Zinxhiri i atentateve të përgjakshme në Vlorë….

0
95

Armando Sulejmani (Çipuri) u plagos dhe dy shoqëruesit e tij mbetën të vdekur në një atentat mesditën e së Dielës në Vlorë, duke shënuar episodin e radhës në zixhirin e përgjakshëm që po trondit qytetit të paktën prej tre vitesh.

Çipuri ishte në kërkim nga autoritetet e drejtësisë, pasi dyshohet si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur, në Tetor 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur, dhe i afërmi i tij, Dritan Begaj.

Prej asaj kohe, Armando Sulejmani qëndronte “i fshehur” nga policia, por jo aq nga kundërshtarët e tij.

Zinxhiri i vrasjeve dhe atentateve që kanë përfshirë familjen Llanaj dhe një grup tjetër, i përbërë nga disa persona me rrezikshmëri të lartë, ka nisur në vitin 2015.

Një zënkë adoleshentësh pas një feste ditëlindjeve përfundoi me atë që konsiderohet “masakra e Çoles”, me tre të vdekur e tre të dënuar me burgime të gjata, njëri me të përjetshëm dhe dy të tjerë me nga 35 vjet.

Në 7 Prill 2015, pas një konflikti të armatosur, mbeten të vdekur Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Limaj. Për këtë ngjarje u akuzuan dhe dënuan Ferdinand Llanaj, me burgim të përjetshëm, si edhe Bertil Aliaj e Ani Begaj me nga 35 vjet burgim.

Procesi gjyqësor ndaj tyre u shoqërua me polemika të shumta. Pasi gjykata e shkallës së parë dhe e Apelit të Vlorës kishte dhënë dënimet maksimale për tre të akuzuarit, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme gjatë gjykimit në Gjykatën e Lartë, kërkoi të tërhiqej nga akuzat.

Familjarët e viktimave reaguan ashpër për zbutjen e akuzave në Gjykatën e Lartë, gjë e cila detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të asaj kohe të zëvendësonte prokurorin e çështjes. Pas zëvendësimit të tij, prokuroria u përfaqësua nga Drejtori i Hetimit, Adnan Xholi, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimeve të shkallëve më të ulta. E kështu ndodhi. Gjykata e Lartë konfirmoi dënimet e rënda për Llanajn, Aliajn e Begajn.

Ky episod është shoqëruar me të tjera ngjarje të përgjakshme.

Në maj 2017 vritet në qendër të Vlorës biznesmeni dhe pronari i “TV Vlora”, Erven Hyseni. Në atë atentat vritet në mënyrë aksidentale edhe drejtori i OSSHE për rajonin e Vlorës, Roland Saliu.

Atentati dyshohet se u krye, për shkak se Erven Hyseni, i afërm me një prej viktimat e “masakrës së Çoles”, Haki Rakipi, përdorte televizionin e tij për të goditur Llanajt. Ky version nuk u provua, megjithëse dyshimet janë të forta për këtë linjë.

Rreth 4 muaj më pas, në Tetor 2017, tre anëtarë të familjes Llanaj plagosen në zonën e Transballkanikes, pranë qendrës së Vlorës. Shënjestra ishte Ferdinand Llanaj, vëllai i të dënuarit përjetë, Aleksandër Llanaj.

Bashkë me Ferdinandin, në këtë atentat plagoset edhe djali i tij 8-vjeçar, si edhe miku i familjes, Dritan Begaj.

Një prej personave e dyshuar për këtë ngjarje është i plagosur i së Dielës, Armando Sulejmani (Çipuri). Ndaj tij, gjykata e Vlorës ka nxjerrë masë sigurimi “arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Në verën e vitit 2018, një i ri nga Vlora, Albano Xhaferraj rrëmbehet në qytetin e Vlorës dhe prej tij nuk ka më asnjë gjurmë. Një person, i cili konsiderohet si “i penduar” i drejtësisë, ka pretenduar se Albano Xhaferraj është rrëmbyer dhe vrarë nga disa persona, bashkëpunëtorë të një tjetër emri të njohur të botës së krimit në Vlorë, Edison Harizaj.

Sipas këtij “dëshmitari”, Albano Xhaferraj është rrëmbyer e më pas vrarë, për shkak se ka qenë dëshmitar dhe ka njohur atentatorët e plagosjes së Ferdinand Llanaj. Edhe ky version, ende nuk është zyrtarizuar nga institucionet hetimore.

Pak muaj pas këtij episodi, në nëntor 2018, vritet në periferi të Durrësit Edison Harizaj dhe miku i tij, Gent Caci. Ata gjendeshin në bordin e një Audi A8, kur dy makina u kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar për vdekje. Ngjarja e Durrësit vijon të jetë pa autor, pavarësisht se policia ngriti dyshimet e para dhe më të forta tek hakmarrja e Llanajve.

Mesditën e së Dielës, 17 shkurt 2019, plagoset në atentat, nga persona ende të paidentifikuar, Armando Sulejmani (Çipuri), i dyshuari kryesor për plagosjen e Ferdinand Llanajt dhe të birit të tij të mitur. Dy miqtë e Çipurit mbetën të vdekur, ndërkohë që zinxhiri i vrasjeve nuk dihet se kur do të ndalet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here