‘Suksese nga Vettingu’/ Prokurori i Shkodrës u bë i pasur…Kopeja shtohet me një qingj! Nuk mbaron këtu…

0
132

Në kohën kur Vettingu po bën kërdinë tek prokurorët, deklarimet e pasurive të tyre janë spektakolare.

Prokurori i Shkodrës ka gjetur një burim fantastik të ardhurash. 40-vjeçari në karrierë në një nga prokuroritë më të rëndësishme të vendit, deklaron se burim i pasurisë së tij janë një tufë me dele, disa koshere me bletë, lopë e gëlqere. I apasionuar pas të imtave, prokurori nuk sqaron as kush ia trashëgoi bagëtitë, ndërkohë që me probleme është edhe ndërtimi i banesës së tij, ku 2 kate janë shtuar pa leje.

Janë publikuar deklarata ku ata duken agjentë të shkëlqyer të pasurive të patundshme, me blerjet nën çmimin e tregut dhe shitjet disafish mbi çmimin e tregut, i kemi parë të kenë trashëguar nga të afërmit, apo të kenë marrë dhurata me vlera marramendëse, por kjo e prokurorit të Kukësit, tashmë me detyrë si prokuror i Shkodrës, Ylli Pjetërnikaj, është me të vërtetë origjinale.

Siç duket edhe nga faksimilet e formularit që ka plotësuar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, Prokurori, nuk është se ka patur marrëdhënie të mirë me ligjin.
Që në vitin 1990, sapo u lirua pak litari, ndërtoi 2 kate pa leje.

Deklarimi i pasurisë së Prokurorit Ylli Pjetërnikaj
Deklarimi i pasurisë së Prokurorit Ylli Pjetërnikaj

Nevojë e kuptueshme, për problemet e strehimit që kishin të gjithë, por pyetja është, pse nuk kërkoi leje?

Aq më tepër, që megjithëse prokurori, njeriu i ligjit, është kujtuar në 2007 që i duhet edhe një papafingo. Edhe atë e ndërtoi pa leje dhe e ka në proces legalizimi.
Deri këtu ngjan me shumë prokurorë dhe gjyqtarë që e kanë shkelur ligjin me paramendim dhe tani janë duke marrë legalizimet.

Por më poshtë, fillon bukuria e deklarimit të burimit të pasurisë së tij.

Është 50 për qind aksione në një kope delesh me 150 krerë. Këto i ka të trashëguara në 1996. Nuk tregohet kush ia ka trashëguar, por për inspektorët e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), do të jetë shumë e vështirë për ta kontrolluar. Nëse prokurorit i takojnë 75 krerë dele, Inspektoriatit duhet të kontrollojë kopenë.

Vërtetë delet janë të matrikulluara, siç pretendon prokurori, por nuk kanë asnjë shenjë dalluese.  Inspektoriati nuk mund të verifikojë cilat janë të Prokurorit, a janë dele apo deshë, a prodhojnë qumësht apo lesh.

Deklarimi i pasurisë së prokurorit Ylli Pjetërnikaj

Por, edhe sikur ta bënte këtë me sukses, papritur mund të ndodhte një lindje e paraljamëruar dhe kopeja të shtohet me një qingj. I kujt do të ishte qingji në këtë rast?
Këtij hetimi të vështirë i shtohen edhe 50 kosherët e bletëve, ku prokurori ka 25 për qind, ose 12 koshere e gjysmë të tijat. Si do ta gjente gjysmën që, me të drejtë, i takon prokurorit?

Dhe nuk mbaron këtu…

Prokurori 40-vjeçar, ka edhe 25 % të një tufe prej 5 lopësh, që me llogaritje elementare, i bie që prokurori i Shkodrës të ketë 1 lopë e çerek.

Përveç detyrës për të gjetur lopën e duhur, për të bërë bilancin prodhues të qumështit të saj, çmimin e qumështit dhe çmimin e viçit që ka shitur, Inspektorit do t’i duhet të gjejë edhe çerek-lopën që i takon prokurorit, nga e cila mund të burojë një tjetër pasuri pas disa muajsh apo vitesh.

Përveç kësaj, prokurori ka edhe 50 m3 pasuri gëlqere me vlerë 3 milionë lekë. Në fund të ditës, pronësia te gëlqerja, është vërtetë e domosdoshme, për t’i futur një dorë dezinfektuese të bardhë kësaj deklarate pasurie…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here