“Mjerimi” i Migjenit, realitet te Bregu i Lumit. Banorët e komunitetit rom: Jeta mes barakave dhe kafshatës së bukës!

0
158

Ky eshte suplementi i ri i gazetes “standard”, ku do te rrefejme duke prekur nga afer historite njerezore te njerezve te pamundur, te atyre qe japin kontribut te madh por qe kane mbetur ne hije apo dhe te te atyre qytetareve qe u shkelet e drejta. Si numer te pare per kete suplement, permes  gazetares Aida Topalli zgjodhem te prekim nga afer nje nga zonat me te vuajtura te kryeqytetit, nje realitet ndryshe tek Bregu i Lumit. Banoret e komunitetit rom permes dhimbjes edhe mjerimit tregojne jeten e tyre mes barakeve…

Nga Aida Topalli

Data shënonte 10 shkurt, e diela e dytë e muajit, ndërsa “Standard” udhëtoi drejt Bregut të Lumit. Emër jo pak i dëgjuar, i paragjykuar, por mbi të gjitha i lënë në harresë. Dikur fabrika përpunimi hekuri, sot gërmadha në të cilat kanë gjetur strehë adoleshentët, apo ajo klasë e shoqërisë, konsumuese e lëndëve narkotike. Ndërsa pak më tutje, teksa kalon gërmadhat, ndjehet një gjallëri. Zëra fëmijësh të pafajshëm, trapane, fresibla, zëra grash që iu bërtasin binjve, shpesh pa shkak. Gërthitje që shkojnë deri në mallkim… Zhurmë çoroditëse, një vend i hapur në krye, ndërsa rrezet e diellit dhe qielli blu, e bënin këtë pamje, të njëjtë me atë që shumica nga ne e kanë parë vetëm nëpër filma. E pabesueshme se si pak minuta larg qytetit, kafeneve, dyqaneve me lule e rroba firmato, qendrave të internetit, restoranteve, njerëzve të veshur e të kuruar deri në detaj, skamja është ulur këmbëkryq. Madje edhe brenda përbrenda asaj zone të mbuluar  në varfëri, kishte luks… Dallimi niste që aty…  Një kodër, në të cilën edhe dielli i shkurtit të përvëlonte, fshihte në të tatëpjetën e saj jetën e 10-ëra familjeve “të dorës së zezë”.

Baraket, që për mur kanë kartona apo plastmasë, ndërsa për çati llamarina. Ndër to, pak kishin fatin t’i kishin të mira, që të prisnin pak shirat, ndërsa pjesa tjetër, as këtë fat minimal, nuk e kishte. Dyer të improvizuara, soba të falura, pa televizor, pa frigoriferë, pa enë guzhine, pa tavolinë, pa lavatriçe, e më e keqja, pa bukë për të hequr urinë. Ajo çfarë më ngeli peng, por që nuk arrita t’i pyesja dot, nga keqardhja dhe befasia që ndjeva, ishte kurioziteti se ku I kryejnë nevojat personale këta njerëz, ku bëjnë dush…  Poezitë e prozat e Migjenit, që flasin për një realitet të viteve ’30 në vendin tonë, ishin aktuale edhe aty. Këmbët e zbathura në mes të dimrit, nënat që mallkojnë fëmijën pse i lindi, vuajtjen për kafshatën e gojës, shiun që bie brenda në shtëpi, e në momente të caktuara, kur ata janë në kulmin e gëzimit, se një natë mund të kenë shtruar darkën e parë të mirë, një pikë uji, përzierë me llumin e llamarinës, t’iu bjerë në mes të sofrës, e t’iua shuajë atë ëndërr e atë dëshirë. Përtej dhimbjes njerëzore, lind një pyetje e stërmadhe, drejtuar pushtetit vendor fillimisht, e më pas atij qëndror.

Premtimet e dhëna në çdo fushatë elektorale, se do vihet dorë mbi banesat e tyre, mbi të ardhurat dhe mbi nevojat e përditshme, ku janë? Në asnjë pjesë nuk pashë investime. Një shi sado i lehtë, depërton brenda barakeve, jo vetëm nga “çatia”, por edhe nga dyert. Bashkëjetesa me të ftohtin, skamjen, paushqyeshmërinë, sëmundjet, shiun, papastërtinë… është kontrata e tyre e patjetërsueshme, përsa kohë askush nuk kujtohet për veprime serioze. Pakot e ushqimeve, batanijet, apo televizora e smatphonë-t, nuk janë zgjidhja. Ato janë kënaqësi e momentit dhe një mënyrë për të mos i lënë më në harresë nga sa janë, por asgjë nga këto, nuk llogaritet, përsa kohë atyre iu mungon një çati dhe një shtëpi, sado e vogël, por e sigurt. Jashtë regjistrimeve dhe pak larg vëmendjes së prindërve, “Standard”, e shoqëruar nga një grup minorenesh të komunitetit, duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në vend, i pyeti këto të fundit nëse kanë patur ngacmime. Nuk e mohuan një gjë të tillë, porse nuk pranuan të flisnin më gjatë.

 

Dëshmitë e banorëve të Komunitetit Rom, pranë Bregut të Lumit

 

Tan Kruja, kështu quhet një nga banorët e Komunitetit Rom pranë Bregut të Lumit, i cili u prononcua për Standard, lidhur me mbështetjen e dhënë nga Bashkia Tiranë. Babai i 11 fëmijëve, i papunë, me një ndihmë sociale vetëm 8 mijë lek, me një barrakë, të improvizuar, jetonte në kushte skandaloze. Ai tregoi për gazetën se si partitë politike kanë bërë dallime në mbështetjen e komunitetit. Sipas tij, vetëm në kohën e PD-së apo LSI-së ata kanë marrë mbështetje të majme, financiare, në ushqime dhe në ngrohje e veshmbathje, ndërsa sot, janë lënë në harresë. Pavarësisht premtimeve, shtoi ai, asgjë nuk është plotësuar, porse ai dhe dhjetëra familje të tjera, jetojnë si në mesjetë.

 

 Pjesë nga Intervista me Tan Krujën

  1. Kruja, a mund të tregoni pak për eksperiencën tuaj jetësore në këtë Komunitet? A keni patur mbështetje vendore?

 

Kam që në vitin 1992 që kam ardhur këtu. Katër kandidaturat që janë zhvilluar zgjedhjet, përsa kohë unë jam banor i zonës, i merrte Partia Demokratike. Në kohën e Arben Tafajt, patëm një mbështetje të madhe. Ishte koha kur ne na u dogjën barakat. Erdhi bashkë me stafin, na dhanë vlera monetare të konsiderueshme dhe çadra. Ndërsa kur u bënë zgjedhjet me Erjon Veliajn, vijnë disa të LSI-së për të na kërkuar votën, duke na siguruar edhe mbështetje. Votën e këshilltarëve bashkiakë ia dhamë LSI-së, ndërsa për kryebashkiak Veliajt. Kandidati i LSI-së, Erion Xhafaj, na ka qëndruar pranë e na ka ndihmuar.

Çfarë ndodhi më pas?

Në kohën që Veliaj shkarkoi katër administratorët e LSI-së, mes tyre edhe Xhafajn, na i kanë bllokuar arteriet. Po vuajmë për bukën e gojës. Na ka ndihmuar pak edhe një zonjë, Anisa Ruseti, pa ndihmën e asaj, do ishim akoma në mesjetë. Akoma marrim mbështetje.

Nuk iu ka ofruar bashkia ndonjë punë?

Nuk bëhet fjalë, vetëm mashtrime në maksimum.

Si i siguroni të ardhurat?

Sa tek plehrat, sa tek kanaçet.

Arrini ta siguroni bukën e gojës me këtë punë?

As që bëhet fjalë. Jemi zhytur në borxhe në të katërta anët.

Sa fëmijë keni?

Kam 11 fëmijë. Një e kam në Francë, ka ikur në azil. Ndërsa të tjerët i kam këtu.

Të gjithë jetoni në këtë dhomë?

Unë kam dy dhoma. Por njëra është e djalit, ndërsa unë me nusen dhe katër fëmijët e vegjël flemë në këtë barrake.

Fëmijët a i keni të gjithë të shkolluar?

Jo, vetëm katër fëmijët e vegjël.

Cila është arsyeja?

Nuk kemi patur kushte. S’kishin rroba, shkolla ishte larg. Nëpër shi, pa çadër, pa gjë, nuk i çonim dot.

—————————————–

Intervista me Sadeten, vajza 11 vjeçare e Tan Krujës

 

Sadetja, vetëm 11 vjeç, shkon në shkollën Ardian Klosi, për të ndjekur klasën e tretë. Ajo tregoi për Standard se si paragjykohet nga bashkëmoshatarët e saj, dhe se si ajo nuk tregon për këtë fakt, por vazhdon ta mbajë të ndryshur në vete, fenomen ky jo i rrallë tek fëmijët, por shumë i dëmshëm për ta.

 

Sadete je në shkollë?

Po

Tek cila shkollë?

Tek Shkolla Ardian Klosi

Në çfarë klase?

Në klasë të tretë sepse kam hyrë me vonesë.

Sa vjeç je ti?

Jam 11 vjeç.

Sadete, është e vështirë për ty të jetosh në këto kushte?

Po, shumë.

Po për veshjet e përditshme në shkollë, si ia bën? Paragjykohesh nga shoqet? A ndihesh inferiore?

Po. Thonë që kjo ska rroba. Vjen me të njëjtat rroba përditë.

Po ti çafrë iu thua kur ato të drejtohen në këtë mënyrë?

Unë nuk flas fare.

Po mësuesët çfarë thonë lidhur me këto?

Nuk iu them mësuesve. Sepse ata nuk thonë gjë në sy të tyre.

Sa vëllezër dhe motra jeni?

4 vëllezër dhe 7 motra.

————————————————————–

 

Historia e Marjetës, nëna e re me barrë e tre fëmijëve dhe një djali të sëmurë

Mamaja e tre fëmijëve, me njërin djalë të sëmurë, vetëm 8 muajshe, është diagnostikuar me ftohje dhe deformim të shtyllës kurrizore. Në pamundësi për t’i blerë korsenë apo për t’i kryer ndërhyrjen, ajo bëri apel për ndihmë. Për shtëpi kishte një barrake me kartona, me llamarina të cacra, ndërsa po të binte pak shi, sa nga tavani, sa nga dera, gjithë uji depërtonte brenda.

 

“Kam një ankesë për njësinë Bashkiake nr. 4. Mua mu dogj shtëpia. Po më digjej edhe vajza brenda. Unë nuk kisha ngrohëse, dhe për të tillë përdorja një tepsi me qymyr. Shtëpinë e kam patur të gjithën me kartona, na falën disa dërrasa që e kam mbërthyer pak më mirë. Pasi mu dogj shtëpia, njësia bashkiake 4 nuk më ka ofruar asnjë ndihmë”- tha Marjeta që në fillim të bisedës.

Je ankuar?

Jam ankuar, kam shkuar, më kanë thënë që nuk kemi fonde. Ilaçet e fëmijës nuk mi jep askush. Këtë të voglin ma nxorrën me skoliozë në shtyllën kurrizore. Unë nuk para që t’i blej jelekun 650 mijë lekë të vjetra. Ky vetëm ilaçe merr. Më ndihmojnë farmacitë. Ka ftohje në mushkëri se flenë në tokë. Një divan që kam, vë fëmitë e mëdhenj.Të tjerat kur kam mundësi ia marr vetë. Ma dhanë për shtrim, nuk i shtroj dot.

Iu trajtojnë mirë kur shkoni nëpër spitale?

Ka edhe që bëjnë racizëm. Ka raste kur kam qenë me vajzat, kanë patur merak me kap fëmijët. Kur nuk ke kushte ku t’i dërgosh. Çohemi natën se na hyn uji brenda, nga lart rrjedh shumë.

 

———-

 

Prononcimi i nënës së Marjetës: Marr 17 mijë lek të vjetra, ç’të bëjë më parë?!

 

Ndërsa vijonim në hulumtimin e zonës, përpara na del një zonjë rreth të 50-ave, me bukë në dorë. Ndërsa ushqehej në këmbë, na përshëndeti dhe na pyeti kush jemi. Pas prezantimit na ftoi në shtëpinë e saj. Para derës, pacaka se dielli nuk depërtonte deri në oborrin e saj, po lante me rrobat me dorë. Sapo hym brenda pamë një tenxhere elektrike, në të cilën po sajonte drekën. Teksa e pyetëm se si ia bënte që të gatuante, ajo tha se marrin borxhe, dhe punojnë gjithë ditën duke mbledhur kanaçe, që të shlyejnë borxhet, për t’i lënë kështu hapësirë vetes, marrjen sërish të borxheve.

 

“Ja ku jetoj! Po laja rrobat me dorë, nuk kam lavatriçe. Po më binte të fikët, se u lodha. Nuk kisha çfarë të haja tjetër, po ha bukë me një kokkërr vezë. Më parë na jepnin ndonjë ndihmë. Tani një herë sjellin, njëherë jo”- kështu u shpreh në fillim zonja.

Ku gatuan?

Kam vjedhur korendin, se nuk kam drita.

Merrni ndihmë sociale?

Marr 17 mijë lek të vjetra. Kam edhe vajzën. Ajo jeton bashkë me burrin tek shtëpia ime. Ka edhe dy fëmijë.

Po për t’u ngrohur si ia bëni? Si e kaluat këtë dimër?

Bënim zjarr. Më kanë falur një sobë.

Po me ushqimet si ia bëni?

I marrim borxh.

Por borxhet duhen larë, se për së dyti nuk iu japin më….

Dal që pa gdhirë e mbledh kanaçe, shishe, vetëm që të mundem të shlyej ato borxhe. Janë treguar zemërmirë e na kanë mbështetur edhe shitësit e marketeve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here