Djepi ose Vorri?

0
102

Nga Arian Galdini

Ka disa vargje Migjeni që mua më mundojnë pafund. Ai pyet veten e tij:

Unë Djepi i poezive të mia, apo Vorri i tyne…?

Që ditë kur unë guxova të bëj publike fjalët e mia, veprimet e mia, vizionin tim, veten time, ëndrën time për këtë vend, kuptova se kishte dy mundësi: Ose unë do të isha përfitues prej tyre, ose unë do të isha misionar për to.

Rruga e përfituesit është kaq e lehtë, kaq e thjeshtë, kaq e rëndomtë e madje është shndërruar në të vetmen rrugë e të vetmen kulturë që ne njohim në 106 vjet shtet shqiptar.

Shpirti i përfitimit, i ka bërë shpirtrat tanë aq të kalbëzyer sa ne nuk njohim asnjë gjuhë tjetër përveçse atë intetesit të ngushtë e meskin.

Çfarë fiton ti, po ta bësh këtë, e çfarë fitoj unë, po ta bëj atë?  Këto dy pyetje janë lajtmotivi i çdo bisede, i çdo marrëveshjeje, i çdo pakti.

E mbi këtë paradigmë të fëlligësht gjykohet e paragjykohet, dyshohet e mosbesohet kushdo tjetër, cilido që guxon të bëhet sadopak nismëtar publik i çfarëdo lloj aktivizmi.

Edhe ti e bën këtë gjë se do të kapësh ndonjë gjë.
Edhe ai po bën këtë apo atë gjë, se do me kap ndonjë llokmë.

U bëre me këtë apo me atë, se mezi pret edhe ti ndonjë thërrime…

E kështu me rradhë…

Kjo është pak a shumë Toga e Pushkatimit Psikosocial e kujtdo dhe e çfarëdolloj nisme a nismëtari që hyn në arealin publik shqiptar.

Asnjë, asnjë, absolutisht asnjë, nuk i shpëton dot këtij pushkatimi paraprak pa gjyq nga  Antikultura Domuniese e Skualifikimit.

Dekurajimi dhe Skualifikimi janë plumbat e parë që vij ë breshëri mbi këdo.

Po mbete gjallë, vijnë pastaj Përbaltja, Shpërfillja, Sharjet, Fyerjet, Lëndimi, e pafund të tilla ligësi.

Derisa ose të lodhesh e vdesësh si qen i vetmuar nga e gjithë kjo Industri Llumi e Mohimi, ose ta pranosh baltën si fakt e të dorëzohesh duke u bërë njësh me të.

Po ngrite duart lart dhe po vendose ta lëshosh veten e të bësh kompromis duke u bërë baltë si balta, nuk ka dyshim se do të kesh pranueshmëri të plotë nga të gjithë.

Do të të duan gjysma, e do të të urrejnë gjysma tjetër, ama gjithësesi do jesh pjesë e njërës prej Bandave të Industrisë së Llumit dhe Mohimit, e kjo të garanton sukses, bukë, status social, karrierë, e gjithçka ke nevojë ti individualisht.

Po “vdiqe vetëm si qen”, nuk do meret më kush me ty.

Do ngelesh diku në ndonjë skutë i strukur si kërmill që ecën duke lëpirë me shpresën se askush nuk do ta vërë re ekzistencën e tij të kotë.

Gjithë çështja qëndron tek “mosvdekja” dhe “mosdorëzimi”.

Ky lloj njeriu që as vdes e as dorëzohet e madje as traumatizohet nga Bataretë Asgjesuese të Industrisë së Llumit dhe Mohimit, ky lloj njeriu është armiku i të gjithëve.

Këtë lloj njeriu nuk e duan as të mirët si ai, e as të ligjtë.

Të mirët nuk e kuptojnë ose e gjykojnë sipas Antikulturës së Dekurajimit dhe Skualifikimit.

Të ligjtë, duan me çdo kush o ta vrasin o ta zhbëjnë.

Kur ky njeriu nuk di të vdesë, të gjithë shtojnë me këmbëngulje gjëmimet e artilerisë së rëndë për ta shfarrosur krejt si qenie sociale.

Ja këtu jam unë.

Në 28 vite jam qenë aq pranë, aq brenda lojës, aktivizmave, bashkëpunimeve politike, civile e ndërkombëtare, saqë po të kisha vdekur do isha kallur, po të isha “dorëzuar e tjetërsuar” do të isha bërë i pasur e plot fuqi e pushtete, karrierë e sukses.

Vetë jeta ime është dëshmi e rezistencës sime.

Kam qenë 18 – 19 vjet në PD, prej 1991 deri në vitin 2009.

4 vjet, prej 1991 deri 1994, kam qenë Kryetar i Forumit Rinor të PD në Vlorë.

Në vitin 1997, kam qenë kandidat për deputet i Koalicionit të drejtuar prej PD, të quajtur Bashkimi për Demokraci, në qytetin e Vlorës.

Në vitin 1998, kam drejtuar lëvizjen studentore të dhjetorit 1998.

Prej 1997 deri në vitin 2005, kam qenë një nga të rinjtë më të spikatur e më publikë të opozitarizmit qëndrestar të PD ndaj Qeverisjes së Majtë.
Me Sali Berishën e gjithë drejtuesit e PD kam pasur miqësi e lidhje direkte.

Po të doja të isha përfitues, i dorëzuar apo i tjetërsuar, i kam pasur të gjitha, të gjitha mundësitë që të bëja kompromis me parimet, vlerat, integritetin tim, e të arrija pothuajse gjithçka.

Por nuk kam dashur unë.

Ata nuk më kanë dashur mua sepse unë nuk doja kompromisin, tjetërsimin, dorëzimin.

Kaq e thjeshtë është.

8 vjet PD në pushtet (2005  –  2013), e unë përsëri mbeta një zë i lirë larg çdo pushteti.

A mund të bëja kompromis?

Sa të doja e si të doja e me kë të doja.

Që nga Sali Berisha e deri tek Lulzim Basha, i kisha miq dhe i takoja sa herë të doja.

E megjitjatë, kurrë, kurrë nuk u tjetërsova e kurrë nuk bëra asnjë kompromis si përfitues.

A kam bashkëpunuar me ta?

Po. Plot herë.

A kam përfituar gjësend prej tyre.

Zero.

A kam pasur mundësi të jem përfitues?

Pafund.

Nuk kam dashur.

Liria ime, integriteti im, parimet e mia, kanë qenë gjithmonë të shenjta për mua dhe “guri i kufinit” për çdo ujdi e bashkëpunim.

Nuk ka aktor e faktor politik, nga më të lartët e deri më të poshtmit, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, që unë nuk e njoh petsonalisht.

Pjesën më të madhe prej tyre i kam miq dhe komunikoj e takohem me ta rregullisht.

A kam mundësi të jem përfitues unë, prej këtyre njohjeve e miqësive të drejtpërdrejta politike?

Sa të më dojë kokrra e qejfit.

A kam përfituar qoftë edhe njëherë të vetme prej tyre?

Kurrë. As edhe një herë të vetme.

A jam idiot?

Ndoshta.

Mbetet ende për tu parë.

Mund edhe të jem idiot.

Unë preferoj të besoj se jam ” i pavrarë” dhe “i padorëzuar”.

A e kam vuajtur dhe a e vuaj unë këtë gjendje gati gati skizofrenike “pranë pushteteve” i paarrirë?

Sinqerisht po.
Shumë.

Gjithësesi, përderisa jam ende gjallë e në luftë, e kam ndarë mendje  të vazhdoj përpara derisa të fitoj ose të vdes.

Kur them derisa të vdes, nuk e kam fjalën për “vrasjen psikosociale” që ta shkakton përdhuna e Industrisë së Llumit dhe Mohimit.

Jo jo. E kam fjalën për vdekjen prej vërteti, atë fiziken, kur jep frymën e fundit e mbyll shtegëtimin në këtë botë.

Pra ose vdes, ose fitoj.

Në këtë gjendje e vendim jam unë.

Të gjitha këto më sipër i sqarova që të mos kemi dyzime më në vijimësi dhe të rikthehemi tek Migjeni dhe vargjet e tij.

Beteja ime ka një instrument tashmë.

Ky instrument është LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë.

Kjo parti ka lindur si pjesë dhe natyrshmëri e “poezive” që unë kam brenda meje.

Çfarë janë këto “poezi” brenda meje?

Janë vizioni im, ëndrra ime, idetë e mia, dijet e dijenitë që unë bart, vetë qenia ime me talentet dhe gatishmërinë time në shërbim të kombit dhe të mirës e vlerës publike në Shqipëri e për shqiptari.

Kurrë si kam “tregëtuar” poezitë e mia për përfitime.

Përkundërazi, kam sakrifikuar veten time, jetën time, familjen time, punën time, profesionin tim,  e shumëçka timen, për hir të “poezive” të mia.

Të tillë e shoh edhe LDE, si një “poezi” të bërë publike, por jo si krejt “poezitë”.
LDE është si “poezia” pararendëse.

Ndaj edhe luftoj me mish e me shpirt që LDE të rezistojë, ngrihet në këmbë, rritet dhe marë fuqi.

Kur e krijuam LDE në vitin 2010, nuk ia dolëm dot që ta nxirrnim në jetë.

E lamë në djep aty të pazë.

Ishte tetori i 2015, koha kur ne ndjemë thirrjen se LDE duhej të dilte nga djepi e të përpiqej të merte këmbët dhe të ecte si qengji mes ujqërve.

U deshën pak muaj jetë që ne të kuptonim se qengji do përfundonte në therrtore nëse ne nuk do ta mbronim duke e veshur si ujk e duke e futur në Shtëpinë e Ujqërve.

Vendosëm të bënim Koalicion me PD.

Në dt 1 qershor 2016, unë dhe Lulzim Basha, dolëm në një Konferencë të përbashkët për Shtyp ku edhe shpallëm Koalicionin PD – LDE.

Prej asaj dite, detyra jonë ka qenë që të jemi luajalë me Koalicionin dhe të vërtetë me parimet e vlerat tona e domosdoshmërisht me interesat publike dhe kombëtare.

Luajaliteti është detyrim për një politikan dhe parti të vlerave.

Thënia dhe kërkimi të vërtetave është natyra dhe identiteti ynë.

Që prej 1 qershorit 2016 e deri sot, nuk di një rast kur unë apo LDE, të mos i kemi qëndruar luajalë PD dhe Koalicionit Opozitar.

Sikurse, nuk di asnjë rast kur unë dhe LDE të mos kemi qenë të vërtetë dhe vërtetësifolës për çdo gjë që i përket vlerave dhe parimeve tona e interesit publik dhe kombëtar.

Janë me qindra artikujt, intervistat, shkrimet e mia ku nuk e kam kursyer luajalitetin ndaj PD dhe Koalicionit, e po ashtu nuk e kam kursyer kriticizmin parimor dhe shpalosjen e vizionit e bindjeve të mia edhe në mosdakordësi apo kundërshti të plotë me qëndrimet dhe zhivillimet në PD.

Po ta gjeni dikë tjetër apo një parti tjetër që ka thënë ato çka kam thënë unë publikisht si Kryetar i LDE mbi PD dhe Opozitën, do të isha shumë i lumtur.

Por nuk ka.

Ne nuk e kemi mbyllur gojën kurrë.

Kemi folur çka kemi menduar e besuar si vlerë dhe interes publik e kombëtar.

Nga ana tjetër kemi ditur të jemi luajalë me PD.

Tani, LDE duhet të vendosë nëse do të vijojë të jetë në Koalicionin me PD apo do ta vazhdojë udhëtimin e saj politik më vete.

Kjo nevojë për këtë lloj vendim-marrjeje, nuk do të kishte ardhur nëse PD nuk do të kishte qenë kaq joluajale me ne.

Është PD që e ka reduktuar Koalicionin Opozitar vetëm mes Partive Parlamentare.

Partitë Joparlamentare janë lënë mënjanë si teprica pa vlerë.

PD nuk e ndryshoi Kodin Elektoral dhe nuk dha asnjë alternativë të bashkëpunimit apo fuzionimit politik me Partitë e Koalicionit Opozitar, sidomos ato Joparlamentare.

PD ka vendosur që në dt 16 shkurt të nisë protestat opozitare.

Me pak fjalë, diktatura e faktit të kryer, ose do të na tërheqë të gjithëve sërish në Çadrën e PD, me hir a pahir, ose ne do të ndalemi këtu e do të shkëputemi nga Koalicioni Opozitar, për të nisur një udhë tjetër politike.

Momenti dhe konteksti janë tejet delikate dhe aspak të lehta.

Shqetësimi im është që LDE të mos asimilohet e tërhiqet zvarrë nga diktatura e faktit të kryer, e as të mos dalë në pritën dhe kurthin e ujqërve si qengj i vetmuar.

Me LDE kemi poezi për të lindur.

Qëllimi im është që LDE të jetë Djepi i poezive tona, e jo vorri i tyne.

Për tu bërë Djep, na duhet të marim vendime të guximshme dhe rreptësisht të mençura.

 

Arian Galdini

Kryetar i LDE

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here