Standard.al

Kejdi Mehmetaj: Rama duhet të ikë, nuk kemi çfarë të dialogojmë

0

Ftesa e shumicës për konsensus per ndryshime ne kodin zgjedhor, duket herë pas here e pamundur te realizohet. Për të dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë çështje në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus ka qenë ish-deputetja LSI-së Kejdi Mehmetaj.

Kuvendi të enjtjen mblidhet për seacën e radhës, ku mungon opozita zyrtare dhe ku shtohet numri i deputetëve rishtarë, që vijnë nga listat e PD-së dhe LSI-së, lista që tashmë mohonen nga vetë këto parti. Ndërkohë mundësitë dhe hapësirat për dialog mes shumicës dhe opozitës që ka djegur mandatet, vazhdojnë të duken inekzistente.

Pesë javë që ju keni djegur mandatin , si ndiheni ju dhe të gjithë anëtarët e LSI-së?

Ndihemi më të sinqertë përballë qytetarëve, më të rreshtuar në krahë të tyre dhe më shpresë plotë se e ardhmja e politikës shqiptare, si rrjedhorë e qytetarëve dhe e Shqipërisë do të jetë më e mirë dhe më e sigurtë. Pavarësisht se ky ishte një vendim ekstrem dhe për shumë mund të jetë lexuar dhe si një nga ato vendimet që pak gjasa ka ose aspak të ndodhin në vende të supozuara demokratike, por kjo ishte e vetmja zgjidhje që ne pamë si opozitë në atë moment dhe duket se ka qenë e duhura.

Ky vendim ekstrem siç e cilësuat ju fillimisht u ndërmor nga PD-ja dhe u duk se LSI-ja ishte pak e papërgatitur ose mos shpresonte që qeveria të mos procedonte me vrap siç bëri duke e çuar çështjen në KQZ?

Historia e lënies së mandateve ka qenë një tezë e hedhur që në 2017-ës pas përfundimit të zgjedhjeve, madje disa eksponentë të LSI-së kanë qenë shumë këmbëngulës që kjo do të ishte rruga që ne do të merrnim si parti duke e parë bashkëpunimin parlamentar, ose qenien tonë në parlament si një të keqe shumë të madhe dhe si pasardhës të një qeverie që nuk ishte e dalë nga vota e lirë apo që nuk i shërbente qytetarëve. Megjithatë në atë kohë ne i hodhëm poshtë këto zëra dhe shumica vendosi se mos ndoshta më e mira do të ishte të provonim të gjithë mjetet demokratike që kishim në dispozicion, parlamentin, aktet ligjore, diskutimet interpelancat që mund të bënim të mundur që të vendosnim qeverinë nën presion. Por u kuptua qartë në raste të njëpasnjëshme, të dukshme edhe për qytetarët ku janë disa prej ligjeve që ne thamë se  disa prej tyre janë antikushtetuese dhe ne nuk kishim ku të drejtoheshim për të zbuluar të vërtetën që fshihej në ato ligje, që na shtynë për të marrë këtë vendim. Në fakt e kuptoj që një pjesë e konfuzionit ishte për shkak të vendimarrjes por edhe ne si PD-ja do të duhej që të mblidhnim struktura tona për marrjen e një hapi të tillë, por që ishim në të njëjtën linjë dhe vendimarrje e përbashkët.

Jemi në një situatë ku një pjesë e opinionit publik dhe ndërkombëtar bën thirrje për dialog, por këtu duket se ka një ndarje midis PD-së dhe LSI-së, pasi PD-ja po mendon se nëse ka dialog ky mund të bëhet vetëm me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, ndërsa nga partia juaj ka zëra se këtë ndërmjetësim duhet ta bëjë presidenti i republikës Ilir Meta.

Unë medoj se si ne dhe PD-ja e partitë e tjera opozitare jashtë parlamentit dhe në protest kanë një qëndrim të qartë në lidhje me këtë pjesë. Çështja është se për çfarë do të dialogojmë, ne nuk i lamë mandatet që të dialogojmë forma të reja të ndarjes së pushtetit. Nuk ishte ky qëllimi, por që kauza të shkojë në një nivel të mëtejshëm që tu bëjmë edhe njëherë të qartë qytetarëve po pse jo dhe ndërkombëtarëve problematikën në të cilën po kalonte Shqipëria dhe për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Një zgjidhje që përmirëson sistemin në tërësi, në rast se ne do të ulemi dhe do të dialogojmë me njëri tjetrin dhe zgjidhja do të merret në një tryezë të ngushtë me pak persona, dialogu do të jetë për të zgjidhur një situatë të përkohshme për të emëruar disa të tjerë dhe për të krijuar një fasadë të re kjo nuk do të funksionojë.

Çfarë mendimi ka LSI-ja për diskutimin në lidhje me kodin zgjedhor?

Qëndrimi ynë është që të forcohet sistemi, vetëm një sistem i fortë dhe një shtet i fortë do të pengojë që personazhe të tjerë të ngjashëm me qasjen e Edi Ramën të jenë në krye të vendit dhe ta shpien sërish vendin në humnerë. Ndaj ne jemi për forcimin e sistemit dhe shtetit, dhe propozimet mbi kodin zgjedhor janë kryesisht të pjesshme dhe nuk zgjidhin disa prej problematikave kryesore që na çuan në pikën ku ne jemi sot. E para padyshim është shitblerja e votës, e dyta është ndërhyrja e administratës shtetërore për të presionuar qytetarët mbi mënyrës se si ata votojnë dhe e treta është përfshirja e personave me precedente ose të inkriminuar në fushata, për sa kohë këto fenomene nuk marrin zgjidhje çdo përmirësim do të jetë një arnim që nuk do të plotësojë kushtet e duhura.

Nesër e enjte ka seancë parlamentare do të ketë dhe protest apo jo?

Po do të jemi para parlamentit në protestën që tashmë është kthyer në të përjavshme

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.