Një tallje e fundit me “liderin e Ballkanit”

0
95

Intervista e fundit e ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për Albanian Dalily News ka brenda disa mesazhe, në mos edhe lajme.

P.sh ajo nis me një pyetje që vë në dukje “profilin solid” të ministrit, që është padyshim një ndër arsyet e largimit të tij, krahas të tjerëve nga detyra aktuale. Rekrutimi në kabinetin qeverisës i njerëzve anonimë, i vajzave të reja pa asnjë vlerë reference në debatin publik apo përfaqësimin politik, është një truk i qeveritarëve në hall që “rifreskojnë” qeverisjen me mashtrimin e ndryshimit. Duam nuk duam ne, ministrat si Bushati, Gjiknuri kishin nisur të kristalizonin fytyrën e politikanit duke u mëvetësuar nga hija e “kurrizos së Tiranës”. Dhe ky është një gabim që aktori i instagramit nuk e fal dot.

Ajo vazhdon me përsëritjen e qëndrimit  kundër për shitjen e territoreve të Kosovës, Serbisë, teksa Bushati kujton se çështja po trajtohet nga një perspektivë e padrejtë që e sheh Kosovën dhe ekzistencën e saj të varur nga njohja e Serbisë.

Më tej akoma, ish-ministri i Jashtëm jep edhe një lajm: partneriteti strategjik me Turqinë nuk është njohur si i tillë nga Ankaraja zyrtare.

Në 2013-ën ne vendosëm të përfshijmë edhe Turqinë, dhe t’i njohim këtij vendi, për sa na takon neve,statusin e partnerit strategjik, duke konsideruar rolin e Turqisë në NATO, Ballkan, Mesdhe, pa përmendur praninë domethënëse ekonomike turke në vendin tone

është shprehur Bushati.

I cili nuk e kursen talljen dhe ironinë për “liderin e Ballkanit” kur vjen puna p.sh për punën që mbetet për t’u bërë me një dosje si ajo me Greqinë. Një dosje edhe teknike, që kërkon shumë vëmendje dhe angazhim, cilësi këto që nuk priten dhe as shihen nga Edi Rama i cili ka garë vetëm me like-t në Facebook dhe me memet në internet.

Unë do preferoja ta shihja gotën gjysmë plot. Fakti që në të dyja vendet kemi tashmë kryeministrat që mbajnë edhe portofolin e ministrit të Jashtëm, duhet konsideruar si një shans për të shfrytëzuar këtë periudhë kohore në funksion të përfundimit të kësaj pakete

ka thënë ai që me siguri e di që Rama nuk ka përmbyllur në asnjë prej pesë viteve si kryeministër ndonjë marrëveshje apo ndonjë situatë krize, edhe kur ato janë të improvizuara prej atij vetë.

Zvarritja, shtyrja, harresa, pompoziteti janë kryesisht menuja e qeverisjes së tij që pajton në rrumpallën e vet bashkimin kombëtar me respektin për kufijtë, rolin moderator me meditimin mbi gravurat duke dëbuar njëkohësisht nga vendi, shqiptarët, këta italianë pa Versaçe.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here