Standard.al

SPAK SI GOGOLI I FEMIJEVE!!!!!

0

 

Nga Hamit Take

Në mitologjinë shqiptare, popullore dhe pagane, gjejmë figurën e GOGOLI-t, një qënie e përçudnuar dhe e frikshme, e cila fshihet dhe del natën prej territ, duke u kënaqur që shkakton frikë te fëmijët. Gjyshet e kanë përdorur me sukses këtë qënie për të frikësuar e disiplinur nipat e mbesat: Ha se vjen gogoli! Eja brenda se doli gogoli! Fli, se erdhi gogoli! … Në socializëm këtë figurë e kishte zëvendësuar polici për fëmijët dhe GAZI 51 i degës së punëve të brendëshme për të rriturit. Por nuk mund të jetonim pa traditën dhe për këtë meritë ka kryeministri e Rilindja, që e gjetën gogolin , sidomos për opozitën, i cili quhet SPAK. Sipas tyre SPAK,  Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është krijuar posaçrisht për të burgosur opozitarët, që nuk i pëlqejnë mazhorancës.  Kjo do të thotë, as më shumë as më pak, se janë në linjë me etërit e tyre për sistemin njëpartiak, pa opozitë. Pra opozitarët janë armiqtë e brendshëm të sotëm, domethënë vazhdon me sukses lufta e klasave.

Gjithkush e ka vënë re, sa herë ka debate(se dialogu është i papranueshëm), në parlament apo në media,  përfaqësuesit mazhorancës u tundin para syve opozitarëve hanxharin e SPAK-ut, se ai do t’u bëjë gjëmën, do t’i fusë në burg. Pra, në këtë demokracinë tonë 30-vjeçare kusure ka vetëm opozita, ndërsa maxhoranca e sotme është e pastër kristal, si atë kohë me dhjetë cilësitë e komunistit.  Nuk besoj mos ta ketë vënë re çdo qytetar me sy e vesh se sot SPAK ka dendurinë më të madhe në ligjërimet e  politikanëve e pushtetarëve të mazhorancës. Doni një rast të freskët? Në emisionin Open të Eni Vasilit në Top cannel ditën e hënë,  kush e ka ndjekur ka vënë re se sa herë e përmendi deputeti i PS-së, Alket Hyseni, duke u thënë përfaqësuesve të opozitës aktuale se kërkojnë trazira, pasi kanë frikë prej SPAK, i cili do ta fusë në burg gjithë lidershipin e opozitës aktuale. Zoti Hyseni është edhe me profesion jurist?! Dhe ai dihet se gëzon një emër shumë “të mirë” në opinionin publik për bëmat e tij. Kjo dyndje e termave kërcënuese e mazhorancës të kujton atë frikacakun, që e ka zënë tartakuti nga kundërshtari dhe rreket ta tremb, duke i thënë: mos m’u afro se të lëshova qenin.

Aq e trashë është kjo kanosje e Rilindjes ndaj opozitës me anë të SPAK sa njerëzve të thjeshtë, me pak kulturë politike e juridike, u lë të kuptojnë  se SPAK-un e ka krijuar mazhoranca, SHBA dhe BE  për të burgosur e asgjesuar opozitën aktuale. Mirëpo ka edhe nga ata, pak më të kthjellët e më dyshues, që me të drejtë kanë përshtypjen se zgjedhja e anëtarëve të SPAK është e manipuluar nga qeveria e kryeministri. Ndërsa për qytetarët mëndjeçelur kjo marrëzi dëshmon panikun e vetë mazhorancës nga drejtësia e ardhëshme po aq edhe paaftësinë e përfaqësuesve të saj për të sjellë në debate argumente bindëse përballë njerëzve të qartë në ato që dinë e që thonë.

Por kjo puna e SPAK, ka arritur shumë larg dhe është bërë pjesë edhe e ligjërimeve të njerëzve të zakonshëm në jetën e përditshme. Disa e konsiderojnë atë si shkopin magjik të zanës që do t’u zgjidhë atyre edhe ato pakënaqësitë e vogla me njëri-tjetrin. Ishte shumë komik rasti i një qytetari në një market, kur, i pakënaqur nga çmimet e perimeve, i tha shitëses: Bëni ju, bëni sa të vij SPAK-u, pastaj do ta shikoni se ç’do t’ju gjejë! Po aq e dëgjon rëndom në  biseda e debate militantësh…

Dihet se SPAK do të ketë detyrën të luftojë kriminalitetin e nivelit të lartë për të dy krahët e politikës, mazhorancën e opozitën, administratën, drejtësinë, policinë dhe këdo që ka abuzuar me ligjin e të drejtën. Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian kanë ofruar sakaq ndihmë në trajnimin dhe përgatitjen e funksionarëve të kësaj strukture, por as SHBA dhe as BE nuk kanë thënë as se SPAK është strukturë e qeverisë apo e kryeministrit dhe as se do hetojë e do të fus në burg vetëm opozitën. Duke shfrytëzuar përpjekjet këmbëngulëse të opozitës për të patur vendime të drejta dhe konkurencë të ndershme në vetingun e drejtësisë, mazhoranca e shfrytëzoi rastin për t’u mbushur mëndjen elektoratit të majtë dhe pjesës më vulnerabële të popullsisë se opozita kishte frikë nga SPAK, i cili do të hetonte vetëm e PD dhe LSI, kur ajo i doli nga vatha. Pra, mazhoranca ka bërë ç’është e mundur që ta kompromentonte që në proces krijimin dhe funksionimin e SPAK. Por një gjë duhet ta kenë të qartë kryeministri dhe mbështetësit e tij se çdo anëtar i kësaj strukture të lartë të drejtësisë, edhe në se është i kapur nga kryeministri apo dikush tjetër pa meritë, do të ketë frikë të abuzojë se do të ruajnë lëkurën e vet, të cilë zor se e kanë aq të pastër. Aq më tepër që nuk ka mazhorancë të perjetshme në demokraci. Dhe atëherë do të thonë: kalova lumin të bëfsha kalin.

Por nuk do shumë mend për të kuptuar sot kanosjen e mazhorancës me anë të SPAK-ut e ndërkomëtarëve, pasi ajo e ka shumë të qartë se politikanët e opozitës nuk kanë  frikë nga SPAK. Frikën e kanë ata që opozita i ka zënë sa herë me presh në duar për afera korruptive, kanabizimin e vendit,  lidhjen me strukturat e krimit të organizuar etj. Këto mendime, ide apo lojra fjalësh janë thjesht demagogji e propagandë mashtruese e dhunuese ndaj qytetarëve të zakonshëm, për t’u distancuar nga aksioni opozitar për zgjedhje lokale e parlamentare te drejta e të pamanipulueshme, që të humbin besimin tek opozita dhe të krijojnë ndjesinë se mazhoranca e sotme do të jetë fituese. Në të vërtetë mazhoranca përpiqet ta zhvendosë frikën reale të vetes tek opozita.

Hamit TAKA, Tiranë

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.