Fjalimi i Ramës/ Nga Agron Gjekmarkaj: Burri i gjatë 198 cm, ky Papë i Rilindjes edhe sheshin “Nënë Tereza”…

0
166

Nga Agron Gjekmarkaj

A e dëgjuat të shtunën burrin e gjatë 198 cm tek i punonte rrengjet e njëpasnjëshme gjuhës shqipe?

Pikërisht atij, estetit, stilistit, namuzqarit, delikatit, fjalëqeruarit, lozonjarit, rrobaqepsit, ashikut i kishte fluturuar petulla lart përmbi re!

Vraponte për ta kapur dhe ajo rriste shpejtesinë e bekuar dhe ai dihatej në të rendur për ta kafshuar me gojën zharitur e buzën që nuk dinte të puthitej. Mendimet i zienin si belcitë në kazan dhe goja si çep i rridhte raki thane me të cilen dehte veten dhe të lidhurit për bukë të gojës në piskun e diellit. U zderhall në epitete! Gjuha nuk i bindej të gjithë trurit po vetëm gjysmës së tij dhe për hesap të vet kumbonte e gjëmonte, hidhej e pështillej, lëshonte namë e bekime, lëvdata e përcëllime!

Ne mullirin e fjalorit të vet i bloi të gjithë si askush më parë, gazetarë e analistë, derra e kadrinj, zullape e faqezinj, mekatarë e cmirëzinj sepse ata merren me atë Babale havale, me filozofin Niçe dhe xhuxhin tartabiqe, me atë kokaine që sherben si aspirinë, me unazen e re në gishtin e vjeter ku 20 milion euro blihet një pjeper! Ndaj i shau, copë copë I ndau, i bojatisi e nomatisi atje nga shkallare në ferr i gremisi!

Ky Papë i Rilindjes edhe sheshin “Nënë Tereza” e kishte ndarë në kuadrate si atë të “Shën Pjetrit” ku mbahet mesha e çdo jave dhe me idetë si frymë e shënjtë u tregonte te gjithve ku është parajasa me dliresinë e saj te begatë, purgatori me melankonite e veta, ferri me honet e tij te mnershme e të tmerrshme ku do te digjen ata pa hallate e te gjitha hallatet qe i bëjnë atij muhabenë ! Gryka si gjyryk të çfryn , prej vullkanit flag e tym, se ç’vengon e se ç’gulçon, zemra brinjët t’i çkallmon me tokmak !Merrte fryme thellë e shkulme zjarri gjuante larg mbi te keqinjtë, mbi kadrinjtë, mbi ata që e kanë trazuar e tanuar, mbi ata që i kanë prishur gjimnastiken, dridhur karriken, nxirë humorin dhe portretin që e bënë të marrë udhet e të perjetojë gazepin !

Fitore dhe Armiq, suksese e baltë, petulla e mjaltë, uf e buf, bubullima e vetetima, pordhë e shkrepetima kishtë në cdo centimeter të fjalimit 198 minutesh të shenjuara të gjitha në resmen çek fek që i bëri vetes dhe të tjerve pasi nxorri nga zgafella uraganin që nuk ja nderpreu askush ! Pastaj i priu perikopese së ungjillit të shënjtë për në Pallatin e Kongreseve ku ju shfaq bote e tij e embel e plot madheshti vete kopshti i Edenit!

Te gjitha drenushat pipëtinin me admirim, lepureshet zukasnin me qashtersi dhe refreni ishte vetem një, lum Shqiperi qe e ke, se ay te larton, se ay nga armqitë të mbron se ay opoziten çkallmon, teatrin rrenon, muzeun shigjeton. Vetë Serveti jakë jakë foli për vatan të begatë! Në fund dikush çoi një dolli pa servili per ket fat që ka kjo e uruar Shqiperi! Qente le të lehin, derrat të hungrojnë karvani ecen perpara! Të paçim mesi, ti je udha dhe e vërteta! Na mbaj me hater, nga një fjalim kesisoj cdo javë mbana se ndihemi popull civil, shoqëri demokratike, vend europian, demokraci e forte e plot nga këto bereqete! Kështu do të jete festë, gezim për këtë dynja derisa te gjesh petullën në hava evlat te kemi rixha!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here