Standard.al

Petrit Vasili: Protestë pa kthim për të rrëzuar Edi Ramën, për të shpëtuar të ardhmen evropiane

0

Më në fund duket se opozita është organizuar dhe data 16 do të shënojë dhe fillimin e protestave të fuqishme…

Intervista e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, për ‘Ora News’

Kam disa jo korrektime, por disa sqarime, për të qenë edhe publiku më i qartë. Ju e dini që ne, jo më larg se në muajin maj të vitit që shkoi kemi pasur një protestë të madhe masive, ku më tej ka pasur një vendim politik siç e dini për të ndalur me to. Pasi ishte në horizont një vendim për negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe natyrshëm respektuam një prioritet strategjik. Së dyti, kemi qenë shumë të qartë në qëndrimin tonë strategjik, për dekriminalizimin e politikës shqiptare, ku morëm një nisëm e cila pavarësisht nga sabotimi i përkohshëm që i bëri maxhoranca, pasi një nisëm e filluar sot sigurisht nuk i ka numrat e duhur, por do të gjejë rrugën nesër, siç është Vettingu në politikë. Dhe siç rezulton, koha na dha të drejtë, pasi kudo nëpër Evropë, edhe mediat evropiane tashmë të çliruara sepse ato nuk kanë problemet e mediave shqiptare, po japin dëshmi tronditëse për atë kriminalizim dhe për atë nevojë për Vetting politik që ne e ngritëm si kauzë të madhe tonën, duke demaskuar njëherazi dhe skandale pafund, të cilat bën që ministrat të largohen, situata të precipitojë, skandale të një korrupsioni masiv, i cili tashmë ka kaluar në Shtetet e Bashkuara janë evidente. Pra, për ta konkluduar kemi pasur një qëndrim strategjik dhe politik shumë të qartë. Kushdo në median shqiptare apo edhe të tjerë, të cilët kanë pasur një lloj akaparimi për të mos e parë është në të drejtën e tyre dhe janë pjesë e asaj minorance të popullsisë, që nuk do ti shohë gjërat. Ne nuk i referohemi asnjëherë asaj, i referohemi asaj mazhorance të madhe të qytetarëve, të cilët vuajnë në mënyrë të përditshme me një seri hallesh, të cilët ata që janë rehat edhe nga pikëpamja financiare edhe nga pikëpamja dhe nga pikëpamja e rregullimit të jetës së tyre nuk duan ti shikojnë, është punë për ta.

Thatë pak më parë se i ndërpret protestat për shkak të negociatave. Megjithatë negociatat pritet të hapen në qershor të këtij viti. Prapë do ti paraprini me protesta çeljes së negociatave?

Koha përsëri na dha shumë të drejtë. Pasi theksuam që do ta bëjmë këtë detan në atë kohë, pavarësisht se nuk shpresonim që të kishim një rezultat pozitiv, pasi kriminalizimi ishte në një shkallë kaq të lartë, saqë absolutisht BE nuk mund të mbyllte sytë para kësaj. Ju e dini shumë mirë që në atë kohë ishin pesë kushte, dhe u shtuan edhe dekriminalizimi, u shtuan problemet e parasë së pisët, u shtua reforma zgjedhore, u shtuan një seri kushtet që ishin pikërisht kauzat që opozita kishte ngritur në mënyrë sistematike. Plus korrupsioni që u vendos si kryefjalë. Pra edhe në atë kohë, edhe tani, koha na ka dhënë të drejtë. Atëherë ndodhemi përpara një situate ku negociatat duhet të hapen. Janë një prioritet madhor. Kemi një qeveri me reflektim zero. Një situatë që përkeqësohet gjithmonë e më shumë, qoftë përsa i takon korrupsionit dhe kriminalizimit. Unë nuk kam nevojë të dëgjoj ç’thotë qeveria, unë hap Ora News dhe shiko kronikat e pafundme të grabitjes së banesave, të maskave dhe nuk më duhet fare buletinet e policisë të cilat dalin pa data. Praktikisht kemi një kriminalizim të skajshëm dhe shkaktari, fajtori i vetëm, nuk mund të jetë opozita shqiptare, janë ata që kanë autoritetin kushtetues për ta bërë këtë punë. Atëherë jemi ngritur të gjithë së bashku, të përgatisim një reagim shumë të gjerë popullor, për t’ia hequr këtë pengesë negociatave që lidhet me Kryeministrin e vendit.

Z.Vasili, këto protesta ju gjejnë së bashku me PD-në. Pas 8 vitesh që LSI-ja ka qenë në pushtet, njëherë me PD-në, njëherë me PD-në. Ndoshta demokratët kanë pak rezerva për t’ju besuar përsëri në këtë aleancë.

T’ju bëj një pyetje, nga tre partitë kryesore që qeverisin sot vendin, ka ndonjë parti që s’ka qenë ndonjëherë në pushtet? Absolutisht jo! PD-ja ka qenë 15 vite në pushtet. Afërsisht 14 vite ka PS-ja. Në 8 prej këtyre 29 viteve, ka qenë dhe LSI-ja. Njëherazi, LSI-ja në historinë e saj të shkurtër ka qenë 2004-2009 në opozitë dhe është kthyer sërish në opozitë me vullnetin e saj të lirë. Nuk e nxori kurrkush. Ju e dini fare mirë nga deklaratat e këtij Kryeministri, i cili ka pasur lutje pafund, unë jam dëshmitar okular konfidencialisht i shumë lutjeve deri në qurrepsje, për të bërë një aleancë me PS-në, për princip, për shkak të këtyre fenomeneve që ishin, nuk kemi pranuar të bëjmë. Të treja partitë kryesore të vendit, kanë qeverisur dhe sipas misionit që populli u ka dhënë, ose kanë qenë në opozitë ose në mazhorancë. E vetmja që ka dalë me vullnet të plotë në opozitë, ka qenë vetëm LSI-ja. Thash që mund të kishim bërë një marrëveshje, do kishte qenë jo një princip fjale për ne me PS-në dhe do ishim në pushtet, sigurisht me një kalbësirë që do të na qelbte dhe neve.

Është një protestë, e cila synon rrëzimin e qeverisë. A mund të rrëzohet Kryeministri me protesta?

Ketu realisht demokracia nuk funksionon. Ju më pyesni pasi 90% e qeverisë sapo ka rënë. Kur nga 14 ministra, 9 kanë ikur, vetëm një i çmendur mund të mendojë që ne kemi normalitet qeveritar dhe qeveria nuk ka rënë. Ka rënë gjithë qeveria dhe është i fundit në radhë, por i pari në radhën e përgjegjësive, është Edi Rama. Do të kryejmë dhe aktin final për ta formalizuar këtë krizë, e cila është aty në sytë e të gjithëve. Jo vetëm që është kaq e vërtetë, por ju e kuptoni që duke mos pasur më as mbushjen politike, as përmbajtjen politike dhe vetë Kryeministri i vendit nuk e ka gjetur të udhës të vërë njerëz të politikës, por i ka dhënë pamjen e një qeverie teknike. Tani nëse ju mendoni se momentin e krizës politike do ta zgjidhim me një qeveri para apo apolitike, këtu jemi në kufijtë e një psikopatie politike, jo në kufijtë e një normaliteti politik. Atëherë çfarë do bëjmë? Ky reagim i madh politik dhe popullor, është popullor por i udhëhequr nga politika, çfarë bën? Rivendos rendin kushtetues, pasi nuk kemi më rend kushtetues në Shqipëri. Kemi thjesht dhe vetëm një abuzim për hir të disa votave. Sepse shikoni se çfarë ideje është krijuar, që ta keni edhe ju të qartë: Unë kam marrë ca vota thotë në fillim të një mandati dhe unë jam pronar i qeverisë. Qeverisja nuk është pronë e një Kryeministri, qeverisja është pronë e shqiptarëve. Në momentin që dikush ulet në një qeverisje nuk ka detyrim vetëm që të qeverisë 600-700 mijë votat e tij, por ka detyrimin të qeverisë 2 milion e 800 mijë shqiptarët.

  1. Vasili përse nuk prisni të bëni testin e zgjedhjeve lokale dhe pastaj ndoshta të kërkoni zgjedhje të parakohshme?

Jo, pasi ne kemi përgjegjësi politike, nuk mund të presim të shohim që shkatërrohet vendi.

Po por protestat e dhunshme, protestat në Shqipëri nuk kanë çuar në përmbysje pushteti, të paktën vitet e fundit. Pak ditë më parë kujtuam protestën e 21 Janarit me katër të vrarë në bulevard, por nuk pamë që z. Berisha të dorëzonte pushtetin…

Protestat e dhunshme nuk janë atribut i kësaj opozite, janë atribut i 21 Janarit, që e bënë ata që janë sot në qeverisjen e Rilindjes, e cila u lumturua së tepërmi kur pati katër viktima. I po të njëjtës Rilindje që mbushi bulevardin me çadra, për herë të parë në Shqipëri, duke e shndërruar në një banjë të madhe publike dhe në një punishte byrekësh dhe qoftesh. Këto kanë qenë standardet mizerabël që ka pasur kjo qeverisje në reagim. Protestat tona kanë qenë të mëdha, shumë domethënëse, masive dhe shumë paqësore. Unë jam i lumtur që opozita e sotme, ku dhe unë bëj pjesë, ka vendosur një standard të ri, që duhet t’ju lumturojë të gjithëve ju dhe ky standard imponon me fuqinë e njerëzve, masivitetit, me fuqinë e mesazhit dhe me fuqinë e fortë të kritikës. Kjo situatë ku jemi kërkon pikërisht këtë reagim. Do thoni ju: A ka ndonjë idiot që është i shurdhër para një reagimi të madh popullor? Po mirë ta shikojmë përballjen, një reagim i madh popullor dhe sa trima janë këto të shurdhrit. Kemi parë edhe mbathje nga sytë – këmbët por ka qenë shumë e shëmtuar, jo vetëm për ata vetë, por edhe për vendin.

Protesta e çadrës e Partisë Demokratike përfundoi me një marrëveshje, e cila i zhgënjeu demokratët. A mund të rrezikojë që edhe kjo protestë të përfundojë me ndonjë marrëveshje?

Marrëveshja e 17 majit, unë kam qenë protagonist si kryetar i LSI-së, me gjithë komentet e tjera që bëjnë, siguroi një gjë të rëndësishme që është më shumë e rëndësishme se rezultati elektoral i radhës që këtë herë ishte tërësisht i manipuluar, jo se e thamë ne. Unë nuk i kam njohur ato zgjedhje se Kryetar i LSI-së për këtë arsye për shkak të këtyre zgjedhjeje nuk e gjeta të udhës të vazhdoja të drejtoja më LSI-në pasi 25% e votave u shitën e u blenë sipas Këshillit të Europës jo sipas opozitës. Por ajo marrëveshje bëri që Partia Demokratike të hyjë në zgjedhje pasi plani i Edi Ramës, të cilin e kam të konfirmuar personalisht sikurse flas me ju ka qenë që PD-ja të rrinte jashtë zgjedhjeve dhe të kishte vetëm një Parlament ku PS-ja të kishte 110 deputetë, 30 apo 40 do i mbeteshin LSI-së dhe për të cilën ne na është afruar kjo lumturi e madhe që ju do keni 30 – 40 deputetë, por rëndësi ka që ata plehrat, ishte fjala për PD-në, të dalin përjashta, kjo ka qenë gjuha e Edi Ramës, flas në komunikimin e drejtpërdrejtë mbase është edhe skupë për ju pasi nuk i kam zbuluar gjëkundi këto biseda dhe për mua ajo marrëveshje përtej çdo rezultati, për mua bëri gjënë më kryesore që rifuti PD-në në zgjedhje dhe mbajti këtë pluralizëm që është shumë i rëndësishëm.

Kjo është gjuha me të cilën komunikon Kryeministri Rama?

Kjo është çështje tjetër, pastaj se çfarë humoresh ekzistojnë brenda Partisë Demokratike, unë po flas gjykimin politik dhe ç’kam bërë unë që të ndodhte 17 Maji, do ndodhte ju e mbani mend një takim I të gjithë partive dhe në momentin ku ne kemi mbërritur në mbledhje Edi Rama ka ardhur nga Kryeministria se Edi Rama nuk do merrte pjesë në atë mbledhje se kishte vetëm një skenar që PD-ja të mbetej jashtë zgjedhjeve dhe të krijohet një pluralizëm po të themi alla afrikan nga ato që kanë vetëm një parti dhe ca tribu që rrinë përqark.

Çfarë do të bëhet me Reformën Zgjedhore? Parlamenti e ka shtyrë edhe me 30 ditë?

Reforma zgjedhore për fat të keq, nuk duhet të ndodhte kështu, është minuar në mënyrë sistematike dhe në mënyrë të qëllimshme gjithmonë nga mazhoranca. Dikush do thotë ka merak ky, është opozitar dhe godet mazhorancën. Absolutisht jo, mazhoranca ka depozituar në mënyrë të njëanshme në Kuvendin e Shqipërisë një draft të sajin. Kjo është shkelja më e padëgjuar, nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e reformave zgjedhore dhe është edhe një debilitet politik, sepse ne kemi një komision mbipartizan, i cili është i vetmi që ka autoritetin të çojë një draft në Kuvend. Në momentin kur ai dështon, atëherë mund të lindin lloj lloj nismash nga më të çmendurat, megjithatë janë të çmendura se këto nisma duan 84 vota. Dhe Partia Socialiste e di shumë mirë që 84 vota nuk i ka. Atëherë çfarë bën? Në vend që të nxisë reformën, të mbledhim komisionin, të diskutojmë të gjitha opsionet, të reflektojmë për gjithçka që duhet reflektuar sa më parë e paraqet në mënyrë të njëanshme për ta minuar, thjesht për tu marrë me propagandë. Për çfarë arsye? Nuk e do Reformën Zgjedhore. Partia Socialiste do që të bëjë zgjedhje si në 2017-ën, ku ti vjedhë sërish, ti blejë dhe ti shesë votat. Ne e kemi thënë shqip, pa një mekanizëm që ndërpret shitblerjen e votës, të tërë historitë e tjera, shkruajeni si të doni, financim partish, reklama, do bëhen gratis, s’do bëhen gratis, se aty e kanë hallin që të bëjnë reklama pa para, të vjedhin koncesionet gjithë ditën dhe të mos paguajnë shërbimet që u ofroni juve. Por edhe ky nuk është më shqetësim për ju, por edhe mediat nuk e kuptoj përse nuk shqetësohen nga kjo marrëzi. Pra nuk e duan Reformën Zgjedhore, u kemi thënë na keni në tavolinë, e keni gati, sipas OSBE-ODIHR dhe sipas ekspertëve gjermanë. Nuk e deshën. Kanë depozituar një draft atje dhe ju e keni dëgjuar, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste thotë kemi depozituar një draft të shkëlqyer. Besoj e keni dëgjuar këtë, ndërsa vetë specialistët e tij shkruajnë në fund: draft i papërfunduar. Si mund të jetë një gjë e papërfunduar, e shkëlqyer.

Z.Vasili ndërkohë ka pasur zhvillime gjatë ditëve të fundit përsa i takon Ministrisë së Jashtme. Z.Meta përgjatë këtyre muajve ka refuzuar të paktën 15 dekrete të kryeministrit Rama, por ndërkaq dy dekretet më të rëndësishme kanë qenë ato për ministrin e brendshëm dhe për Genti Cakën. Po dje ndërkaq ka ardhur një kërcënim nga Presidenti Meta sa i takon atyre komisioneve apo marrëveshjeve ndërkombëtare, ku z. Caka nuk do të jetë i pranishëm.

Dua t’ju tërheq vëmendjen që nga të gjithë dekretet që Ilir Meta ka nxjerrë, jo vetëm kandidatura por edhe ligje, dekreti i Gent Cakës ka rëndësi aq sa ka, për mua nuk rëndësi, dekreti më i rëndësishëm që Presidenti Meta ka kthyer kaq qenë ulja e taksës për dividendit nga 15% në 8%, duke shkelur kushtetutën dhe duke i dhënë fuqi prapavepruese, për mua është dhunimi më i rëndë që i ka ndodhur Kushtetutës në këto 29 vjet. Kushtetuta thotë që, asnjë akt që nuk ka lidhje me taksat dhe me tatimet në shtetin shqiptar, nuk ka asnjëherë fuqi vepruese dhe në qoftë se unë sot jam i pikëlluar që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, që kjo është shkelja më e rëndë që nuk ka më të dytë, mund të hapni mazhorancën dhe qeveritë e viteve të trazirave të mëdha të Shqipërisë qoftë edhe të vitit 97, nuk kemi parë një hata të tillë që vetëm kjo qeveri mund ta bëjë dhe për sa i takon rastit Caka mund të themi që fjalimi i parë i z. Caka ishte komedia më e madhe që kam përjetuar unë në politikë në jetën time, politikisht 0, në pikëpamje të gjuhës së folur më pak se 0, të konstruktit letrar drejt minusit, ndërsa po ti marr të gjitha së bashku ishte një komedi e madhe por e vështirë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.