Rama, derrat e mediave dhe hallatet e Opozitës…

0
88

Nga Artur ZHEJI

 

Në fjalimin e tij zgjedhor, mbasi na rrëfeu shëndetin e tij të mirë fizik, kryeministri shpalosi gjithë agresivitetin e tij shpirtëror, mendor dhe zemërak.
Renditi të vërteta, gjysëm të vërteta dhe si gjithmonë një sallatë frutash bajate me shumë gënjeshtra, kësaj rradhe më të përmbajtura se herët e tjera.
Vërtet Tirana sot, në disa pamje është mjaft më e jetueshme, porse jeta bëhet më interesante, kur del jashtë saj dhe të mendosh që ushtria e kullave shumëkatëshe, të porositura drejtëpërdrejtë nga ay, duhet akoma të na pushtojë.
Kjo është e ardhshmja e frikshme, që Veliaj, me Ramën kryeministër, do ta ketë të pamundur ta kundërshtojë dhe të drejtojë vrullin e investimeve në hekur dhe beton, drejt Paskuqanit, te Bulevardi i ri, për të krijuar aty, Tiranën e Re2.
Përtej kësaj, zemërata dhe zulma e vrerit ishte pjesa dërmuese e fjalës kryeministrore, ngjizur me helm të trashur gjarpri, të etur për revansh dhe hakmarrje, sepse punët e tij, nuk janë fare mirë. Dhe kjo është e dukshme dhe nuk mbulohet dot me mjegullën e fjalëve të tij, që ngjanin me një klithëm të papërmbajtur tërbimi, më shumë se sa me një arsyetim kryeministror.
Por pjesa më e ndjerë dhe më e përsosur në metafora, ngjyresa, kthesa, karambole, emfaza, gëlbaza, drithërima, hakërrime, paralajmërime, kërcënime, shpërfytyrime, erdhi te pjesa e spërkatjes me llum të Opozitës dhe të gazetarëve.
Lulëzim Basha, ishte sipas mllefit të tij, që e ka burimin nga ditët e këqia dhe të paralajmëruara që po kalon, një “lider pa hallate”, ndërsa gazetarët dhe analistët, thjesht ca “derra të shtrirë” nëpër studio televizive.
Që pyll pa derra nuk ka, kjo dihet, por kësaj rradhe nga kazanxhinj, gazetarët u shndrruan në fjalorin kryeministror edhe në derra, kjo tingëllon e re dhe e dëshpëruar.
Për sa i përket “hallateve”, kryeministri hyn dhe krejt gabim në këtë sfidë seksuale dhe riprodhuese të kundërshtarëve të tij politikë, sepse Basha ka dy fëmijë, Ilir Meta ka tre dhe madje edhe shumica e gazetarëve, na kanë qëlluar pjellorë, madje nganjëherë të përfolur, edhe si shumë të dhënë pas seksit, sepse kanë qëlluar mesdhetarë të mirëfilltë dhe hiperaktivë…
Por nejse, mund të më thuhet se “hallatet” janë përdorur në kuptim figurativ, domethënë si njerëz mendërisht jopjellorë. Kryeministri le të mbajë në këtë fushë, peshoren e tij subjektive, si edhe gazetarët kanë edhe ata, peshoren e tyre, në të cilën kryeministri, u rezulton gjithmonë e më i lehtë dhe më i papeshë.
Por kjo nuk i zgjidh hallet e tij… (a mos fjala “hallate” buron nga fjala “halle”? E që domethënë se kush ka halle, këto halle, ndikojnë te mbarëvajtja e hallateve?)
Ndoshta po dhe ndoshta jo. Gjykuar nga jeta e sotme e kryeministrit plot halle, e vështirë ta kesh zili, raportin e tij intim me vetminë dhe seksualitetin e vet, kur shkruan dhe merr mijëra mesazhe telefonike në ditë dhe kur ruhet me më shumë roje se presidenti i Rusisë.
Por kjo është një çështje tjetër…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here