nëndrejtorit të Policisë së Qarkut Fier! Të gjithë u shtangën nga toni urdhërues, kërkues, neglizhues e ndonjëherë edhe turpërues që një person i papunë përdorte ndaj figurave kaq të larta të Policisë! Bisedat nuk kishin të mbaruar dhe ishin gjithë nënkuptime, një gjuhë e koduar e denjë për trafikantë amatorë. Të gjithë mbetën të shtangur, drejtuesi i emisionit, shikuesit, Preç Zogaj nuk po u besonte veshëve….

Kjo ishte jashtë çdo skenari!

Atëherë u vërsulën hienat. As në gjyqin e nazistëve në Nurenberg nuk kam parë një urrejtje ndaj një njeriu që po shkonte në burg! Klithjet histerike “Ti je i pandehur, ke të njëjtin status me atë që është I arrestuar”, nënqeshjet zgërdhirëse “Fol me prokurorin, atij spjegoja”…

Mu kujtuan gjyqet komuniste ndaj armikut të klasës. Artani u djersit, Lorenci u nxi. Skema po dilte jashtë kontrollit. Filluan provokimet nga më të ulëtat… Por Salianji vazhdonte të nxirrte video, prova, Lorenci dhe Artani vazhduan të nxihen, djersiten, kruhen, bërtasin, shajnë…Jo, kurrë nuk kam parë ndonjëherë këtë nivel lëpirjeje ndaj pushtetit. Edhe Edi Rama nuk e pëlqen këtë nivel nënshtrimi!

Për një moment po mendoja që e drejta është me ata, pra me Hoxhën dhe Vangjelin. Po mirë mo, a mund të ishit më të përmbajtur ndaj një njeriu që po shkonte në burg? Ku e gjenin atë ligësi prej Uriahipi dhe lëshonin stërkala pështyme, apo cinizëm meskin për ti përmendur burgun çdo minutë?

Salianji e fitoi gjyqin publik përballë paraprokurorëve Artan Hoxha dhe Lorenc Vangjeli. Ai u vërtetoi të gjithë shikuesve që Alfred Alizoti është një i blerë nga pushteti për të mbyllë skandalin Babale. E dyta u vërtetoi të gjithë shqiptarëve që raporti I studios angleze thotë ”Zëri në audiopërgjim është I përafërt me zërin e Agron Xhafajt”. E treta u vërtetoi gjithë shqiptarëve se çfarë niveli ka rënë gazetaria në Shqipëri. E katërta e vuri Prokurorinë në pozita të vështira. Tashmë, çdo prokuror do të ketë të vështirë ta bëjë të bardhën të zezë. Ervin Salianji është një avokat I shkëlqyer I vetvetes dhe një akuzues therës me fakte të vërteta!/Ermal Mulosmani

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here