Luçiana Gjuraj, 17-vjeçarja nga Tirana që triumfoi në ringjet e Ballkanit dhe Europës…

0
346

Mix Martial Arts dhe shqiptarja që na krenoi tre herë radhazi

 

Luçiana Gjura, 17 vjeçarja nga Tirana, gjimnaziste në shkollën e Gjuhëve të Huaja, Asim Vokshi, prej më shumë se dy vitesh po ndjek pasionin e saj, tejet të veçantë, e sidomos për gjininë femërore. Ndeshje në kafaz, ose ndryshe “Mix Martial Arts”. Ky është një sport luftarak me kontakt të plotë që lejon goditjen dhe luftimin, si në këmbë dhe në tokë, duke përdorur teknika nga sportet e ndryshme luftarake dhe artet marciale. E shpallur tre herë kampione, por që të parin, 17 vjeçarja nuk e konsideron të tillë, pasi për shkak të tërheqjes së kundërshtares, kjo e fundit ka marrë medaljen. Ndërsa medalja e dytë ka qenë ajo e tetorit 2016, në Pallatin e Sporteve Asllan Rusi, ku në dyluftim me greken, arriti të zërë vendin e parë në Ballkan. Dy vite më pas, Luçiana fitoi medaljen e artë në MMA, në të gjithë Europën. Në një intervistë ekskluzive për Standard, 17-vjeçarja tha se shtysa kryesore për të është familja, ndërsa foli edhe për emocionet e mëdha që i krijon ringu. Shqiperia duhet ti suportoje me shume vajzat si Luciana sepse atyo na nderojne ne si vend dhe ne nxjerin kryelarte ne sport! Luciana ka zgjedhur te ndjeke pasionin e saj, te luftoje dhe te fitoje dhe per kete ne duhet ta mbeshtesim! Nje 17 vjecare qe krahas shkolles ka zgjedhur dhe MMa dhe shume shpejt do ta shohim ate me shpesh ne aren nderkombtare!

 

Intervistoi Aida Topalli

 

Kush është Luçiana?! Na trego pak për veten..

 

Jam një adoleshente në moshën 17 vjeçare. Studioj në shkollën e Gjuhëve të huaja, Asim Vokshi, në vitin e dytë. Që kur kam qenë e vogël më pëlqente të merresha me aktivitete sportive. Dhe që nga fëmijëria kam ushtruar shumë lloje sportesh, përveç MMA-së.

 

Cilat janë ato?

 

Kërcimi, noti, çiklizmi, karateja, dhe shumë të tjera.

 

A mund të më tregoni se cila ishte shtysa apo arsyeja që iu dërgoi deri në ushtrimin e këtij sporti, pra MMA-së?

 

Në MMA kam hyrë fillimisht jo për ushtrime të mëdhaja, thjesht më pëlqentë të ushtroja një sport, pak më të fortë dhe më shumë adrenalinë, ku të kisha mundësinë që të çliroja edhe ato energjitë negative. Por dita-ditës vura re që ky sport sa vinte e më hynte në zemër, dhe natyrisht me fitoren e parë, MMA u bë pjesë e rëndësishme e jetës sime.

 

Cila është fitorja juaj e parë në këtë sport?

 

Fitorja ime e parë ka qenë në Kampionatin Ballkanik të MMA-së, i cili u zhvillua në tetor të vitit 2016, tek Pallati i Sporteve, Asllan Rusi. Kjo quhet fitorja ime e parë, e mirëqenë, sepse çmimin tim të parë, në fakt, e kam marrë në Bullgari, kur isha 15 vjeç. Por nuk mund ta quaj si çmim për faktin se kundërshtarja u step, dhe unë atë medalje e mora pa u ndeshur. Ndërsa fitoren time të parë në të cilën u ndesha, ka qenë në tetor të 2018-ës. U ndesha me një greke, por që përfaqësonte Shqipërinë.

 

Cilat janë vështirësitë dhe të bukurat e këtij sporti, që në fakt është mjaft ekstrem?

 

Është e vërtetë që ashtu sikurse çdo sport tjetër, ka vështirësitë dhe bukuritë e saj. Tek vështirësitë mund të përmend dëmtimet që ndodhen gjatë zhvillimit të këtij sporti. Për shembull, një dëmtim hunde për mua si femër do të ishte shumë ndikuese, për shkak të paraqitjes.

 

A keni patur ju dëmtime serioze?

 

Faktikisht dëmtime siç mund të kenë sportistët në përgjithësi, siç janë nxirjet, nuk kam pasur. Dëmtimi im i vetëm ka qenë vetëm pak tek dhëmbi i parë, por që ishte faull jo dëmtim serioz.

 

Po të bukurat e këtij sporti?

 

Të bukurat e këtij sporti, sidomos për mua, janë të shumta. Është ndjesia e fitores, e paimagjinueshme, sepse kupton që gjithë ajo lodhje dhe gjithë puna e bërë nuk ka shkuar dëm, pra të shpërblehet në fund. Ndjesi e bukur është momenti kur je brenda në ring, dëgjon të tjerët që bëjnë tifo, duke thënë që ti e meriton. Janë emocione të veçanta që nuk përshkruhen dot me fjalë, por njëkohsisht na japin forcë dhe kurajo.

 

Po përsa i përket familjes suaj, a ka qenë ajo dakord lidhur me këtë zgjedhje tënden?

 

Një ndër shtysat m,ë të mëdha për ta ushtruar këtë sport ka qenë babi im. Mund të them që ndikuesi kryesor, edhe në fillimet  e mija ka qenë po babai iniciatori dhe mbështetësi i madh. Por duke parë më pas arritjet e mia, edhe mami u dakordësuar, duke u shndërruar kështu të dy prindërit në mbështetjen më të madhe që kam.

 

Luçiana sa vite eksperiencë ke në këtë sport tashmë? Në këto kohë eksperiencë, ka diçka që iu ka mërzitur ose entuziazmuar më shumë?

 

Kam dy vite e gjysmë gati. Rrugëtimi im nuk ka përfunduar akoma, kështu që besoj se kam arritur çdo gjë që kam dashur në një kohë shumë të shkurtër. Nuk mendoj që duhet të kem ndonjë peng. Ndërsa momentet entuziazmuese kanë qenë momentet e fitores, që do të ngelen gjithmonë në memorien tuaj.

 

Meqenëse u bënë tashmë dy vite e gjysmë në ushtrimin e këtij sporti, sigurisht duhet ta mbash mend herën e parë në ring. Cila ishte ndjesia e krijuar në atë moment?

 

Para se të fillonte ndeshja  kisha shumë emocione, shumë ankth. Por kur futesh brenda në ring, të gjitha këto emocione, dhe ankthe, dhe stres që ti ke, fillojnë të shterohen, sepse aty mendon që të gjithë atë punën e palodhshme që ti ke bërë, ti duhet të arrish diçka, dhe pse jo të mos hedhësh poshte kundërshtarin dhe ti të dominosh. Sepse në fund të fundit, të gjithë në atë ring hyjnë për të fituar.

 

Je shpallur kampione Europe në sportin MMA. Si u prit medalja juaj?

 

Në këtë sport në përgjithësi, femrat janë shumë të pakta. Gjithashtu edhe në arenat botërore dhe mendoj që si për vendin, si për të afërmit e mi, është diçka shumë e rrallë që një femër të përfaqësojë vendin e saj në këtë lloj sporti. Jam e  bindur që janë ndjerë krenarë, së paku nga entuziazmi i treguar kur unë kam dalë nga ringu me fitore. Mesazhet e shumta, urimet, të gjitha këto më kanë krijuar këtë ide, dhe ky është fati më i madh. Sepse ato shndërrohen pastaj në motivim që ti të korrësh sa më shumë fitore.

 

Kujt ia ke dedikuar fitoren duke dalë kampione e Europës?

 

Jo vetëm medaljen e  Europës, por çdo medalje që unë kam marrë ia kam dedikuar vetes dhe familjes sime.

 

A të ka lodhur ndonjëherë ky sport dhe a ke menduar deri kur do ta ushtrosh?

 

Sa për lodhjen, ky sport është diçka që unë e bëj me qejf dhe mendoj se në rast se do të mendoja që do më lodhë, nuk do e vazhdoja më. Por të gjitha këto medalje, vlerësime dhe mbi të gjitha përkrahja, më bëjnë që të vazhdoj akoma më shumë përpara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here