Standard.al

Pedagogia Albana Ndoja: Akoma pa dritë për arsimin e lartë në fund të tunelit të mbushur me eksperimente të ngjyrave të ndryshme

0

Post-protestë
Pedagogia Albana Ndoja: Akoma pa dritë për arsimin e lartë në fund të tunelit të mbushur me eksperimente të ngjyrave të ndryshme
Intervistoi Aida Topalli

A do të kemi rikthim të pedagogëve dhe studentëve në sheshe?
“Standard” intervistoi pedagogen e departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Albana Ndoja, lidhur me situatën e krijuar pas rikthimit në auditore. Kjo e fundit u shpreh se pjesa më e madhe e kërkesave mbeten të paplotësuara aktualisht. Kjo në lidhje me kërkësat e studentëve, kurse për ato të pedagogëve nuk ka asnjë lloj përgjigje.
Po ashtu ajo hodhi dritë mbi atë se çfarë po ndodh me stafin akademik dhe Universitetin, mënyrën se si është lënë në harresë nga qeveria, dhe për më tepër denigrimin e figurës së tyre nga deklaratat e politikës. Mungesa e investimeve, infrastruktura tejet problematike, mungesa e librave dhe revistave shkencore, Ligji problematik, rrogat minimale, janë ato me çfarë përballen sot dhuruesit e dijes. Ndërsa në fund, nëse do kthehen apo jo në sheshe apo greva, pedagogia u shpreh se protesta është e drejtë ë cdo qenieje humanë në një botë të civilizuar. Po nga ana tjetër në një realitet të tillë është më se normale që para se të kalohet në një masë të tillë, palët e interesit të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të dialogojnë. Një gjë e tillë realisht nuk ka ndodhur të paktën me stafin akademik.

Jemi një muaj pasi greva e pedagogëve dhe protesta e studentëve u mbyll. A mund të përshkruani me detaje situatën aktuale? A ka pasur reagime të Ministrisë këto kohë?
Në lidhje me kërkesat e studentëve unë do të jap përceptimin tim nga kontaktet me ta. Pika e parë e tetë kërkesave të parashtruara Ministrisë së Arsimit ishte rrëzimi i Ligjit për Arsimin e Lartë, e sidomos heqjen e VKM-së për provimet e mbartura. Natyrisht Ligji 80/2015 jo vetëm nuk është shfuqizuar , por po paraqitet akoma dhe sot si një nga ligjet më të mira e më vizionare për arsimin e lartë!?
Një pikë tjetër kishte të bënte me pajisjen me kartën e studentit. Me me sa jam unë në dijeni, nuk është realizuar.
Së treti, me atë çfarë kam dëgjuar edhe nga studentët, janë ulur tarifat vetëm për bachelor-in, ndërsa për masterin jo. Studentët që kanë pasur provime të mbartura, përsëri më thonë që nuk ka pasur ndryshim në tarifa, pra VKM-ja nuk është hequr (Gjithsesi këto janë të verifikueshme edhe pranë llogarive përkatëse.).
Kërkesa për rritjen e buxhetit në Arsimin e Lartë me 5%, nuk është realizuar absolutisht. Madje po të shikosh me vëmendje Paktin për Universitetin, në qoftë se të gjitha pikat e tjera janë shpjeguar se si do të realizohen, vetëm tek pika e parë që pohon faktin se buxheti për arsimin e lartë do të rritet 5% , cuditërisht nuk e ka ndarjen : Si duhet bërë (si është për pikat e tjera të këtij pakti).
Është më se e kuptueshme që nuk do të bëhet asgjë për këtë pikë, sepse projekt-buxheti për këtë vit ka kaluar në dhjetor dhe po të kishte ndryshime, do ishte miratuar që atëherë. Gjithsesi gjatë mbledhjeve të Asambleve të fakulteteve pati propozime konkrete të kolegëve të ekonomikut se si mund të bëhej një shtim gradual i buxhetit për arsimin e lartë, duke filluar me 0.2% deri në qershor. Deri më tani në nuk jemi njohur me ndonjë VKM apo urdhëresë që të të na informojë se po punohet në këtë aspekt.
Në lidhje me vetingun e pedagogëve ka një paqartësi të madhe. Kush do ta bëjë dhe si, pasi Ligji 80/2015 ka një Agjenci të Sigurisë së Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), i cili normalisht i bie që nuk paska funksionuar deri më tani bashkë me këshillat e etikës. Po kështu duhet pasur parasysh se dosjet tona kanë kaluar pasi janë vlerësuar nga komisione të caktuara të cilët janë miratuar dhe certifikuar nga Ministria, në bazë të ligjit të vjetër. A ka Ligji i ri fuqi prapavepruese? Juristët thonë jo. Gjithsesi nga kontaktet me kolegët dhe deklaratat e Asambleve është thënë hapur se stafi akademik nuk është kundër kontrollit të dosjeve, afateve për plotësimin e tyre etj. Po këtë proces nuk mund ta kryejë Ministria me stafin e vet që nuk besoj se është më i kualifikuar se ai akdemik aktual.
Nga ana tjetër kjo është një ndërhyrje flagrante në autonominë universitare, ndërhyrje e cila legjitimohet me VKM-të e dhjetorit të 2018-ës.
A mund të na sillni disa raste konkrete ku ligji për AL cenon integritetin tuaj dhe të Universitetit në përgjithësi?
Po ju jap faktin më absurd që kolegët tanë anembanë globit nuk mund ta besojnë. Ai ka të bëjë me kualifikimin shkencor. Në mënyrë brutale dhe pa asnjë dispozitë kalimtare për stafin, që kishte punuar për plotësimin e dosjeve për marrjen e një grade të caktuar në bazë të ligjit të vjetër, në 2015 u mbyll pranimi i dosjeve.
Në korrik 2015 doli Ligji 80/2015 që nuk u shoqëruar me VKM-të që do ta bënin të aplikueshëm atë. Në 2017 brenda një muaji e gjysëm u sollën në fakultete për diskutim dy drafte VKM-sh komplet të ndryshme që të linte përshtypjen e improvizimeve, dhe për më tepër VKM-ja përfundimtare kishte prapë ndryshime thelbësore me draftet. Akoma dhe sot nuk janë hapur pranimet në universitete as në nivel doktorate, prof..asc dhe as prof.
Unë kam mbaruar doktoraturën në 2011-ën dhe në bazë të ligjit të vjetër, duhej një pesë vjeçar që unë të mbyllja kriteret e kërkuara dhe pastaj mund të fusja dosjen për të mbrojtur titullin prof.asc. Kanë kaluar 9 vjet dhe unë akoma nuk kam pasur mundësi të aplikoj, pasi njëherë kam pasur parasysh kriteret e ligjit të vjetër, kurse tani ato kritere nuk vlejnë dhe unë duhet t’ia filloj nga fillimi. Më e keqja është se ne akoma nuk dimë se cfarë na quhet e cfarë nuk na quhet nga artikujt, konferencat etj.. Po kështu akoma nuk janë ngritur komisionet përkatëse të shqyrtimit të tyre.
Po në lidhje me infrastrukturën në universitete?
Hidhemi në infrastrukturën universitare. Në fakultetin tonë, aty ku ke bërë mësim edhe ti, pedagogët nuk kanë zyra, por rrinë në salla mësuesish, bashkë me sekretarët.
Nuk ka salla të mjaftueshme për leksione dhe seminare dhe ti e di shumë mirë (si studente që ke qenë) se çfarë bëjmë ne pedagogët, kur kemi përplasje sallash. Jemi të deturyar të kerkojmë vetë salla të lira të cilat shpesh nuk gjenden.
Nuk ka rifreskim të bibliotekave, për vite e vite me radhë. Unë po bëj 21 vjet pedagoge dhe vetëm një herë kanë sjellë një fond 15 milionë lek të vjetra për këtë gjë. Por çfarë mund të bësh me aq fond? Edhe titujt që ne kërkojmë, na thonë kërkojini tituj që futen brenda limitit të fondit të akorduar. Por unë nuk mund të kërkoj libra me 10-12 mijë lekë, nëse dua artikuj cilësorë që i ka gjithë bota.
Fotokopjet më së shumti janë jashtë pune, kompjuterat janë një për dy veta. Ka pasur raste që pajisjet i kemi blerë vetë, se nuk ishin bërë tenderimet në rektorat. Po kështu letra. Kemi fotokopjuar me lekët tona testet e studentëve. Po pse ky është ambienti i punës që stimulon studimin shkencor?

A ka patur reagime së fundmi nga Ministria e Arsimit?
I vetmi reagim që ka ardhur deri tashmë, është një shkresë e mbërritur nga Ministria e Arsimit, e cila ka ngritur një komision i cili do të identifikojë problemet në infrastrukturë, cilësinë e mësimit, kualifikimit shkencor. Po pse në kaq vite paska qenë kaq e vështirë të identifikohet kjo situatë?
Hidhemi pak te pagat e pedagogëve. Një pedagog si puna ime paguhet pak a shumë sa një edukator kopshti në Kosovë me ndryshimet e reja që u bënë atje (edukatori 470 euro, pedagogu këtu [dr.] diku te 500 euro).
Dhe këto paga nuk kanë pasur rritje esenciale që nga 2004, kur u bë greva e pedagogëve pikërisht për të rritur pagat. Pretendohet që të mbajmë familjet, të blejmë librat dhe të paguajmë vetë edhe artikujt. Sepse vetëm në Shqipëri nuk paguhet artikulli që ne bëjmë, në tërë botën artikujt , punimet etj. paguhen me fonde të veçanta të fakultetit, nga organizata, apo fondacione të ndryshme etj. Ne paguajmë vetë përkthimet, vetë revistat dhe gjithcka.
A e dinë ata që bërtasin për cilësi në arsim që të botosh në një revistë me faktor impakti me koeficient të lartë, ka kosto shumë të lartë, duhet minimalisht të blesh 30 libra, me nga mbi 100 euro e sipër, dhe do një vit e më shumë kohë për të punuar për të.
Në këtë kontekst ne e kemi të pamundur mbijetesën shkencore dhe njerëzore, me këtë rritje çmimesh dhe krizë ekonomike. Nëse ka persona të cilët kanë bërë korrupsion ose kanë shfaqur sjellje të pahijshme ndaj studentëve, Universiteti, Ministria, Sistemi Legjislativ, i ka të gjitha mjetet në dorë t’i identifikojë e t’i dënojë. Nuk kishin pse të bëheshin fushata masive denigrimi. Është një imazh jashtëzakonisht i keq i krijuar, na ndikon shumë edhe emocionalisht.

Dhe për ta mbyllur, a do kemi një rikthim të situatës së para një muaji, pra greva dhe protesta?
Nuk jam ndonjë tip iniciator për ndërprerje mësimi, apo bojkot. Studentët më njohin dhe e dinë shqetësimin tim për orët e humbura, por personalisht nuk kam qenë për ta ndërprerë grevën e pedagogëve. Pse?
Së pari duhet thënë se greva u ndërpre edhe për hir të studentëve, sepse ishin provimet. Unë kam marrë pjesë edhe në grevën e 2004-ës. Nëse pedagogët nuk do të rrinin një muaj jashtë auditorëve në atë kohë , sot nuk do kishim këto rroga që kemi. Protestat gjithsesi janë gjëja më normale në një shoqëri të civilizuar. Ato janë barometri për palën tjetër që diçka nuk po shkon mirë, dhe që kjo palë e ka për detyrë ta identifikojë e të gjejë rrugët e zgjidhjes. Deri tani fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur. E pra ne po kërkojmë dialog dhe seriozitet për të ardhmen e këtij kombi dhe jo monolog dhe denigrim.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.