Greva 7-ditore e artistëve ndaj Ramës ministër, flet Ilir Mërtiri: Ligji i vitit 2000, njësoj si ai i 2018-ës, për interesa personale…

0
147

 

Intervistoi: Aida Topalli

Ilir Mërtiri, pedagogu i cili mori pjesë në grevën 7 ditore të artistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në vitin 2000, kundër ligjit të hartuar për këtë të fundit, në një intervistë për “Standard” tregoi me detaje se çfarë qëndronte në thelb të asaj greve dhe si shkoi situata deri në atë pikë. I pyetur lidhur me atë çfarë ndodhi në atë kohë, që dërgoi Artistët në greva urie të skajshme, Mërtiri u shpreh se ishte ligji i hartuar nga dyshja Rama-Ferri, një ligj vdekjeprurës që e kalonte Teatrin në pronësi të drejtuesit të saj. Ndër të tjera, profesori tregoi edhe se si shprehej Rama, asokohe Ministër Kulture, sot Kryeministër i Shqipërisë, kundër artistëve, duke qenë edhe vetë një i tillë. Ai i quante ato vjedhës të taksave të qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që artistët nuk ishin asgjë më shumë sesa taksapagues të rregullt. Pas grevës shtatë ditore, u arrit rrëzimi i një ndër pikave më të shumëpërfolura të ligjit, atë të kalimit të teatrove nga pronë shtetërore, në pronë fizike. Ky mosmiratim, tha ai, u hodh poshtë falë votave kundër të deputetëve të mazhorancës, artistë të shquar si Limoz Dizdari dhe Vath Koreshi, por pa munguar në mesin e kundërshtarëve Pandeli Majko, i cili kundërshtoi edhe në vendimin vrastar të korrikut të 2018-ës. Ndër të tjera, një cilësim për Kryeministrin Rama, të dhënë nga profesor Iliri, se nuk është gjë tjetër veçse një njeri që nuk i lë pa i përmbushur qëllimet e veta, porse qëllimet janë gjithmonë në dëm të vendit. Duke bërë një krahasim me protestën aktuale, ku Mërtiri vazhdon të jetë aktiv, u shpreh se nëse  e tyrja ishte me rezultat historik, kjo aktualja mbetet për t’u admiruar sepse ka rezistuar gjatë. Në fund të intervistës, teksa u pyet për artistët e larguar nga protesta, profesori preferoi të sillte në vëmendje një histori të kohës së tij, për të sqaruar edhe arsyen e ketyre ikjeve.

 

Cili ka qenë thelbi i kritikave tuaja ndaj Ramës si Ministër Kulture, në vitin 2000? A mund të na tregoni detajet që iu dërguan në një vendim të tillë?

 

Në vitin 1999 Rama u bë Ministër i Kulturës, siç edhe dihet i ardhur nga Franca. Menjëherë pas marrjes së postit, ai shkarkoi drejtorin e Teatrit Kombëtar, Vasil Tolen, për ta zëvendësuar atë me Zana Çelën. Fillimisht e mirëpritëm pa problem, por shpejt kuptuam se Zana kishte ardhur me një mision. Hymë në konflikt me të sepse filloi komunikim arrogant. Në momentin që ne hyjmë në konflikt me drejtoreshën, mësuam edhe se zhvilloheshin greva. Aktorët e Teatrit kishin dalë në rrugë, dhe ne na u tha asokohe se përse rrinim të distancuar, pasi e gjithë çështja do na binte në kurriz neve. Ne çalojmë kur bëhet fjalë për protesta, i shohim shumë ngushtë problemet. Dhe kur prekemi aty ku nuk mban më, reagojmë. Kështu ndodhi edhe atëherë. Për këtë arye rishikuam projektligjin që ishte formuluar për Teatrot. Projektligji kishte një problem “vdekjeprurës”, jo vetëm për Teatrot në përgjithësi, por edhe për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ishte i hartuar nga dyshja Rama-Ferri. Pak a shumë ligji citohej kështu: Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit quhet një person fizik dhe juridik, vendas ose i huaj, që merr përsipër ta drejtojë. Ky person ka të drejtën e pronarit. Ky ishte thelbi i ligjit. I pasuruar, ky ligj nënkuptonte që artistët do të dilnin jashtë Teatrit të Operës dhe trupat që ishin permanente do të funksiononin vetëm me projekt. Personi që merrte përsipër drejtimin e Teatrit, që ishte në rolin e pronarit, merrte përsipër të hartonte një projekt, i cili do të miratohej në bordin e teatrove, një bord i përbërë nga nëntë veta, me dy apo tre persona përfaqësues ministrie, dhe ky bord do të menaxhonte paratë e buxhetit të shtetit. Në atë kohë Rama bëri një fushatë shumë të madhe, duke i quajtur artistët grabitës të taksapaguesve shqiptarë. A thua se artistët nuk ishin vetë taksapagues? Në fakt nuk është se shteti  do të ndryshonte ndonjë gjë në buxhet. Ne mbahemi si një nga vendet që kulturën e kemi një nga buxhetet më të vogla. Edhe këtë buxhet të vogël, nuk do ta shkurtonte që të ruante taksapaguesit, por buxheti do të kanalizohej dhe do të menaxhohej nga një bord që do t’i ndante paratë sipas interesit të tyre. Tani, çdo të thotë projekt? Ai kur ta hartonte një projekt, do ta hartonte me një vepër artistike, do të angazhohej pronari dhe do të emëronte ato artistë që do t’i duheshin atij, duke llogaritur fitim sa më të madh dhe shpenzime sa më të vogla. Artisti do të bëhej rob i një projekti të krijuar nga njerëz të caktuar. Ai, duke llogaritur shpenzimet sa më të pakëta, do të hartonte një projekt të vogël, një opera të vogël, që kërkon një numër të vogël artistësh. Dakord, po pjesa tjetër e artistëve çfarë do bëjnë. Në këto kushte, trupa profesioniste shtetërore do të shpërbëhej dhe do të krijohej një trupë personale. Ky ishte konflikti që çoi në përplasjen e asaj kohe. Fatmirësisht në atë projektligj që u hartua dhe u miratua me votat e mazhorancës në atë kohë, një ligj u prish. Ishte Teatri i Operas, Teatri Kombëtar dhe teatrot në përgjithësi, janë pronë shtetërore dhe nuk mund të tjetërsohen. Kjo ndodhi pas grevës, pra rezultat i grevës. Kur projektligji hyri në parlament, një pjesë e mazhorancës, individë të caktuar, Limoz Dizdari, Vath Koreshi, Pandeli Majko, në njëfarë mënyre prishën një ide që në atë kohë kishte Rama, që këto prona të mos tjetërsoheshin. Në atë kohë patën ardhur disa francezë dhe patën marrë pamje të Teatrove, sigurisht për të hartuar idenë se si do t’i menxhojnë ato projekte, në mënyrë që të përfitonin. Mirëpo duke i dështuar ky projekt, ndodhi fenomeni tjetër. Edhe pse Ligji u miratua, ai ligj nuk hyri në fuqi, pasi nuk i interesonte më. Ai ligj ishte për interes personal, siç do të bëjë edhe sot, ta shembi dhe të bëjë kullat.

 

Po për filozofinë e njëjtë të ndjekur nga Rama, lidhur më Teatrin Kombëtar, si do ta cilësonit?

 

Ai është njeri që nuk heq dorë kollaj nga qëllimet e tija, fatkeqësi që ato janë qëllime të errëta. Kuptohet që sot ai i mbështetur nga interesa financiare akoma më të mëdhaja se në atë kohë, ai tashmë insiston deri në fund. Tek e fundit ai mendon se karriera e tij politike nuk është në rritje dhe në ecuri, por është drejt fundit. Kështu që në njëfarë mënyre, kërkon të pasurohet sa më shumë, të hakërrojë sa më shumë. Është diçka me interes personal dhe fitimprurës.

 

Si e vlerësoni ju protestën për Teatrin, edhe pas një viti?

 

Kam shokë të cilët thonë se atë që bëri Teatri i Operas dhe Baletit para 20 vjetëve, nuk e bëjnë dot këta sot. Atëherë  ishte një tjetër kohë, menefregizmi i sotëm nuk ishte krijuar. U bë një sensibilim shumë i madh, sidomos me hyrjen në grevë të urisë atëherë, që ishte vërtetë një grevë urie. Zgjati shtatë ditë, dhe temperaturat ishin -6 gradë. Askush nuk guxonte të fuste gjë në gojë. Kur kam dalë, fatmirësisht nuk pësova kolpo tensioni, pija rreth dy shishe, tre shishe me ujë në ditë, i hidhja vitamina brenda. Rrihet jo shtatë ditë, por edhe më shumë. Ama kur unë kam dalë nga aty, kam dalë me gati dhjetë kile minus. Greva që bëjnë sot artistët e Teatrit Kombëtar dhe artistët në përgjithësi, bashkuar edhe me përkrahjen e popullit, qytetarëve, është një ngjarje fantastike. Ka një kohëzgjatje jashtëzakonisht të madhe. Edhe sot që ju erdhët aty, megjithëse ditë e ftohtë, ata qëndrojnë aty, siç kanë qëndruar në borë, në shi. Pak janë në prezencë, por përkrahja është e madhe.

 

 

Në fund, do doja të dija mëndimin tuaj për tërheqjen e disa artistëve nga protesta për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar?

 

Është keqardhje. Kjo që ndodh ka dy arsye. Kemi prirjen që ndryshojmë qëndrim në bazë të interesave. Favori më i madh që ka ky kryeministër, është manipulimi. Ai është manipulator i jashtëzakonshëm. Di që në kohën e grevës sonë, hynë klane brenda, të cilat nxorrën informacione që as CIA Amerikane nuk do t’i gjente dot. Edhe informacione rreth familjeve tona, deri në detaje. Filluan presionet në forma nga më të ndryshmet. Unë mbaj mend një person atëherë, fillimisht ishte pro grevës, një artist i mirë, ndjesë pastë, Agron Alija, i cili më pas u tërhoq. Më pas u mor vesh që ishte manipuluar. E njëjta gjë, me shumë keqardhje, ka ndodhur edhe sot.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here