Radari i 5 viteve/ Koncensionet me faturë 2 miliardë euro s’mund të amnistohen me “çfarë kaloi u harrua”

0
117

 Nga Gëzim Saliu

Me bujë të madhe në media është bërë publik sot një projektligj i Qeverisë i dërguar në Parlament që paralajmëron heqjen e “koncesioneve të pakërkuara” nga 1 korriku iI vitit 2019. Sipas projektligjit, nga mesi i vitit e në vazhdim,  Qeveria nuk do të ketë më të drejtë ligjore të pranojë “propozime të pakërkuara” për koncesione, të cilat deri më tani i kishin mundësuar të njëjtës qeveri të nënshkruajë mbi 2 miliardë euro kontrata!

Pra me anë të këtij ligji, Qeveria “Rama” po kërkon të marra masa ndaj vetes duke kërkuar njëfarë amnistie për të gjithë koncensionet e kaluara. Me një fjalë kryeministri dhe pushtetarët pranë tij po duan të thonë përmes ligjit të ri se “çfarë kaloi u harrua “, kthejmë faqen dhe nisim të zbatojmë ligjin. Po për gjithë shkeljet në këto 5 vite  e gjysmë kush mban përgjegjësi?

Si mund të pretendohet të kalohen më një të rënë të lapsit qindra milionë euro koncensione të dhëna nga kjo Qeveri në kundërshtim me ligjin për miq pranë pushtetit të cilët shpeshherë cilësohen edhe si “oligarkë”. Janë faktuar prej kohësh, shkeljet e shumta me kontrata koncensionare mes qeverisë dhe privatit, ku përfitimet miliona euro janë afër mendjes të imagjinohen se ku kanë përfunduar. Më poshtë po paraqesim disa nga praktikat më korruptive të këtyre viteve:

Starti i kësaj praktikë, megjithëse jo si koncenson i mirëfilltë,  nisi me partneritetin e ministrisë së Fonacave me Croën Agents. Kjo kompani u mor për asistencë teknike, shkurt për bashkë menaxhim të doganave shqiptare. Kompania angleze i kushtoi buxhetit të shtetit 8.2 milionë euro, por në më shumë se dy vite ( 2013-2015), u humbën 400 milionë euro nga tatimet dhe doganat. Partneriteti mes Qeverisë e Corën Agents prezupozohej se do të sillte në buxhetin e shtetit 100 milionë euro, pro në fakt rezultoi një dështim i vërtëtë. Kush mbajti përgjegjësi për këtë?!

Kujtojmë më pas “Skavicën” në Katund të Ri, një koncension që i kushton buxhetit të shtetit 100 milionë euro. Ky koncension erdhi në bazë të një oferte të pakërkuar dhe këtu u krye shkelja nga ana e shtetit pasi në ministrinë e linjë ekzistonte që nga viti 2009 në mënyrë të detajuar studimi  që parashikon se si duhej bërë ky investim. Pra që nga moment që ekzistonte ky studim nuk kishte pse të vinte një ofertë e pakërkuar!

Kalojmë më pas tek koncensioni i famshëm i TVSH-së, i cili në fakt rezultoi fatal për fatet e ish-ministrit të Financave Shkëlqim Cani. Ishte hera e parë në historinë e administrimit fiskal që shteti mendoi që një të drejtë të vetën t’ia kalojë një koncensionari.  Në fund të 10 vjeçarit,  prezuposohet që koncensionari të ketë marrë 133.15 mln euro dhe qeveria 14 milionë euro. Më qartazi, çdo 10 lekë TVSH që  paguajmë, 9 lekë ia japim koncensionarit dhe vetëm 1 lekë shkon në buxhetin e shtetit.

Ndërkaq  “masakra” me tenderat në shëndetësi, është një histori më vete e cila kërkon shumë herë më shumë kohë e faqe gazete se sa ky shkrim për t’u trajtuar. Po të rikujtojmë kontratat më skandaloze, duke nisur nga ato të lidhura nga ish-ministri Ilir Beqja e deri tek ministrja e fundit, sigurisht nuk mund të besohet se kaluan  të gjitha pa aprovimin e kryeshefit të qeverisë.

Në detyrën e tij, ish-ministri Shëndetësisë Beqja dha “ok”-in për qindra tendera “monopol”, të kontrolluar prej tij e pushtetit. Për të kuptuar këtë mjafton vetëm një statistikë; Kështu Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kontrollit Shëndetësor, vetëm përgjatë vitit 2014 dha 19 tendera dhe 11 prej tyre rezultuan me shkelje të mëdha, të raportuara këto edhe nga KLSH. Dhe kujtojmë se ky ishte vetëm një nga institucionet nën varësinë e ish-ministrit Beqja.

Por pas nuk mbeti as skandali me koncensionin e laboratorëve, ku kompania që kishte fituar për 10 vjet koncesionin e me vlerë 100 milionë euro, dhe si investim parashkoi d në total vetëm 9.9 milionë euro. Pra diferenca 90 milionë euro për 10 vitet e ardhshme do të jenë kostot operacionale dhe fitimi i kompanisë! Një shifër marramendëse!

Për të mos folur më pas për tenderin e Check-Up-it, e cila kapi shifrën e 1.7 miliardë lekëve. Dhe këtu s’po ndalemi më gjatë pasi mjaftojnë vetëm denoncimet e përditshme nga opozita e kohës e cila në këtë pikë duhet të thënë se ka qenë mjaft e saktë.

E njëjta praktikë ka vazhduar me tenderat edhe në vitet e tjera në pushtetin e Qeverisë “Rama1”. Kështu  në vitin 2015 sipas Agjencisë së Prokurimeve Publike numri total i njoftimeve të kontratave të procedurave të prokurimit në sistemin e prokurimit elektronik, sipas llojeve të kontratave, shërbim, mall, punë, në faqen zyrtare të APP është 4,630. Nga këto, 60 përqind, ose 2706 u zhvilluan me procedurë prokurimi me negocim pa shpallje paraprake, mekanizëm i cili përdoret vetëm për raste urgjente.  Kjo praktikë ka vazhduar çdo vit, ku në të gjithë tenderat në momentin e çeljes së afateve kanë munguar procesverbalet, gjë që rriste mundësinë e abuzimit sepse nuk përcaktoheshin afatet. Po ashtu në pjesën më të madhe të tenderave, sipas edhe konstatimeve në vite të KLSH-së kanë munguar të dhënat për profesionet e anëtarëve të komisionit të ofertave, jë tjetër shkelje e rëndë në proces.

I njëjti avaz qeveritar, madje edhe më i thelluar si fenomen, është shfaqur këto dy vite, ku kryeskandali është tenderi i Unazës së Re. Skandali i parë lidhej me faktin se 2.3 kilometra autostradë do kushtonin bashkërisht mbi 40 milionë euro, një shifër stratosferike kjo për kaq pak kilometra rrugë krahasuar edhe me tenderta e mëparshëm të këtij lloji. Ndërkohë skandali më i madh ndodhi me fituesit e tenderit të Lotit të parë, ku mediat zbuluan se kompania fituese Dunwell Haberman Albania kishte falsifikuar bilancet me të cilat ishte paraqitur në tender. Në fakt i gjithi ky tenderim përbën një abuzim të paparë, ku rikujtojmë faktin se si gara në ARRSH-së ashtu edhe OST kanë qenë thuajse identike, një garë fiktive ku merrnin pjesë dy kompani, njëra prej të cilave nuk paraqiste ofertë financiare duke bërë fituese automatiksht Dunwell Haberman Albania.

 

Mos harrojme ketu edhe problematikat e shumta me kompanine e Klodian Zoto, që fitoi nëpërmjet kompanisë së tij koncesionin 128 milionë euro për ndërtimin e incineratorit të plehrave në Tiranë.  Zoto, çuditërisht, arriti të ngrinte një kompani me vetëm 100 mijë lekë kapital (1 milion lekë të vjetra) në vitin 2010, duke e çuar në 10 milionë euro të ardhura këtë vit, vetëm 7 vjet pas krijimit. Koncesioni i dyshimtë 30-vjeçar i incineratorit, u mor nga ”Integrated Energy B.V”, e vetmja që bëri ofertën prej 128 milionë euro.  Opozita ka shprehur nje sere akuzash per kete koncension. Nderkohe Zeri i Amerikes ka bere muaj me pare nje shkrim specifik per kete çështje, duke denonzuar me dokumente rastet e 3 inceneratoreve.  https://www.zeriamerikes.com/a/koncesionet-inceneratoret/4406473.html

 

Tabela te publikuara nga PD

Praktika e koncensioneve dhe PPP-ve si model qeverisës  ka  marrë prje kohësh kritikat të forta nga institucione të mëdha ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamentin e Shtetit të SHBA apo Komisionin Europian . Departamenti  Shtetit ka theksuar se përdorimi në rritje i kontratave të partneriteteve publike dhe private ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë e ndërsa FMN kishte kërkuar në fillim të vitit 2018 ndalimin e dhënies së koncesioneve të reja.

Tabela te publikuara nga PD

E ndoshta kjo faturë do e ishte edhe më e rënduar, në mos Qeveria nuk do ishte tërhequr nga marrëzia e saj për segmentin rrugor Thumanë-Kashar me distancë 21 kilometra dhe me kosto të përgjithshme prej 435 milionë eurosh. Një tërheqje e mistershme, kua shkaqet e prapaskenat vlen të analizohen në një shkrim më vete.

Në përmbyllje kujtojmë se fatura e  koncensioneve dhe PPP-ve në këto 5 vite ka rezultuar rreth 2 miliardë e 150 milionë Euro! E FRIKSHME!

 

STANDARD.AL

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here