Daçiç kërcënon, përgjigjet Ministria e Mbrojtjes së Kosovës

0
85

Ramadani nuk ka dhënë një përgjigje definitive, megjithatë ka thënë se do të bashkëpunojnë me KFOR-in në çfarëdo rrethane që mund të krijohet.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, i ka quajtur si luftë speciale, deklarimet që po vijnë nga Serbia për ndërhyrje ushtarake në veri të Kosovës. I pyetur nga Express nëse do të dërgojnë pjesëtarë të ushtrisë së Kosovës në veri së bashku me forcat e KFOR-it, Ramadani nuk ka dhënë një përgjigje definitive, megjithatë ka thënë se do të bashkëpunojnë me KFOR-in në çfarëdo rrethane që mund të krijohet.

Luftë Speciale. Kështu po i cilëson Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, se Serbia do të ndërhyjë ushtarakisht në veri të Mitrovicës, në rast të ndonjë përpjekje për të Kosovës për ndonjë ‘sulm’ kundër serbëve  dhe ndonjë tentimi për të ‘zaptuar’ Trepçën.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, thotë se këto deklarime të Beogradit janë një fushatë agresive të stilit të viteve të 90-ta.

“Kjo është luftë speciale dezinformuese e Serbisë dhe është shumë agresive. Pretendimet se gjoja Kosova do të sulmojë qytetarët e vet janë absurditet dhe broçkulla të stilit të viteve të 1990-ta”, ka thënë Ramadani.

Ai thotë se janë të njëjtit udhëheqës në Serbi, të cilët kanë qenë në pushtet edhe gjatë viteve të 90-ta, vetëm se tash me role të ndryshme.

“Por, tek e fundit, të njëjtit zyrtarë që kanë udhëhequr Serbinë gjatë viteve të 1990-ta të njëjtit janë edhe tash. Vetëm pozitat i kanë ndërruar. Atëherë, si bashkëpunëtorë të afërt të Millosheviqit, Aleksandar Vuciq ka qenë Ministër e tash President, ndërsa Ivica Daciq ka qenë zëdhënës e tash Ministër. I kanë bërë katër luftëra në 10 vjet, gjenocid, spastrim etnik, shkatërrime masive, dhunime e masakra të panumërta në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, dhe Luginë të Preshevës”, shton zëvendësministri i Mbrojtjes.

Sipas tij Serbia ngjashëm po bën luftë speciale për të fajësuar shqiptarët për ndonjë sulm të mundshëm, njëjtë siç ka bërë me rastin e njohur si ‘Panda’.

“Kjo luftë speciale është e ngjashme me atë të viteve të 1990-ta, kur Serbia pati organizuar sulmin e njohur si “Panda” ndaj serbëve të Kosovës, vetëm e vetëm që të fajësojë shqiptarët e Kosovës”, shton ai.

Ramadani i cili është edhe ekspert i çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë, thotë se “nuk duhet rënë pre e deklarimeve të tilla të Beogradit, dhe se Kosova është e angazhuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët e saj”.

I pyetur se a janë në kontakte me NATO-n dhe KFOR-n pas deklarimeve të tilla nga Serbia, Ramadani thotë se vazhdojnë të bashkëpunojnë në mënyrë të shkëlqyer me ta.

“Bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in është i shkëlqyeshëm! Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin që kemi tash e 20 vjet me misionin e KFOR-it në Kosovë”, thotë ai.

Ai thotë se Kosova është duke punuar shumë drejt integrimit në NATO-, dhe është  e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime.

“Bashkëjetesa midis etnive të ndryshme është traditë e popullit tonë”, shton ai.

Sipas tij i vetmi kundërshtar për anëtarësimin e Kosovës në NATO, është Serbia, dhe sipas tij ky është një sinjal shumë i qartë se Serbia bën politikë destruktive.

Express është interesuar nëse kjo ministri do të dërgojë edhe forca të Ushtrisë së Kosovës për të patrulluar në veri së bashku me KFOR-in, me qëllim të ofrimit të sigurisë, megjithatë Ramadani nuk ka treguar nëse do të ndodh një gjë e tillë.

Ai vetëm ka thënë se për deklarimet e tilla duhet një reagim shumë i fuqishëm i Bashkësisë Ndërkombëtare.

“Këto që shohim gjatë këtyre muajve, sidomos presionet jonjerëzore të Serbisë ndaj serbëve kosovarë, janë operacione psikologjike armiqësore. Dhe, sigurisht, ndaj këtyre operacioneve psikologjike duhet reagim më i fuqishëm ndërkombëtar dhe reagimi duhet t’i bëhet direkt Beogradit”, ka shtuar ai.

I pyetur rreth situatës së sigurisë, Ramadani thotë se është stabile, dhe se Kosova është duke bashkëpunuar vazhdimisht me KFOR-in,  dhe do të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen në çfarëdo rrethane.

“Siguria e qytetarëve të Kosovës është përgjegjësi e përbashkët e Kosovës dhe aleatëve”, thekson zëvendësministri Ramadani.

Ramadani shton se këto deklarime të Serbisë janë serioze, dhe si të tilla duhet të trajtohen edhe nga BE-ja dhe NATO.

Sipas tij, në vend të kësaj lufte speciale që po e bën Serbia, Vuçiqi duhet të kërkojë falje publike të paktën për rastin ‘Panda’, ku sipas tij shërbimet sekrete të Serbisë vranë disa të rinj serb të Kosovës.

“Së secilën situatë, duhet të jetë e qartë se kjo nuk është lojë fëmijësh. Këto lajme të rrejshme janë propagandë agresive të cilës duhet t’i përgjigjet BE-ja dhe NATO-ja me saktësinë më të madhe. Si është e mundur që aparati shtetëror i Serbisë vazhdon me presione jonjerëzore ndaj serbëve të Kosovës dhe kjo nuk dënohet ashpër nga BE-ja, përfundon ai.

Deklarata të ngjashme me të Daçiqit ka bërë sot edhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, duke thënë se policia dhe ushtria serbe janë në gjendje gatishmërie në rast se Kosova tenton të rrezikojë serbët në veri.

E për këto deklarime të zyrtarëve serb, zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grassov, ka thënë se nuk ka asnjë shenjë se mund të ketë tensionim të situatës në veri. Ai ka thënë se KFOR-i është në kontakt me institucionet e sigurisë edhe në Kosovë po ashtu në Serbi, duke bërë thirrje për ndalje të deklarimeve të tilla të cilat qojnë në tensionim të situatës.  /GazetaExpress/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here