‘Bashkëkombas kujdes!’ Politiqenërit e këtij vendi kujtohen vetëm kur u duheni!

0
132

Për ju, Politiqenërit e këtij vendi kujtohen vetëm kur u duheni, kur u duhet të shfrytëzojnë imazhin dhe arritjet e juaja të mira, dhe aspak kur ju keni nevojë për ndihmesën e tyre.

Nga Tritan Kalo

Jeni të mirëseardhur Diaspora=Dia (dyzim, ndarje në dysh) + spora (qelizë, spor), në një fjali të vetme një mikroorganizëm njëqelizor në fazën e dyzimit të tij, ndarjes dyqelizore.

Mërgimtari ynë është një qënie humane e dyzuar, e ndarë më dysh, së pari me vështrimin përpara, për t’u përballur me vështirësitë e jetës aty ku dallgët e saj atë e hodhën, dhe së dyti me mendjen e zemrën pas, te mëmëdheu që zemërthyer u detyrua të lërë pas krahëve, te njerëzit e tij të afërt që la aty, në kujtimet e shumta që e lidhin me të, me mallin që kurrë nuk do të shuhet në rrënjëzimin e tij të ri.

Shfrytëzimi i punës dhe kontributit të tij për veten, familjen e tij, vendin ku jeton e prosperon edhe kësaj here në Samitin e II-të Diasporës po i nënshtrohet dyzimit:

  • përdorimi i arritjeve të tyre pikërisht prej asaj Klase/Kaste/Glase Politike, e cila direkt apo indirekt kontribuoi në largimin e tij me hir apo me pahir, drejt të panjohurës e cila e pret çdo mërgimtar në dhe të huaj, si dhe
  • dëshirës së tij për të kontribuar sikur edhe një dromëz të vetme për të ritreguar atdhedashuri e përkujdes për ardhmërinë e Vendit Amë.

Miq, kolegë e bashkëkombas mërgimtarë, kujdes!

Për ju, Politiqenërit e këtij vendi kujtohen vetëm kur u duheni, kur u duhet të shfrytëzojnë imazhin dhe arritjet e juaja të mira, dhe aspak kur ju keni nevojë për ndihmesën e tyre.

Më e thjeshta NDIHMESË, që ju mundet të prisni prej tyre.

Sa herë ju janë ofruar ata për të bërë të mundur ruajtjen e Gjuhës Shqipe nëpërmjet kurseve, klasave të mësimit të saj për bijtë e bijat tuaja, me libra, arsimtarë, etj, etj?

Jashtë kufijve zyrtarë të Republikës së Shqipërisë apo jashtë trojeve të Shqipërisë Natyrale të 28 Nëntorit 1912, jetojnë shumë, më shumë Shqiptarë se ata që jetojnë brënda këtyre trojeve. Sa është bërë dhe po bëhet për t’i ndihmuar ata që të ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditat kombëtare? Pak ose aspak.

Shërbimi më i madh që mundet t’u bëni Shqipërisë Natyrale është të tregoni me përpjekjet e juaja, mundësinë e të qënurit vetëm e vetëm të bashkuar, sepse bashkimi përbën edhe forcën tuaj aty ku frymoni, por edhe mundësinë për të kontribuar moralisht e materialisht në mbrothësimin e Tokës Amë, si dhe mundësinë tuaj për t’ju bërë pengesë këtyre lëtyrave tona politike në pangopësinë e tyre për Pushtet, Para dhe Pasuri (PPP).

NE, që këtu ende frymojmë dhe Mëmëdheu, kurdohere do t’ju jemi mirënjohës për përpjekjet tuaja të përditëshme.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe bijtë e saj kudo që ndodhen!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here