Gjosha: Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur për negociatat. Rama pengesë për dialogun politik

0
125

Deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha në një intervistë për Televizionin NEWS 24, ka folur për rëndësinë e Reformës në Drejtësi dhe pengmarrjen nga qeveria.

 

Sapo ju kemi parë në një deklaratë për media, e cila kishte të bënte me deklaratat e Ambasadorit Soreca dhe me këtë do të doja ta nisja edhe bisedën tonë. “Të mos e marrë Shqipëria të mirëqenë vendimin e Qershorit për negociatat”. Sa kumbuese është kjo thirrje?

Në fakt ka pasur dy deklarata jashtëzakonisht të rëndësishme që kanë kaluar pak në heshtje nga politika shqiptare. E para ka pasur të bëj me deklaratat e z.Hahn, që i bënte thirrje partive politike për një dialog konstruktiv dhe ku vendoste deri diku para përgjegjësisë kryeministrin Rama, se ishte në fakt çelësi për vazhdimësinë e dialogut politik. Nuk e di sa e ka marrë këtë mesazh, z.Rama, por besoj që ishte një nga mesazhet më të forta që ka vendosur para nesh Komisioneri Hah. Dhe e dyta ishin deklaratat e zotit Soreca sot, pikërisht që Shqipëria nuk duhet të marrë të mirëqenë negociatat, duke vazhduar dhe më tej për thirrjen që ai u bën partive politike për të vazhduar dialogun politik për reformat kyçe. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që ne kemi përpara nesh një punë shumë të madhe për të kryer dhe kanë mbetur vetëm pesë muaj para një vendimi për çeljen e negociatave. Do të thotë që do të duhet të vazhdojë Reforma në Drejtësi, do duhet të vazhdojë Vettingu, duhet të ngrihet Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Byroja e Hetimit, SPAK, do të duhet të kryet një Reformë Zgjedhore, do të duhet të kalojë procesi i zgjedhjeve, sepse edhe ky është një tjetër kusht. Pra kjo do të thotë të mos e marrësh të mirëqenë, do të duhet të fillosh punën sepse nuk ka më kohë, dhe që e gjithë kjo të kryet kërkon një dialog. Ne sot kemi një pengesë, unë e thashë pak edhe në deklaratën time për media, kemi një pengesë për dialogun politik. Dhe nuk është se janë në përgjithësi politikanët që bllokojnë dialogun për një arsye apo për një tjetër, por sepse kemi një ofensivë të jashtëzakonshme që i bëhet opozitës. Kemi një bllokadë të madhe që i është krijuar opozitës për të vazhduar këtë dialog, për tu ulur dhe për të kryer pse jo, edhe konsensus për shumë e shumë reforma që janë të nevojshme dhe që kanë nevojë për votën e opozitës. Por nëse ne kemi një kryeministër që flet me një gjuhë vulgare përkundrejt çdo politikani të opozitës, përkundrejt çdo gjëje që po ndodh sot në qeveri, të asaj arrogance që përdoret shpesh herë për të treguar që “këtu jam unë”, “kam të gjitha pushtetet në dorë dhe askush nuk mund të ndërhyjë në pushtetin tim”, besoj që kjo është e pafalshme. Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur dhe qershori është jetë a vdekje për këtë proces.

Gjithsesi Ambasadori Soreca shprehet sa skeptik, por ka edhe doza optimizmi në këto pesë muaj që mbeten. Dhe nga ana tjetër përshëndeten zhvillimet e fundit në Shqipëri, janë hapa pozitivë apo jo?

Patjetër që do të ketë një gjuhë pozitive për ti dhënë shpresë qytetarëve shqiptarë, për ti dhënë shpresë edhe politikës shqiptare, e cila tashmë e ka humbur dhe është bërë pjesë e një depresioni politik, por edhe shoqëror. Pra ne kemi humbur shpresën, ne kemi humbur besimin se mund të arrihet diçka. Ndoshta kjo na ka bërë pak të gjithëve që të tregohemi skeptik për atë çka mund të ndodhë dhe për mundësitë që mund të ketë Shqipëria për çeljen e negociatave. Kjo jo për faj të opozitës, por për faj të një panorame të trishtë që shpeshherë e përcjell qeveria dhe kryeministri. Dhe besoj që këtë e kanë treguar lëvizjet e fundit në qeveri, që kanë treguar një krizë totale, jo vetëm politike, por edhe institucionale në të cilën ndodhet vendi. Aq me tëpër tregon mungesën e besimit të jashtëzakonshëm që kanë qytetarët të qeveria. Sot kemi njerëz anonim, të cilët qytetarët nuk dinë ku të drejtohen. Nuk dinë nëse janë ata të cilët do të mbajnë përgjegjësi për gjithçka që do të ndodhë, për detyrat që ata kanë marrë përsipër për të kryer, sepse nuk i njohin. Nuk ka asnjë biografi të tyre të plotë në faqet e tyre të internetit apo dhe foto të ministrit të jashtëm, që u propozua nga kryeministri. Pra jemi në një situatë totale kolapsi, ku paralelisht me këtë ka një sërë protestash, pra ka një pakënaqësi, ka një revoltë popullore. Ndaj edhe është e nevojshme që ne të kemi doza shprese, por që të ketë doza shprese ka nevojë për dialog, ka nevojë për konstruktivitet.

Pra bëhet thirrja që mazhoranca të bashkëpunojë me opozitën, duke qenë se jeni dhe përfaqësuese e opozitës, po vetë opozita si bashkëpunon? Çfarë po bën për bashkëpunimin?

Unë besoj që opozita i ka bërë të gjithë tratativat. T’ju them të vërtetën, edhe si përfaqësuese e LSI, ne kemi propozuar shumë, po shumë amendamente Kuvendit të Shqipërisë për Reformën në Drejtësi, një sërë ligjesh të propozuara, të cilat edhe sot e kësaj dite qëndrojnë në sirtarët e mazhorancës dhe të Kuvendit, që duhet të jetë institucioni më demokratik, më i hapur për dialog. Aty ndodh dialogu, dialogu nuk mund të ndodhë në kafe mes politikanëve duke folur për interesa të ngushta personale. Institucioni më demokratik në vend duhet të jetë Kuvendi i Shqipërisë dhe kjo nuk ka ndodhur. Dhe që të kërkosh dialogun duhet të fillosh të përdorësh dhe një gjuhë pozitive. Nuk mund ta ofendosh opozitën në çdo dalje të saj, në çdo moment kur ajo të kritikon, është detyrë e opozitës. Nëse opozita nuk e bën këtë, atëherë më mirë të tërhiqet sepse nuk është më në rolin e saj. Ndaj dhe besoj që i takon kryeministrit të kuptojë se ku qëndron problematika, ku qëndron faji, ku qëndron ngërçi dhe konflikti i madh që është krijuar në vend dhe ku qëndron bllokada e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Është bërë thirrje për protesta. Ka vendosur opozita e bashkuar për valë protestash për të rrëzuar qeverinë, për të hapur sytë të gjithë qytetarët dhe që ti bashkohen qytetarët protestës tuaj. Si po organizohen gjërat për protestën? A ka një organizim, sepse u tha nga të dy kryetarët qoftë nga Z.Basha, qoftë nga Znj.Kryemadhi.

Ka një komunikim intensiv mes të dy partive politike për tu organizuar për protestat, që do të jenë tashmë të pandalshme.

Kur do të nisin?

Do të nisin shumë shpejt, ne do të kemi një datë për tja u bërë publike dhe për të informuar dhe qytetarët në mënyrë që kushdo që do të bëhet pjesë e kësaj proteste është i mirëpritur. Paralelisht me protestat, opozita po punon, madje duhet të finalizojë të gjithë programin e saj, gjithçka që duhet ti ofrojë qytetarëve shqiptarë. Në protestë ne ngrihemi për atë çka me të vërtet shkon keq për qytetarët, për atë çka është e dhimbshme për qytetarët deri në këto momente, por edhe për të ofruar alternativën tonë. Dhe alternativa ofrohet si me programin e ardhshëm qeverisës, pra nëse do të ketë mundësi opozita të fitojë dhe të bëhet pjesë e qeverisjes së ardhshme, por njëkohësisht edhe me një ekip, pse jo, që do tja paraqesë qytetarëve për të thënë që ky është ekipi që mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme, këta janë njerëzit që duhen votëbesuar dhe këto janë njerëzit tek të cilët ju duhet të ndërtoni besimin. Dhe kjo besoj është shumë e rëndësishme, është sfidë e opozitës. Të ngresh qytetarët sot në protestë me thënë të vërtetën nuk është e thjeshtë, sepse Shqipëria është një vend i varfër, është një vend ku presioni ka zënë pjesën më të madhe, ku njerëzit sot marrin nga presionet më të ndryshme për vendet e punës, për shkollat e fëmijëve, për të gjithë mundësitë e tyre që i kanë aq të pakta në këtë vend të vogël siç është Shqipëria dhe varfëria shpesh herë ndihmon më të fortin, ndihmon më të fortin për ti ulur kokën më të dobëtit. Besoj që kjo nuk duhet të ndodhë më. Besoj që studentët kanë treguar një shembull të jashtëzakonshëm, të guximit që duhet të kenë qytetarët për të ngritur zërin dhe për të folur për problemet e tyre. Protesta është mënyra më e mirë për ta treguar këtë dhe për të vënë përpara përgjegjësisë një qeveri, e cila është më arrogante se kurrë ndonjëherë tjetër.

Si është bashkëpunimi brenda opozitës së bashkuar, e kam fjalën mes LSI-së dhe Partisë Demokratike?

Është një bashkëpunim mjaft i mirë, besoj që ne kemi pasur qëndrime të unifikuara gjatë gjithë kësaj kohe. Vërtet nuk është e konkretizuar, po themi në një dokument zyrtar koalicioni, por që është një rrugë që do të shkojë drejt saj. Mos harroni që LSI duke qenë se ka ardhur nga pushteti para një viti e gjysëm dhe PD ka qenë në opozitë, patjetër që do të duhej një punë e madhe edhe për njohjen edhe për njohjen e strukturave me njëra tjetrën. Sepse njerëzit duhet ta pranojnë njëri tjetrin në mënyrë që të shkojnë bashkë dhe ka qenë një kohë e mjaftueshme deri në këto momentepër të punuar bashkë,  për t’u integruar, dhe për të integruar gjithashtu dhe idetë tona dhe programet tona, sepse dhe kjo është një pikë tjetër e rëndësishme. Është një bashkëpunim i mirë dhe në kemi një qëllim të përbashkët dhe besoj që kjo është më kryesorja.

 

Si e pa LSI-ja gjithë këtë pjesën e dekreteve nga ana e Presidentit Meta, kohën e pritjes për të dekretuar ose jo , fillimisht kandidaturën e Genc Cakaj dhe më pas atë të Edi Ramës për Ministër të Jashtëm.

Unë besoj që Presidenti Meta ka kryer detyrën e tij Kushtetuese,  plotësisht i bindur  në vendimet që ai ka marrë dhe ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme edhe nga ana jonë, sepse mos harrojmë që edhe kandidaturat e propozuara nga Kryeministri Rama nuk ishin kandidatura që mund të pranoheshin në mënyrë të menjëhershme. Unë e thashë pak më parë janë njerëz që nuk njihen,  aq më tepër në diplomacinë shqiptare. Nuk është e rëndësishme sa libra ke lexuar, është shumë e rëndësishme eksperienca që ti ke, sado modeste ajo të jetë, por duhet një eksperiencë në diplomaci dhe duhet maturi politike. Unë besoj që të paktën këto dy kritere, propozimi që bëri Kryeministri nuk i përmbante. Më pas me emërimin e tij si Ministër i Jashtëm t’iu them të vërtetën unë e shoh si një nevojë të tijën për të pasur gjithçka në dorën e tij. Tashmë ai i ka të gjitha pushtetet, nuk ka ngelur më asgjë për të marrë në këtë vend, të gjitha janë në dorën e Kryeministrit, madje shpesh herë unë jam shprehur qe t’i heqë të gjithë ministrat sepse ai është vetë kryeministër, vetë Ministër, vetë Drejtor, vetë gjithçka. Pra ne fatkeqësisht jemi kthyer në një shtet qesharak. Nuk mendoj që Shqipëria nuk ka kapacitete, aq më tepër në këto momente për të zgjedhur një diplomat në krye të Ministrisë së Jashtme, një njeri me integritet, një njeri të njohur nga shqiptarët, që e duan shqiptarët dhe vetë Partia Socialiste ka plot emra të njohur, që mund të ishin zgjedhur në krye të asaj ministrie që më tepër që ne shkojmë drejt një vendimi të jashtëzakonshëm siç është çelja e negociatave.

 

Gjej rastin t’iu pyes se është përmendur dhe faktori moshë tek Genc Caka. Ju thatë që duhet maturi politike, por nga ana tjetër  vetë LSI-ja ka treguar se është shumë përkrahës moshave të reja. Shumë deputetë të rinj në Kuvendin e Shqipërisë. Mjafton të përmendim Kejdi Mehmetaj apo Floida Kërpaçi.

Patjetër, edhe unë vetë jam e re dhe nuk e përjashtoj veten time. Unë e kam marr detyrën në një moshë të re, por ka një ndryshim që është thelbësor, unë isha e zgjedhur. Pra unë kisha kandiduar përballë shumë emrave të njohur të tjerë të politikës shqiptare, në një zonë të caktuar, ku isha bërë e njohur për qytetarët, isha votëbesuar prej tyre, pra mora dhe mandatin tim të parë në Kuvendin e Shqipërisë, dhe më pas u zgjodha edhe Ministre. Apo edhe vajzat e reja që janë në LSI, kanë një karrierë politike të jashtëzakonshme. Shumë prej tyre kanë ardhur që në moshën 16-vjeçare apo 18 vjeçare në Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë poste brenda partisë politike, njihen nga votuesit e LSI-së, besoj se kjo është e rëndësishme. Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa ndërtimi i besimit midis një individi që merr një pozicion të caktuar aq të rëndësishëm dhe qytetarëve, të cilët të votëbesojnë dhe besojnë në filozofinë tënde dhe në mënyrën tënde sesi ti do të qeverisësh atë sektor që të është besuar.

Duke qenë se jemi tek kandidaturat të ndryshme unë dua të komentojmë pak edhe kandidaturën e z. Meta , për Kryetar të Kontroll të Lartë të Shtetit, mazhoranca sigurisht ngre akuzat e saj, se është një njeri i besuar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nuk e ka përvojën e duhur ekonomike, ju ç’mendim keni?

Unë besoj që i takon z. Meta të kryejë propozimet e duhura për emrat konkretë për Kreun e KLSH, unë jam e bindur në verifikimet e tij të figurës, të integritetit, të anës profesionale, jam e bindur sepse e njoh që është një njeri që bazohet në Kushtetutë dhe në ligje përpara se të marri vendime.  Më pas i takon Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar ose jo këtë kandidaturë. Mjafton ti përmbahemi Kushtetutës, të tjerat për mua janë ujëra.

 

E cekëm pak në krye të herës, në bisedën tonë, në intervistën tonë, pjesën e Qershorit, zgjedhjet që janë shumë të rëndësishme. Por sa është përgatitur dhe si i sheh këto zgjedhje LSI-ja, kemi dëgjuar alternativa nga më të ndryshmet qoftë për opozitën, qoftë për Partinë Demokratike madje deri në bojkot të zgjedhjeve, nga ana tjetër Kryetarja LSI-së znj. Kryemadhi shprehet se njëherësh me zgjedhjet lokale do të kemi dhe zgjedhje parlamentare në Qershor?

Kjo është ajo ç’ka kemi kërkuar, dhe besoj se do të shkojmë drejt zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme bashkë nëse do të kemi një përgjegjshmëri politike dhe kjo kërkon edhe vullnet edhe bashkëpunim. Dhe besoj se dialogu politik këtu zë një vend të veçantë për ta arritur këtë. LSI-ja është gjithnjë e përgatitur të shkojë drejt zgjedhjeve, nuk diskutohet, dhe në diskursin tonë, ne nuk përmendim fjalën bojkot, përkundrazi ne jemi gati që dhe nesër po të zhvillohen zgjedhjet, do të ishte shumë mirë për qytetarët shqiptarë, madje edhe për ne si forcë politike, që të shkojmë drejt zgjedhjeve dhe të votëbesohemi sërish. Sepse ne jemi të bindur që këto zgjedhje do të jenë në favor të opozitës, por edhe të LSI-së sepse kuptohet që ne kemi votat tona si pjesë e saj. Është një parti që e ka ndërtuar filozofinë e saj me njerëzit, ka qëndruar pranë njerëzve dhe në një kohë kur nuk është fushatë, kështu që për ne është normale çdo ditë e vitit është një fushatë me qytetarët për t’i bërë ata koshient të politikave tona, të mënyrës tonë qeverisëse, të filozofisë tonë, por në fund fare t’i bëjmë ata të kuptojnë që këto janë politika në interes tyre në radhë të parë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here