‘Rama nuk ka vrimë miu se ku të fshihet!’ Vasili: Asnjë s’ka lindur dhe s’do të jetë i përjetshëm në politikë!

0
165

Si një udhëheqës i poshtër do të hedhë Shqipërinë në greminë edhe një sekondë përpara të ikë nga makina që po bie në greminë e të fshihet në ndonjë vend jashtë Europës,  shprehet kreu i grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili në në takimin me strukturat drejtuese të LSI-së në Tiranë.

Fjala e Petrit Vasilit

Të nderuar njerëz që e doni veten dhe lirinë tuaj, kjo është mbi të gjitha dhe këtu fillon dhe mbaron gjithçka.

Në 16 mars për ju të gjithë dhe për ata që na ndjekin jashtë kësaj salle do të zgjidhim 2 gjëra të mëdha shumë të rëndësishme, janë vetëm 2 është largimi i një grupi kriminelësh dhe një kryekrimineli në krye, dhe po atë ditë i japim rrugë një alternative të re. I japim një alternative të re sepse dimë shumë mirë dhe e kemi shumë të qartë, e kemi të kristalizuar, kemi një plan se si do të jetë ekonomia ndryshe, si do të jetë arsimi ndryshe, si do të jetë shëndetësia ndryshe, si do të jetë mundësia që biznesi të jetë ndryshe, se si do të jetë drejtësia ndryshe. Pra në të njëjtën ditë ndërtojmë atë që na mungon, atë që na ka munguar. Pra kemi alternativën më të fortë dhe mbi të gjitha më të pastër nga çdo gjë tjetër.

Ka shumë rëndësi t’ua shpjegojmë të gjithëve që jo vetëm thjesht po rrëzojmë, por po rrëzojmë dhe ndërtojmë. Rrëzojmë një të keqe të madhe dhe ndërtojmë një të mirë të madhe. Ka shumë rëndësi për të thënë këtë gjë sepse në shkojmë në 16 mars për të bërë copa-copa tepsinë e këtij, për t’ia thyer timonin mu në kokë, ai timon që e çoi Shqipërinë në greminë, me atë makinë që mori, me atë timon e çoi drejt e në greminë. Por si një udhëheqës i poshtër do të hedhë Shqipërinë në greminë edhe një sekondë përpara të ikë nga makina që po bie në greminë e të fshihet në ndonjë vend jashtë Europës.

Nuk ka vrimë miu se ku të fshihet, jemi atje njëkohësisht edhe për ta mbajtur këtu që të japë hesap një për një për të gjitha gjërat sepse hesap pa larë kur i bën një të keqe këtij populli nuk ka. Shkojmë dhe me vetëdijen dhe për të kërkuar llogari deri në një LSI ndryshe nga partitë e tjera, ka lindur për të qëndruar, ka lindur kundër arrogancave, ka lindur për të mos u pajtuar me këdo që bën sikur është ai pashai i Shqipërisë. Pashai i Shqipërisë janë shqiptarët për LSI-në. Kush do të jetë pasha e ka fundin e garantuar. Qoftë pasha që ka brekushe si puna e tij, e dini që ashtu është. Qoftë pasha që futët vrimave kur del populli, se është trim i madh ky del e futet vrimave. Qoftë pasha nga ata që trimërohen me 5 kriminelë ordinerë që janë 1 grusht atje që s’janë asgjë përpara një populli kaq të madh. Dhe qoftë pasha nga ai që fshihet mbas atyre që bëjnë trafik mbas gjetheve të kanabisit.

Shqipërisë i duhen nga ata që e drejtojnë pa frikë, që e shikojnë popullin në sy dhe që i thonë popullit çfarë kemi gati për të ndryshuar, për të ndryshuar jetën tënde. Prandaj jemi në 16 mars, jo vetëm për të hequr këtë sharlatanin, këtë karagjozin, se është një karagjoz që flet fëlliqësira nga goja. Prandaj jemi me 16 mars.  Jo vetëm për të hedhur këtë sharlatanin, karagjozin, sepse ky është një karagjoz që flet fëlliqësira, është turpi më i madh që Shqipëria ka pasur. Do ta kujtojmë gjithë jetën që disa ditë kemi pasur një të paturp atje. Do të çlirohemi nga ky turp, sepse nuk e meritojnë shqiptarët një turp të tillë. Por njëkohësisht kemi shumë të qartë që do të themi se çdo gjë e poshtë që ndodhi në kohën e tij, në qeverisje, në presionin ndaj njerëzve, në hakmarrjen ndaj njerëzve, të marri fund njëherë e përgjithmonë.

Ky shqetësim na lë pa gjumë, sepse shqetësimi ka vajtur deri në Amerikë. Dje DASH-i, pjesa më e rëndësishme e Amerikës zyrtare, thotë që votat u shitën dhe u blenë dhe njerëzit u kërcënuan. Po kush qenka ky zorzop që kërcënon qytetarët? Ja pra që të votonin të lirë. Dhe do t’ua rrëmbejë ky karagjoz lirinë qytetarëve? Ky bukë s’u jep, po edhe i kërcënon. Edhe i vjedh, edhe i kërcënon. Edhe i lë pa punë, edhe ata 5 njerëz që janë në punë i kërcënon.

Ky zuzar dhe një grup zuzarësh që shkojnë dhe i bëjnë inventarin njerëzve në shtëpi. Këto janë turpe që Shqipëria s’i ka njohur dhe duhet të ndahet njëherë e përgjithmonë me to. Secili ka të drejtën e tij të votojë dhe në qoftë se Monika Kryemadhi i bind të gjithë, le ta votojnë të gjithë. Në qoftë se nuk i bind, le ti thonë me gojën plot që ti për këto gjëra nuk na bind, por jo ti thonë që ne do ta japim ty se na kërcënon. Asnjë votë e kërcënuar nuk është votë, por është votë e poshtër, votë e pisët, votë që shkatërron Shqipërinë. Ne duam vetëm votën e vërtetë dhe për këtë votë edhe helmin që hedh ky frikacaku, e keni parë. E hodhi 4-5 herë, aty na ka pasur, aty do të na ketë dhe aty na ka.

Le ta bëjë Irak dhe Siri këtu, hesapit me njerëzit nuk i shpëton dot, në asnjë lloj mënyre. Sot secili nga ne ka një detyrë,. Unë kam një moshë të caktuar dhe kam një detyrë për fëmijët dhe për nipat e mbesat. Ai që është në një moshë më të vogël ka vetëm për fëmijët. Ai që është më i ri e ka për veten. Ai që është më i vogël ka hall për atë që do të vijë mbrapa, që është fëmijë, sepse ua kam thënë që ky është një nga ata turpe të Shqipërisë që ka bërë të emigrojnë si në asnjë vend tjetër, fëmijët 7-14 vjeç. Kur fëmijët pa prindër enden rrugëve të Europës, janë peng i kriminalitetit më të poshtër, viktimat më të njoma të shoqërisë dhe këtë turp të madh e shkaktoi ky njeri.

Unë jam këtu dhe do të jem këtu në këtë luftë kundra këtij njeri, vetëm e vetëm që kurrë fëmijët e Shqipërisë të mos emigrojnë në Europë dhe nuk i ndahem për këtë çështje. Ditën që Shqipëria është e lirë nga këto çështje dhe voton e qetë dhe zgjedh ata që do, ata që e bindën atë, unë si qytetar jam shumë i qetë. Asnjë s’ka lindur dhe s’do të jetë i përjetshëm në politikë. Unë nuk jam këtu në emër të përjetësisë në politikë, as Monika Kryemadhi. Jemi të gjithë këtu për t’ju dedikuar këtij momenti, për të çliruar Shqipërinë nga ky tmerr që i ka zënë këmbët. Më tutje vetë shqiptarët të vendosin se kush do ti drejtojë. Ju lumtë të gjithëve ju dhe iu pres më 16 mars.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here