Dhuna që (s) ishte

0
114

Opozita e kishte të qartë se lajmi duhej të ishte masa shpërthyese e njerëzve që kërkonin dorëheqjen e qeverisë dhe jo dhuna.

Një natë të ftohte dimri, një banor i Unazës së Re u zgjua në orën 4:30 të natës nga një zhurmë që nuk e dinte se nga vinte.

Kur doli në dritare, pa në oborrin e tij dy persona, veshur mbanin dy jelekë ku shkruhej ‘Bashkia Tiranë’, të cilët me një motosharrë në dore po prisnin një pemë në oborrin e tij.  Zbriti ngadalë ne katin e parë, mori një hu që gjeti, dhe ju sul atyre.

Punonjësit ikën me vrap.

 Kjo ngjarje ndodhi kur projekti për zgjerimin e Unazës së Madhe nuk ishte bërë publike.

As makineritë e rënda te firmave private nuk ishin vendosur në kantier. As tenderi me dokumente të falsifikuara nuk ishte publikuar.

As Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk kishte vajtur për të bërë vlerësimin financiar të shtëpisë dhe pronës që do prishej.  As Vendimi i Qeverisë për shpronësim në interesin publik nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare.

Ja ku ishim pra, në fund të vitit 2018, një personi që kishte ndërtuar me djersë dhe punë të ndershme një shtëpi për vete dhe prindërit e tij, me letra të rregullta, të legalizuar dhe të hipotekuar edhe ndërtesën edhe truallin, qeveria i dërgonte tre orë pa dalë dielli, kasnecët e vet për të prishur një pronë.

Të shtunën e pashë këtë njeri të thjeshtë në shesh para Kryeministrisë.

Po protestonte edhe ai.

Ndryshe nga ç’prisja nga një njeri që qeveria po i shkatërronte jetën, ai ishte me duar në xhepa.  Shpresa e tij e vetme që shtëpia nuk do ti shkatërrohej, apo në rastin më të keq që qeveria ta paguante shtëpinë që do i prishej me vlerën reale, ishte ajo proteste.

Por, hurin e kishte lënë në shtëpi.

Nuk kishte as gurë në xhepa. Kishte vetëm prindërit e tij të kërrusur nga mosha e të pagjumë nga hallet qe u kishte shkaktuar qeveria. Kishte dhe dy fëmijë të vegjël, të cilëve Edi Rama u del në ëndërr si makth prej katër muajsh. Plot katër muaj që shkonin në shkollë pa e patur mendjen tek mësimet, por tek protesta e orës 17:00 si çdo 100 netë.

Protesta e të shtunës ishte hera e parë në historinë e protestave në Shqipëri, ku palët kundërshtarë nuk merren me shifrat kontradiktore të pjesëmarrjes. Opozita protestuese nuk kishte nevojë të vendoste një shifër në një shesh që nuk kishte pareë sesi derdheshin protestuesit nga të gjitha rrugët e rrugicat, që nga ’92.

Dronët e qeverisë zhduken pamjet.

Policia që në të tilla raste përdor një formulë të thjeshtë me ‘Google maps’ për të matur sipërfaqen dhe intensitetin, për të dalë në një numër, as nuk e mori mundimin.

Për herë të parë në historinë e protestave, Ambasada amerikane nuk doli me një paralajmërim standard para proteste për qytetaret e saj që të qëndronin larg, se mund të kishte akte dhune.

Opozita e kishte të qartë se lajmi duhej të ishte masa shpërthyese e njerëzve që kërkonin dorëheqjen e qeverisë dhe jo dhuna.  Kurthi i Edi Ramës dhe policisë së tij politike, duke hapur kordonin e policisë dhe duke hedhur lëndë helmuese për të provokuar turmën, nuk funksionoi.

Ndryshe nga protestat e ‘jelek-verdhëve’ në Francë turma nuk shkatërroi makina e dyqane që i dilnin përpara.  As ndërtesën qeveritare.  Shkatërroi një kërpudhë, simbol i korrupsionit dhe arrogancës së Kryeministrit. Një kerpurdhë nuk kishte vlerën e pemës së protestuesit të cilën ja preu bashkia me motosharrë.  Madje, as nuk u fut te ‘Salla e Popullit’ në katin e pare.

Pse nuk pati dhune, atëherë?

Së pari, ndryshe nga Edi Rama më 21 janar, Lulzim Basha nuk kishte përgatitur një fjalim ‘alla Mussolin’ që do ta mbante para popullit ngadhënjimtar, nga dritarja e katit të dytë të ndërtesës kryeministrore.

Ndryshe nga Edi Rama, Lulzim Basha qëndroi me njerëzit dhe nuk u fsheh skutave të orgjisë politike duke festuar siç pat ndodhur 8 vjet më parë.

Nuk pati dhunë, sepse nuk ishte Saimir Tahiri të bllokonte rruge-daljet e Tiranës duke djegur goma.

Nuk pati dhune, sepse ‘kontigjentët e PD’ nuk ishin urdhëruar dhe përgatitur të sulmonin Komisariate policie, pasi turma të digjte Kryeministrinë e pasi të binte nata.

Nuk pati dhunë, sepse deputetet e opozitës nuk u interceptuan duke folur në telefon me të burgosur të përjetshëm, për të organizuar shpërthimin e burgjeve.

Nuk pati dhune sepse opozita nuk u kishte ndarë vendet e punës protestuesve militantë, sapo të rrezonin qeverinë e pushtetin ta merrte ‘populli’.

Nuk pati dhunë sepse protestuesit nuk ishin paguar nga organizatoret për të ushtruar dhunë.

Disa prej përfaqësive diplomatike dolën me deklarata shabllon dhe standarde ku bëhej thirrje kundër dhunës dhe provokimeve.

Pati dhe një deklaratë në Twitter të një ambasadori, të cilit ngjalat dhe peshku në tavolinë, në Ishull-Lezhë ju duken si gurë opozitarë që i fluturonin mbi kokë.

Akoma pa mbaruar gotën e verës që kishte në dorë, u detyrua të ‘korrigjonte’ deklaratën e tij.

Kaq ishte e gjitha.

Ndërkohë që ambasadori perëndimor i shkolluar me Moskë treste ngjalat i shtrirë në sediljen e pasme të makinës, e shoferi i tij mallkonte nën zë rrugën Tiranë-Durrës të bllokuar nga qeveria për të penguar autobuzët dhe makinat, protestuesi i Unazës së Re, kthehej në këmbë duke mbajtur për krahu dy prindërit e tij protestues 80-vjeçar, ndërsa planifikonte protestën e radhës te Astiri të nesërmen në orën 17:00./ Cretan Archer –

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here