Standard.al

‘Rrugët politike kanë mbaruar.’ Paloka: Qytetarët duan largimin me forcë të Ramës

0

Edi Paloka shprehet se brenda vitit do të zhvillohen dy palë zgjedhje, ato lokale dhe parlamentare. “Në qershor apo jo, lokale, parlamentare, apo të dyja bashkë, zgjedhjet do të zhvillohen pasi ato janë e vetmja mënyrë demokratike që shqiptarët të zgjedhin drejtuesit e tyre lokalë dhe parlamentarë”, deklaron z.Edi Paloka.

Edi Paloka, nënkryetar i PD-së dhe Kuvendit, paralajmëron kryeministrin Edi Rama se më 16 shkurt shqiptarët do të derdhen në rrugë, ndaj ai ka në dorë që të zgjedhë formën e largimit nga qeveria. “Në të kundërt – thotë Paloka, – qytetarët do ta largojnë nga karrigia e kryeministrit”. Z.Paloka përmes “Gazeta Shqiptare” tregon presionin që shqiptarët anembanë vendit po bëjnë për largimin me forcë të z.Rama. I bindur se më 16 shkurt Edi Rama nuk do të jetë më kryeministër, nënkryetari demokrat flet për atë çfarë do të ndodhë më pas, duke përmendur se nuk është e rëndësishme data, por vlefshmëria e zgjedhjeve. Edi Paloka shprehet se brenda vitit do të zhvillohen dy palë zgjedhje, ato lokale dhe parlamentare. “Në qershor apo jo, lokale, parlamentare, apo të dyja bashkë, zgjedhjet do të zhvillohen pasi ato janë e vetmja mënyrë demokratike që shqiptarët të zgjedhin drejtuesit e tyre lokalë dhe parlamentarë”, deklaron z.Edi Paloka.

Z.Paloka, opozita ka paralajmëruar protesta kundër qeverisë, të cilat do të kulmojnë më 16 shkurt, por cili është konkretisht synimi i tyre?

Protestat kanë mbetur përfundimisht e vetmja formë reagimi ndaj një kryeministri jo vetëm të shurdhër dhe indiferent ndaj problemeve të qytetarëve, por edhe arrogant ndaj kërkesave më minimale dhe jetësore të tyre. Kemi parë në gjithë këto vite një kryeministër që angazhon qeverinë dhe përdor të gjitha resurset dhe të gjithë pushtetin vetëm në shërbim të tij, familjes së tij dhe një grushti miqsh të lidhur po me interesa të tij. I pangopur për vete dhe mizor me ata që po i mbysin hallet e problemet. Kemi parë një kryeministër që përdor pushtetin dhe paratë e shqiptarëve për të realizuar edhe teka ekstravagante të tij; kryeministër që merr çarterin për të bërë një foto me Kristiano Ronaldon, apo që ia dedikon kohën hapjes së ekspozitave personale në galeritë më të njohura e më të shtrenjta në gjitha anët e botës. Është po ky kryeministër që tërbohet, bëhet arrogant, kërcënon e sulmon njerëz që ngrënë zërin se nuk kanë bukë për fëmijët e tyre. Është ky që burgos njerëz që protestojnë, sepse për shkak të planeve korruptive të qeverisë mbeten pa shtëpi e hidhen në rrugë të madhe. Është ky që tërbohet kur studentet reagojnë se nuk përballojnë dot shkollimin e u dërgon policinë e Lleshit t’i dhunojë. Sot ka marrë në dorë kontrollin e gjithçkaje; ka një qeveri me kukulla, një parlament privat, drejtësi të kapur, media nën urdhër dhe një të ashtuquajtur shoqëri civile, që jo vetëm nuk reagon, por shpesh është vënë në shërbim të Ramës, duke u kthyer në zjarrfikëse të reagimit qytetar. Kjo e ka bërë që Rama të nxjerrë gjithnjë e më shumë fytyrën e tij të vërtetë, atë të një qenieje diz humane dhe brutale, të cilës arroganca dhe çmenduria i janë bërë bashkë. Tanimë është e qartë se me një kryeministër i cili fut në listën e armiqve dhe quan “kazan” këdo që guxon qoftë edhe t’i verë në dukje gabimet, rrugët politike kanë mbaruar. Në këto kushte janë qytetarët, që me mijëra, prej kohësh i kërkojnë opozitës të organizojë revoltën popullore, me një qëllim të vetëm, largimin me forcë të së keqes që quhet Edvin Rama. Largimi i kësaj qeverie është hapi i parë nga do të fillojë ndryshimi.

Vendimi politik i PD-së për të nisur një sezon protestash, a do të çojë drejt një aksion radikal për largimin e kryeministrit Edi Rama?
Ju thashë, vendimi nuk është i PD-së, por i qytetarëve dhe jo vetëm PD-ja, por e gjithë opozita është angazhuar në organizimin e protestës më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë në këtë vend.

Atëherë do i çoni njerëzit si “mish për top”?
Ne e kemi shprehur më se një herë se nuk i çojmë njerëzit mish për top për të marrë pushtetin si Edvin Rama, prandaj po e përsëris se vendimi për largimin e kësaj qeverie është i qytetarëve e në këto kushte, ata vendosin edhe se si e realizojnë vendimin e tyre. Ne jemi bashkë me ta. Kam bindjen se kur i gjithë ai popull të dalë në rrugë, do i duhet Ramës të marrë vendime te shpejta, sepse në një mënyrë apo një tjetër, do të jetë ai që do të përcaktojë mënyrën se si preferon ta zbatojë vendimin që kanë marrë qytetarët për fatin e tij.
Cilat janë motivet e protestave që do të organizohen në rrethe? Cili është konkretisht kalendari i protestave? Për çfarë tematikash, apo problematikash do të protestohet?
Motivi i protestave janë problemet e qytetarëve, që rëndohen gjithnjë e më shumë e jo vetëm nuk gjejnë zgjidhje, por hasen edhe me arrogancën gjithnjë e më absurde të Ramës. Motivi është jeta e gjithsecilit e vështirësuar dhe përkeqësuar si kurrë më parë; varfëria, papunësia, mungesa e ndihmës sociale, pensionet mizerabel, pamundësia për t’u arsimuar siç duhet, shëndetësia që është bërë më e shtrenjtë e njëkohësisht e rënë në mënyrë drastike në cilësi e shërbim, pasiguria totale, korrupsioni dhe krimi, të gjitha këto të lidhura direkt me kryeministrin dhe qeveritarët.

Si do i bindni qytetarët që të vijnë në protestë për të rrëzuar Edi Ramën?
Ju thashë, nuk jemi ne që duhet të bindim qytetarët, janë ata që na kanë kërkuar të vihemi në krye e të organizojmë protestat dhe revoltën kundër Ramës. Ju e shihni që sot në krah të Ramës kanë mbetur vetëm ata që janë të zhytur si ai në llum. Nuk ka mbetur asnjë njeri me pak dinjitet që nuk është distancuar prej tij. Edhe mbështetës të njohur të tij dikur janë detyruar të deklarojnë publikisht se ka ardhur koha që Rama të largohet. Të tjerë ish-mbështetës të tij që nuk iu bën goja të shpallin domosdoshmërinë e largimit të Ramës janë tërhequr në heshtje, sepse e kanë kuptuar se të jesh sot në krah të tij është mëse e turpshme. Për këto arsye, Rama po tenton në mënyrë të dëshpëruar të luajë një gur të fundit, duke shfrytëzuar zhgënjimin jo pa arsye të shqiptarëve nga politika. Duke u përpjekur të tregojë se e gjithë politika është njësoj e qelbur, dëshpërimisht iu kërkon të lënë atë në karrige e të mos tentojnë të ndryshojnë gjërat. Thashë që kjo është tentativë e dëshpëruar se tanimë shumica absolutë e shqiptarëve janë të bindur që Edi Rama duhet larguar, sepse largimi i tij është kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të ndalur të keqen e për të filluar ndryshimin. Pas kësaj, shqiptarët vetë do të vendosin se çfarë alternative do të zgjedhin, por unë mendoj që tanimë PD-ja po e konsolidon besimin për të ardhmen e afërt, jo vetëm te shqiptarët, por edhe te ndërkombëtarët. Sidoqoftë, kjo do të shihet në hapin tjetër, pasi të jetë larguar Rama dhe një qeveri tranzitore t’u krijojë kushtet njerëzve për të zgjedhur lirisht.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Basha kërkoi mobilizimin e të gjithë demokratëve për të nisur një sezon protestash, të cilat do të kulmojnë me largimin e Edi Ramës. Sa të mundur e shikoni ju këtë?
Unë mendoj që jo vetëm demokratët, jo vetëm opozita, jo vetëm qytetarët që po ndeshen çdo ditë me vështirësitë e krijuara nga qeveria më e keqe që ka njohur ky vend në pluralizëm, por edhe çdo qytetar tjetër i përgjegjshëm për fatin e vendit të tij, brenda apo jashtë Shqipërisë sot duhet të reagojë. Dhe unë mendoj që po reagojnë. Nuk ka intelektual të mirënjohur të botës mbarëshqiptare që nuk ka kërkuar sot publikisht largimin e Ramës. E thashë edhe më lart, të konformohesh sot me Ramën është turp, por edhe përgjegjësi e madhe qytetare dhe patriotike, nëse doni. Unë e kam shprehur edhe herë tjetër, për mua largimi i Ramës sot është akt patriotik.

Cili është plani i PD-së më tej, çfarë ndodh nëse Edi Rama nuk dorëhiqet?
Sigurisht që Rama nuk ka dëshirë të largohet, edhe pse e sheh shumë mirë që këtë sot e kërkojnë shumica absolute e shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarët. Në këto kushte, siç thashë edhe më lart, me reagimin e tij, ai ka në dorë të vendosë vetëm mënyrën se si do të largohet. Zgjedhjet, Rama ua ka hequr shqiptarëve si opsion për largimin e tij, por pas largimit të Ramës, zgjedhjet do të jenë i vetmi opsion për përcaktimin se kush do të qeverisë më tej.

A do hyjë PD në zgjedhjet lokale të 30 qershorit? A ka nisur bisedimet PD-ja me aleatët për zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale?
Paralelisht me përgatitjen e protestave, strukturat e PD-së kanë marrë udhëzimet që të vazhdojnë edhe me përgatitjen për zgjedhje. Ky është një proces që sigurisht përfshin përzgjedhjen e kandidaturave si një element mjaft i rëndësishëm, përfshi kandidaturat për pushtetin lokal, por edhe për parlamentin. Data e zgjedhjeve për mua, por besoj për këdo, është e parëndësishme krahasuar me vlefshmërinë e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ne duhet të përgatitemi dhe po përgatitemi sepse në qershor apo jo; lokale, parlamentare apo të dyja bashkë zgjedhjet do të zhvillohen, pasi ato janë e vetmja mënyrë demokratike që shqiptarët të zgjedhin drejtuesit e tyre lokalë dhe parlamentarë.

Si e shikoni ekipin e ri të z. Basha të dalë nga zgjedhjet e brendshme në PD, pjesë e të cilit jeni edhe ju vetë? Pjesa më e madhe e sekretariateve përbëhet nga njerëz teknikë. A frymëzon ky ekip i ri, sipas jush? Nisur nga lista e propozuar nga z.Basha për anëtarë në Këshillin Kombëtar të PD-së, por edhe në kryesi, duket se ka një tentativë për të afruar sa më shumë kontribuues të PD-së në struktura të larta të partisë. Kush tjetër duhet t’i bashkohet PD-së?
Ai që ju e quani “ekipi i ri” përfshin nga themelues të PD-së, njerëz dhe personalitete që kanë mbi 20 vite në politikë, deri te figura të reja në drejtim, por jo në politikë. Me këtë dua te them se nuk jam dakord me atë që shprehet ju se sekretariati përbëhet nga “teknikë”. Është e vërtetë që sekretariati përbëhet nga individë me cilësi dhe performancë të lartë në profesionet e tyre, por kjo nuk i bën apolitike apo “teknike”, përkundrazi. Pothuajse të gjithë ata kanë një jetë jo të shkurtër politike dhe do të thosha kontribute domethënëse në politikën e opozitës, pavarësisht se jo të gjithë, për arsye objektive kanë bërë atë që quhet “jetë partie”. Ato që unë do evidentoja te ky “ekip”, përveç të tjerave, janë përkushtimi njerëzor, pastërtia dhe ndershmëria, që duket se sot janë veti të rralla në politikë. Siç kam thënë edhe një herë tjetër, as gojët e qelbura të “rilindjes” nuk arrijnë t’i bëjnë dot pis dhe dua të rikujtoj që te ky ekip nuk ka vetëm të rinj, por edhe politikanë që profesionalizmin dhe ndershmërinë e tyre e kanë treguar edhe në poste ministrash./ Gsh.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.