Kongresi i PS-së dhe kriza në mes!

0
114

 

Nga Gëzim Saliu

Ditën e sotme Partia Socialiste do të mbajë punimet e Kongresit, i cili sic është mësuar në media do jetë i ndarë në tri sesione të ndryshme. Platforma e “Bashkëqeverisjes”, “Bashkia që Duam” dhe  “Pakti për Universitetin” do jenë 3 shtyllat e Kongresit të PS-së, në të cilën pas 14 vitesh mungesë pritet të marrë pjesë si i ftuar edhe ish-lideri socialist Fatos Nano. Pas një rivaliteti agresiv të gjatë në kohë mes tyre, të ndërthurur me sulme, akuza e intriga,  duket se kryesocialisti dhe parardhësi i tij kanë rigjetur njëri-tjetrin.  Janë të shumta arsyetimet që qarkullojnë në korridoret e politikës dhe medias mbi këtë riafrim mes Nanos e Ramës, ku nuk mungojnë aludimet se ky “lobim” i liderit historik të PS për pasardhësin e tij po vjen në kurriz të një fature, e cila sado e kripur të jetë, padyshim nuk bie mbi kurrizin e kryeministrit por të taksapaguesve shqiptarë. Përtej opinioneve, ajo që vlen të theksohet në këtë çështje dhe që padyshim përbën një fakt të pakonstueshëm është se më shumë se Nanos ( një “walking dead” tashmë në politikë), ky rikthim aktiv i ish-kryeministrit socialist i shërben Ramës. I mbërthyer ngado nga protestat, aq sa detyrohet të ndryshojë edhe destinacionet e vizitave në qytete të ndryshme të vendit; në betejë të hapur me opozitën që me veprimin e djegies së mandateve e kapi të papërgatitur dhe pa një plan kundërveprimi; dyermbyllur në Evropë ku prej kohësh i mungojnë takimet me lidera me peshë siç mungojnë në fakt edhe vizitat e tyre në Shqipëri, Edi Rama kishte më shumë se kurrë  nevojë për një emër “big” të së shkuarës socialiste që t’i dilte në krah në këto kohë të vështira. Kryeministri e do praninë e Nanos në Kongres për të treguar unitetin e socialistëve, të cilët për hir të së vërtetës janë të ndarë në dy grupe të mëdha, ku antiramistët e heshtur po shtohen nga dita në ditë me në krye dyshen Pandeli Majkon e Ditmir Bushati. Por më tepër se kaq, ai e do ish-kreun e PS-së në Kongres për t’i paraqitur qytetarëve të vendit të tij një “Shqipëri që ekziston në letra”, që me siguri Fatos Nano do dijë t’a përcjellë më së miri këtë fasadë përmes fjalive karakteristike të tij që nuk kanë fund.

******

Në Kongresin e socialistëve, fokusi i diskutimeve do të jenë zgjedhjet lokale, teksa pritet të shpallet lista e këshilltarëve bashkiakë vetëm për Tiranën, si edhe emri i Erion Veliajt si rikonfirmim i PS-së si kandidat për kryebashkiak për kryeyqtetin. Ky Kongres elektoral i fokusuar te zgjedhjet lokale të 30 qershorit, padyshim nuk do kalojë pa një fjalim të gjatë të kryeministrit, njëherësh kreut socialist Rama. Ky i fundit , përtej retorikës për “Shqipërinë e letrave”, pa më të voglin dyshim do flasë nesër për “marrëzinë e opozitës me mandatet”, “imazhin e keq që po i jepet të huajve me protestat”, “influencën ruse në Shqipëri” si edhe për “punën e pandalshme” të qeverisë për hapjen e negociatave por që me shumë mundësi nuk do bëhen të mundura të happen edhe këtë vit për shkak se opozita bojkotoi Parlamentin dhe po proteston! Padyshim fjalimet dhe retorika janë një pikë e fortë e Kryeministrit, por në këto ditë e javë halli edhe ato po çalojnë fort, aq shumë sa edhe batuta pikante e tij nuk po bën më as socialistët të vënë buzën në gaz ( padyshim përjashtohet buzëqeshja e sforcuar për shkak të detyrës). Aq i rënduar duket Kryeministri në argumenta sa për të përgënjeshtruar lajmet për shëndetin e tij, ku sipas disa mediave ishte i shtuar në një spital të Berlinit, tha sot përmes një video mesazhin në FB se kishte zhvilluar  takime informale në Paris e Gjermani, pa dhënë asnjë emër të bashkëbiseduesve, duke pohuar se nuk i bënte publike për shkak të etikës së një vizite jo formale. Shumë pak e besueshme, kur mendon se po flasim për Edi Ramën, njeriun që propagandën e ka armën kryssore në betejën politike e për më tepër të mendohs që në këto kohë trazirash, ku do i nevojiteshin më shumë se kurrë emra mbështetës nga jashtë ndaj tij, kryeministri nuk bën publike emrat  e bashkëbiseduesve të cilat sipas tij ishin :  “ ish presidentë, ish kryeministra, zyrtarë të lartë dhe opinionistë në zë në Paris dhe përfaqësues të nderuar të Partisë kryesore të koalicionit qeverisës në Bundestag”.

Më i sforucar akoma deri në qesharak duket argumenti i Kryeministrit për vizitën e supozuar në Paris, ku sipas tij i kishte shpjeguar me sa mundej “arsyet e pamjeve të shëmtuara që eksportojnë nëpër botë pseudoprotestat”. Dhe kujt po ja bënte këtë ankesë z.Rama për imazhin e keq, Parisit?! Atij që digjet e përvlohet thuajse përditë nga protestat, vajmedet sa keq duhej të jetë imazhi i parizienëve në botë këto kohë, i duhet qarë halli për turizmin!

*******

Për shfaqjen e sotme në Kongresin e socialistëve po merren të gjitha masat që të zhvillohet në formën e një antimitingu qeveritar me synim kundërpërgjigjen ndaj protestave të pandalshme të opozitës dhe qytetarëve në shesh. Padyshim aparati shtetëror do të ketë sot “detyrim paraqitje” për të përcjellë në publik, imazhin e një pjesëmarrjeje madhështore në sheshin “Nënë Tereza” si një mesazh për opozitën. Por sa vlen kjo fasadë e rradhës?

Në fakt s’vlen aspak, as në planin elektoral e as në planin makro që lidhet me krizën e thellë politike që pllakosur vendin prej javësh. Ky antimiting thjesht gëzon militantët e thekur e ndërsa ata që synon vërtet politika të arrijë, elektoratin gri, shfaqja propaganduese ka kohë që nuk e prek, mjafton të shohësh nivelin e ulët të pjesëmarrësve në zgjedhje.  Përgjigja për krizën me antimiting thjesht sa e thellon edhe më shumë atë, duke larguar në ekstrem mundësitë që palët të gjejnë një zgjidhje e që zgjedhjet e ardhshme vendore mos kthehen në një konfrontim fizik! Në kushtet kur opozita së bashku me dhjetëra mijëra qytetarë të konfirmuar në 6 protesta rrazhazi, nuk pranon asnjë hap pas nga kushtet e saj për zgjedhje pa Ramën kryeministër dhe një qeveri tranzitore për të përgatitur elektoralet e reja të përgjithshme,  mazhoranca duhet të tregohet shumë herë më fleksible ndaj situatës. Padyshim i takon PS si forcë qeverisëse që të gjejë hapësirat boshe për alternativat e dialogut me palën tjetër, por në asnjë rast zgjidhja nuk mund të vijë  përmes antimitingjeve dhe tregimit të forcës së numrave me “pagatorë shteti”. Faktet me zë të rasteve të blerjes së votave dhe bashkëpunimit të elementëve kriminalë me partinë ne pushtet janë një ndër arsyet kryesore të opozitës për të mos besuar më në zgjedhje të lira e të ndershme në 30 Qershor. Sipas opozitës dosjet “339” dhe “184” janë një “minë me sahat” për mazhorancën dhe legjitimitetin e saj e ndërsa ato pak përgjime që janë bërë publike deri më tani janë një indicie e fortë për vërtetësinë e akuzave të PD-së e LSI-së.

******

Por kriza në vend është shumë më e thellë se sa politike. Rrënjët e kësaj krize vijnë që nga post 21 korriku i 2016-ës, kur u votua drafti me ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Përmes arrogancës së pushtetit dhe synimit të kapjes së sistemit të drejtësisë, mazhoranca pasi mori votat unanime pë ndryshimet kushtetuese, hoqi dorë nga pakti që supozohej të mbikëqyrej edhe nga ambasadorët, dhe mënjanoi çdo dialog e bashkëpunim me opozitën për ligjet bashkëshoqëruese të reformës si edhe për institucionet e reja të drejtësisë. Dhe në vijëmisë historia e reformës në drjetësi dihet, ku kemi shkruar jo pak here në këto 3 vite për rastet flagrante të shkeljes së ligjit me institucionet e reja, emërimet në to apo edhe me vetë procesin e vettingut. Por efekti më negativ i kësja reforme ka qenë paraliza e sistemit gjyqësor. Prej një viti Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetueses dhe Gjykata e Lartë ndodhet në ngërç të plotë. Në këto kushte, Shqipëria ndodhet në një amulli të plotë, dhe padyshim kjo situatë i ka shërbyer mazhorancës qeverisëse, e cila në mungesë të kontrollit suprem nga Kushtetuesja, po bën ç’të dojë me rregullat e demokracisë dhe pasuritë e vendit. Rastet e dhjetëra vendimeve e ligjeve me shkelje të pastra kushtetuese, të kthyera edhe nga Presidenti, por të rivotuara nga mazhoranca me forcën e kartonit, janë prova ulëritëse të mungesës së shtetit ligjor.  Dhe pikërisht nga këtu duhet të vijë alarmi për krizën e thellë që ka prekur vendin e që shumë shpejt mund të kthehet në një “humnerë” që do sjellë pasoja katastrofike për të ardhmen e vendit dhe aspiratën evropiane të tij.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here