Qeveria braktis fermerët, ulen në mënyrë drastike subvencionet…

0
101

Qeveria ka ulur në mënyrë drastike subvencionet për fermerët në buxhetin e vitit 2019.

Përmes një vendimi të marrë një ditë më parë, Këshilli i Ministrave ka ulur fondin e subvencioneve për 2019-ën në vetëm 495 milionë lekë ose 4.5 milionë dollarë, kur vitin e kaluar shifra ishte 20 milionë dollarë.

‘Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, zëri ‘Transfertë në buxhetet familjare’ përcaktohet në masën 495 milionë lekë,’ thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Image

Por edhe fondi prej 495 milionë lekësh nuk do të shkojë i plotë për të subvencionuar fermerët, pasi një pjesë e tij do të përdoret për të paguar detyrimet e prapambetura nga viti i kaluar.

‘Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2019, të përdoret shuma prej 83 milionë lekë, për pagesën e vlerës së palikuiduar për subjektet e shpallur fituese nga AZHBR-ja, në zbatim të vendimit nr.72, datë 7.2.2018, të Këshillit të Ministrave,’ thuhet në vendim.

Kjo do të thotë se fondi total i subvencioneve për këtë vit pritet të jetë vetëm 3.5 milionë dollarë, një shifër e papërfillshme. Për shkak të rrudhjes së ndjeshme të fondeve, qeveria ka përjashtuar nga mbështetja financiare pjesën dërrmuese të aktiviteteve bujqësore, përfshirë prodhimin e serave dhe kulturat dru-frutore.

Këto kanë qenë zërat kryesore të eksporteve shqiptare, të cilat tashmë nuk do të mbështeten më financiarisht me subvencioneve. Sipas ekspertëve shkurtimi dramatik i fondit të mbështetjes për fermerët do të ulë prodhimin vendas dhe eksportet bujqësore, të cilat vitet e fundit janë rritur në mënyrë të vazhdueshme.

Ulja me 5 herë subvencioneve është goditja e dytë që qeveria i jep fermerëve për këtë vit. Në paketën e re fiskale ajo uli edhe masën e rimbursimit të TVSH-së për prodhimet bujqësore nga 20 për qind në 6 për qind, çka ka sjellë protestat e fermerëve në shumë qytete të vendit.

Një ditë më parë ishin fermerët e Lushnjes, të cilët kanë hedhur prodhimet në rrugë, të cilat sipas tyre kanë mbetur të pashitura nga ulja e rimbursimit të TVSH-së, ndërkohë që këtë të enjte të fermerët protestuan edhe në Berat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here