Standard.al

Kryemadhi ironizon Ramën: Ta mbledhë pak veten, nuk është ndonjë qamet i madh. Jeta nuk rrotullohet vetëm tek karrigia e kryeministrit

0

Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi në intervistën e saj për ‘Open’ në ‘Top Channel’, ka ironizuar kryeministrin Rama, duke u shprehur se jeta nuk rrotullohet vetëm tek karrigia e kryeministrit.

 

Intervista e Kryetares së LSI-së në ‘Open’ në ‘Top Channel’

 

Znj. Kryemadhi, ju sot keni depozituar në mënyrë konkrete në Parlament, ku, si dhe çfarë do donim të dinim, sepse ne kemi qenë aty me kamerat tona, por nuk dimë se çfarë ka ndodhur brenda…

Çudi që nuk ju ka lënë Parlamenti të futni kamerat brenda, por ka qenë një ritual normal. Mund të them që sekretarët e përgjithshëm të partive përkatëse kanë dorëzuar dorëheqjet individuale të deputetëve, ashtu siç ndodh normalisht, dhe është qartësuar pozicioni përfundimtar ku opozita dorëzon mandatet e saj për t’u shkëputur dhe larguar njëherë e përgjithmonë nga një Parlament, i cili tashmë është i faktuar botërisht, qoftë nga Zëri i Amerikës, qoftë me vendime gjykate apo qoftë edhe me përgjime zyrtare, ku individë të caktuar të lidhur me bandat dhe krimin e organizuar, me trafikun e drogës, kanë blerë vota në shërbim të qeverisë dhe kandidatëve të Partisë Socialiste. Ashtu sikurse edhe nëpunës të administratës civile me vendim gjykate janë dënuar për shitblerje të votës në favor të Partisë Socialiste.

Pra, znj. Kryemadhi keni dorëzuar në sekretarinë e Parlamentit ju dhe gjithë deputetët e LSI-së dhe Partisë Demokratike? Pra ka përfunduar si proces?

PD ka pasur grupin e saj, ne kemi pasur listën tonë të deputetëve. Mendoj që kjo është një çështje teknike më shumë, nuk mendoj se është një gjë e rëndësishme. Përsa i përket deklaratave, unë mund t’ju them që deklaratën time e keni në media, me datën 20 shkurt 2019, pra i bie dita e rrëzimit të bustit. Kështu që edhe deklaratat e deputetëve të LSI-së që janë firmosur dje më 20 shkurt, është rrëzimi i dytë i bustit të diktatorit shqiptar.

Znj. Kryemadhi, keni koment për deklarata e kryeministrit?

E para, unë mezi po pres të shikoj të pandehur të gjithë ata për të cilët Prokuroria e Tiranës ka regjistruar se si bandat e Durrësit, të Shkodrës, të Lezhës, të Vlorës dhe të Tiranës. Përveçse bënin trafikimin e drogës, bënin edhe trafikimin dhe shitblerjen e votës, dua të shikoj në bankën e të akuzuarit Kryetarin e Bashkisë së Durrësit që ka qenë një nga personat kryesorë të përfshirë në operacionin e bandës së Avdylajve për shitblerjen e votës dhe jo ta shikoj në ekranet televizive duke bërë paradën e arrogancës apo edhe të forcës së tij se si do të fitojë zgjedhjet përsëri. Ndërsa përsa i përket kryeministrit të ikur, unë i them ta mbledhë pak veten, nuk është ndonjë qamet i madh, jeta nuk rrotullohet vetëm tek karrigia e kryeministrit, jeta vazhdon edhe më pas, ai artist është, ka një profesion me të cilin mund të jetojë, ka thënë që do bëhem edhe rrobaqepës, kështu mendoj që zgjidhja e tij më e mirë.

Ai thotë se ju duhet të shkoni në ferr, se shitblerjen e votës e aplikuat ju dhe jo ai..

Mekanizmi i shitblerjes së votës e ka origjinën nga Edi Rama, nuk e ka nga Monika, nuk më shqetëson fare ferri i Edi Ramës sepse ferri i Edi Ramës është parajsa e njerëzve të mirë, parajsa e njerëzve të mirë është ferri i Edi Ramës, mund të them që Edi Rama të lutet dhe të besojë në Zot sepse kështu do të gjejë paqe, do të gjejë qetësi për tu larguar nga droga që të mos ngelet peng i atyre që e furnizojnë me mall. Tani, përsa i përket shit-blerjes së votës po ju them dhe një gjë, jo vetëm Edi Ramës dhe të gjithëve ushtarëve të tij, por edhe ju gazetarëve, mediave, prokurorisë, policisë dhe kujtdo tjetër. Për çdo njeri të LSI-së që ata kanë fakte dhe të dhëna apo dhe indicio t’i çojnë ato para bankës të akuzuarve dhe t’i çojnë në gjyq dhe t’i dënojnë.  Prokuroritë i kanë, Gjykatat i kanë, nuk ka asnjë lloje problemi tashmë që edhe 17 deputetët e LSI-së i kanë qytetarë të lirë që mund të bëjnë çfarë të duan le t’i drejtohen dhe le ta zgjidhin këtë gjë. Por ama përgjimet e anti-mafias se si Habilajt do t’i jepnin Saimir Tahirit 20 milion euro për shit – blerjen e votës në Tiranë nuk janë as të Monikës, as të opozitës, as të Viktor Tushës, as të Lulzim Bashës. Përgjimet e Avdylajve nuk janë as të Monikës, as të Lulzim Bashës, por janë të Donika Prelës. Bajrat nuk janë të opozitës, por janë të Holandës. Kështu që mos të të vijë keq kur ti përmend Eni, mos u shqetëso se me këtë Prokurori që ka nuk do të ketë problem Edi Rama mos u shqetëso.

Tani çfarë ndodh? Të hënën, të enjten, çfarë do të bëjë opozita konkretisht tani që ka dalë jashtë sistemi? Çfarë ndodh tani për ju? Si do të vazhdojë kjo histori?

Ne jemi qytetarë të lirë, sot më shumë se kurrë ndihemi më shumë vetvetja sepse vendimin tonë sot e dhanë qytetarët, e dhanë me 16 shkurt edhe pse ne kemi një vit që e artikulojmë që ka nevojë për dialogun politik, ka nevojë për përfshirjen e opozitës në institucione edhe pse parlamenti shqiptarë është uzurpuar nga mazhoranca. Ai ka asgjësuar çdo të drejtë të opozitës dhe mund të them që sot më shumë se kurrë unë mendoj që Shqipëria është kthyer në Shqipërinë e viteve 80, pse e them këtë në Shqipërinë e viteve 80, ne nuk kemi më një republikë parlamentare por kemi një republikë kryeministrore.

Çfarë do të bëni? A ka një aksion konkret?

Nuk do të ndalemi zonja Eni, situata vazhdon, nuk keni parë gjë akoma. Edi Rama është i lumtur në parajsën e tij dhe nuk ka parë se si pensionistët derdhin kokrrën e lotit sepse nuk kanë mundësi të paguajnë ilaçet. Edi Rama nuk ka parë gjë akoma se si shqiptarët nuk paguajnë dot faturën e energjisë elektrike. Edi Rama nuk ka parë akoma se si prindërit nuk paguajnë dot librat e fëmijëve të tyre. Edi Rama nuk ka parë gjë akoma se si kjo urrejtje popullore nuk do të ndalet dhe do ta tërheqi zvarrë nga karrigia e tij e kryeministrit dhe le ti kthehet botës tij të artit dhe ti lëri shqiptarët e lirë. Sot Edi Rama nuk e priste veprimin e opozitës, sot Edi Rama ndihet më i lodhur por mbi të gjitha është i lodhur, çdo ditë që ikën do bëhet me i dobët se ç ‘është.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.