Ish deputeti demokrat me ironi thotë se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që i ka provuar të gjitha maskarallëqet…

0
95

Ish deputeti demokrat ka bërë një analizë të situatës në të cilën gjendet sot politika dhe parlamenti shqiptar. Ai duke krahasuar sjelljen e poshtetit që nga Koha e Musolinit në Itali bën përngjasimin me pushtetin aktual në vendin tonë pa harruar edhe tranzicionin “nga pikpamja juridike”.

Me një ironi të hollë Strazimir thotë, se

“Nga pikëpamja juridike”, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që i ka provuar të gjitha maskarallëqet “juridikisht korrekte” të shekullit të 20-të: edhe “A Noi”, edhe “Sieg Heil”, edhe “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”.

Ja postimi i plotë i Strazimirit:

“Nga pikëpamja juridike”, zgjedhjet e vitit 1925 në Itali i fitoi Musolini dhe fashistët dhe, po ashtu, “nga pikëpamja juridike” deputeti antifashist Giaccomo Matteoti që i denoncoi si “të vjedhura”, humbi jetën aksidentalisht, ndërsa fashistët e rrihnin me leva hekuri…

Pas kësaj, parlamenti legjitim fashist, “nga pikëpamja juridike”, votoi për të nxjerrë jashtë ligjit të gjitha forcat e tjera politike. Parlamenti, “nga pikëpamja juridike” u mbush me deputetë që pranuan të veshin këmishën e zezë dhe formula e betimit “nga pikëpamja juridike” ndryshoi në: A Noi!

Në 7 prill 1939, “nga pikëpamja juridike” Shqipëria nuk u pushtua nga Musolini. Jo!

“Nga pikëpamja juridike” Shqipëria ndërroi vetëm kreun e shtetit nga Ahmet në Vittorio, realizoi “bashkim personal” me dinastinë Savoja duke ruajtur pavarësinë, përmes një votimi në parlamentin shqiptar, ku ata që refuzuan të paraqiten u zevendesuan në mënyrë “juridikisht korrekte”, dhe më pas u internuan në Ventottenne!

“Nga pikëpamja juridike” u pranua ndërkombëtarisht, dhe çdo shtet me të cilin kishim lidhje diplomatike, njoftoi në mënyrë shumë të sjellshme ambasadorin shqipëtar të akredituar, se nuk e njihte më si përfaqësues të Shqipërisë.

Në vitin 1933, “nga pikëpamja juridike”, Hitleri ishte kancelari i zgjedhur nga një parlament legjitim gjerman, i cili, po ashtu, “nga pikëpamja juridike”, votoi për shpërndarjen e të gjitha forcave politike, sepse demokracia në Gjermani dëmtonte “stabilitetin”.

Parlamenti legjitim, “nga pikëpamja juridike”, u plotësua me deputetë që pranuan të veshin këmishën e murrme dhe formula e betimit, “nga pikëpamja juridike”, ndryshoi në: Sieg Heil!

“Nga pikëpamja juridike”, në tetor 1943 trupat e Hitlerit kishin nevojë për një rrugë kalimi që të ktheheshin në shtëpi…

“Nga pikëpamja juridike” e morën përmes një votimi në një asamble të mbledhur edhe për këtë qëllim, e ku votuan goxha burra, ata më në zë, më të përmendurit, por që nuk i kish zgjedhur kush sepse kishim që në 1939 “nga pikëpamja juridike” kishim të njëjtin sistem “zgjedhjesh” që Mussolini kishte imponuar “nga pikëpamja juridike” në Itali…

Në 1945 zgjedhjet në Shqipëri i fitoi Enver Hoxha, dhe, “nga pikëpamja juridike”, misioni vëzhgues i UNRA-s në raportin përkatës shkroi se: megjithë problemet që pati, zgjedhjet ishin të lira, populli me shumicë do Enver Hoxhën, askënd tjetër, kështu që parlamenti, “nga pikëpamja juridike”, është legjitim.

Parlamenti i Enver Hoxhës i dalë nga këto zgjedhje të çertifikuara ndërkombëtarisht, “nga pikëpamja juridike” arrestoi të gjithë deputetët e deklaruar në opozitë dhe i pushkatoi me një proces, “nga pikëpamja juridike”, të rregullt dhe formula e betimit ndryshoi në: Parti-Enver, jemi gati kurdoherë!

“Nga pikëpamja juridike”, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që i ka provuar të gjitha maskarallëqet “juridikisht korrekte” të shekullit të 20-të: edhe “A Noi”, edhe “Sieg Heil”, edhe “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”.

Shqipëria ka edhe një shprehje që e ilustron më së miri këtë eksperiencë intensive “nga pikëpamja juridike”: të gjithë derrat kanë një turi!

Shqipëria e ka provuar që zgjidhja t’i vijë nga lajmet e ” BBC”, “Zeri i Amerikës” , “Radio Vatikanit” , “Evropa e Lirë” , por zgjati 46 vite të përgjakshme edhe “nga pikëpamja juridike”, e në fund fitoi lirinë pasi u ngrit në këmbë vetë e mbushi sheshet.

Një gjë s’kuptohet gjithësesi: përse këto analiza dhe përkujdesje ” nga pikëpamja juridike” nuk i bëjnë në vendet nga vijnë?

Mbase sepse një “përkujdesje” e tillë, me të tilla argumente i çon urgjent në kokërr të burgut për “mohim e legjitimim të diktaturës nazi-fashiste”, dhe kjo krejtësisht nga pikëpamja strikt juridike në kuptimin penal të fjalës

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here