Standard.al

Edhe një herë Meta e vërtetoi: Mbi ligjin nuk ka hatër, aq më pak kompromise

0

Mbi Ilir Metën ka qëndrime të ndryshme sa i përket figurës së tij.  Ka nga ata që e quajnë Presidenti-partiak, ka nga ata që e cilësojnë si njeri që vepron në favor të interesave të opozitës, ka nga ata që e vlerësojnë qëndrimin e tij, ka dhe nga ata që flasin për një President mbarëkombëtar.  Përkrah të gjitha këtyre qëndrimeve, është fakt dhe asnjë nga grupet e mësiperme nuk mund ta mohojë se Meta ka vërtetuar me vendime e qëndrime se mbi parimet e shtetit nuk vendos ato personale.

Sot edhe një herë tjetër Ilir Meta e vërtetoi këtë!

Në kushtet kur ujërat sapo ishin qetësuar nga një marrëdhënie e acartë mes Presidentit e Qeverisë për cështjen e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta nuk nguroi sot të shprehë kundërshtinë e tij përmes argumenteve ligjore për atë që cilësohet si afera e dekadës : “ Unaza e Re”. Pas një takimi të zhvilluar me një përfaqësi të banorëve që protestojnë prej thuajse 3 muajsh mbi projektin korruptiv, Presidenti Meta përmes ekspertëve ligjore koptoi një dosje të plotë me shkeljet e projektit dhe kërkoi tërheqjen e Qeverisë.

Por më shumë se përplasja e përhershme me Ramën, i cili edhe këtë herë uli nivelin me akuza banale e pa argumenta, ishte debati interaktiv mes kreut të shtetit dhe kryebashkiakut të Tiranës.  Shpesh në publik është perceptuar se Veliaj ka qenë i përkedhuluri  i Presidentit, pasi deri më tani nuk është sulmuar nga Meta.

Por ditën e sotme, kur bëhej fjala për një çështje që shkel mbi ligjin e shtetin, Meta nuk ka nguruar që t’ja plasë në fytyrë Veliajt përgjigjen mbi reagimin e tij duke pohuar përmes zëdhënësit Tedi Blushi se: “100 për qind e qytetarëve e neverisin KORRUPSIONIN e pacipë dhe KRIMINAL të Unazës së Re”. Me këtë deklaratë të fortë, Meta ka sulmuar haptazi  Veliajn, sa një njeri që mbron projektin korruptiv e kriminale të Unazës.  Edhe një herë Meta sot tregoi se mbi parimet e shtetit dhe ligjin nuk vendos ato personale, duke mos kursyer as kryebashkiakun  Veliaj për të cilin deri më tani kishte shprehur disa vlerësime.

Kujtojmë se një situatë e ngjashme ishte edhe me rastin e dekretit të ministrit të Jashtëm. Sic edhe vetë Presidenti ka pohuar , por që në fakt është e njohur nga të gjithë, marrëdhëniet mes Metës e Bushatit nuk kanë qenë asnjëherë të mira, madje në kohën e koalicionit PS-LSI, nuk ishin të paktat rastet kur lobimi kundër Metës nga Bushati bëhej edhe jashtë vendit me porosi të Ramës. E megjithatë, e gjithë kjo klimë “armiqësie” me Bushatin, nuk e ndaloi Metën që të vendosë shtetin e Kushtetutën para interesave personale. Kështu Meta refuzoi kandidatin Cakaj të Ramës, duke shprehur një sërë argumentash për këtë vendim dhe nga ana tjetër vendosi që në krye të dilomacisë derisa të propozohej një emër tjetër nga Rama të qëndronte pikërisht Bushati . Dhe më tej qëndrimet e Metës ndaj ish-diplomatit shqiptar kanë qenë vlerësuese, paçka se marrëdhënie mes tyre ka qenë gjithnjë e ftohtë.

Po të khehemi më herët në kohën e detyrës si kryetar Kuvendi, ishte Meta ai që me të gjitha qëndrimet e tij nuk ndau palët, por mundësoi një votim unanim të pakës me ndryshime kushtetuese duke theksuar se kjo reformë nuk mund të ecte përpara me shkelje të Kushtetutës. Ndoshta në atë koha, Meta mund ta kishte më të leverdisshme të heshte e të mos i kundërvihej as atyre që qëndronin pas Ramës në projektin ogurzi të kapjes së drejtësisë , sic ishin ambasadorja Vlahutin e  dhe ambasadori Lu. Por duke vendosur mbi interesat personale ato kushtetutese, Meta i qëndroi deri në fund bindjes së tij se 20 votat e LSI do jepeshin vetëm për një reformë jo në shkelje të Kushteutës së vendit dhe në konsensus të plotë mes palëve. Sic edhe realisht ndodhi në atë kohë, paçka se më vonë mazhoranca socialiste arriti ta shtrëmbërojë reformën e ta sjellë sërisht në hulli antikushtetues.

Dhe  e njëjta sjellje e qëndrim u përsërit edhe sot, duke vërtetuar për të disatën herë se në detyrat e tij, Meta nuk bën kompromis mbi shkeljen e ligjit, qoftë edhe kur përballë ka një të “preferuar” apo “armik”.

 

REDAKSIONALE: standard.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.