Denoncimi fortë nga Fatos Çoçoli: Kompania e shfrytëzimit të naftës e regjistruar në ishujt Cayaman, qeveria në krah të oligarkëve

0
127

Fatos Çoçoli:

Në vitin 1994, një kompani që kishte autorizimin për të paketuar një pije të famshme freskuese në të gjithë botën hap një fabrike paketimi edhe në vendin tonë. Shitet nga shtetarët tanë si investim i fuqishëm i vetë kompanisë me emër. Deri këtu nuk kishte ndonjë gjë shumë të keqe. Pak reklamë dhe butafori për pikë zgjedhore dhe aq. Mirëpo, për shtatë vite rresht, kjo kompani raporton se del me humbje, pranë autoriteteve tona tatimore. Mirë viti i parë, kur bëri investimin dhe e ndërtoi fabrikën me pajisje të përdorura të sjella nga Italia, por si ka mundësi që kompania del me humbje për gjashtë vite rresht 1995-2000, duke shitur praktikisht vetëm ujë në Shqipëri?! Duke ditur koston gati të papërfillshme të furnizimit me ujë të pijshëm tek ne dhe faktin tjetër që shitjet e pijes nga prodhimi i kompanisë nga muaji i parë i daljes në treg, u dhjetëfishuan brenda pak muajve! Arsyeja në sytë e të gjithë shqiptarëve doli menjëherë në qershor 2001, kur drejtuesja e kompanisë ndalohet rrugës për në Shkodër, pas një urdhri ndalimi nga Gjykata e Kaltanisetës në Italinë e Jugut, për llogari të Prokurës së qytetit të Xhelas (Gela). Akuzohej për evazion fiskal, fatura të rreme, kalime virtuale dhe pa taksa të shisheve me pije freskuese, që gjoja shiteshin jashtë dhe pastaj rishfaqeshin në Itali.

Me pak fjalë, lëviznin vetëm dokumentet, por jo malli dhe e gjitha kjo për të fryrë artificialisht, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) që kompania merrte rimbursim nga Shteti italian dhe për t’iu shmangur autoriteteve tatimore[1]. Nuk ka rëndësi si u mbyll hetimi në Itali për këtë drejtuese, por opinioni ynë publik ngriti me të drejtë pyetjen: “Kur në Itali kjo sipërmarrëse akuzohet për këto gjëra me një evazion të rëndë fiskal, po në Shqipëri çfarë bën me dokumentet financiare tatimore të fabrikës që paketon pijen e famshme?”. Dhe përgjigjja ishte e thjeshtë dhe e qartë. Trukon dokumentet duke fryrë shpenzimet, për të deklaruar sipërmarrjen me humbje. Edhe pse shitjet e pijes freskuese të njohur në botë gjatë viteve 1995-2001 u rritën me herë në tregun tonë. E njëjta histori, por me një sfond ekzotik tashmë, me një kompani të regjistruar në një parajsë fiskale (vend, zakonisht ishull i vogël, me taksa gati zero dhe me lirshmëri të madhe për transaksionet financiare dhe bankare të kompanive të regjistruara në të, deri aty sa të mos dalë emri i pronarit të vërtetë të kompanisë), përsëritet tre vjet më vonë. Në vitin 2004, një kompani e regjistruar në parajsën fiskale të quajtur Ishujt Cayman, merr lejen nga shteti ynë për të shfrytëzuar vendburimin më të rëndësishëm të arit tonë të zi, naftës: Vendburimin e Patos-Marinzës. Për 11 vjet rresht 2004-2011 kjo kompani (edhe pse deklaron se ka investuar në Shqipëri për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e naftës 1.7 miliardë dollarë) deklaron në tatimet shqiptare se del me humbje. Ose më mirë, se shpenzimet prodhuese i ka më të mëdha se sa shitjet, të ardhurat nga nafta. Në marrëveshje ishte caktuar koeficienti i njohur R (nga anglishtja “rentability”-përfitueshmëri-), si raport mes të ardhurave dhe shpenzimeve prodhuese. Kur “R” të dilte më e madhe se sa 1, shteti ynë merrte gjysmën e të ardhurave. Ndërsa kompania e regjistruar në parajsën fiskale Ishujt Cayman, pronarët e së cilës ende janë anonimë (nuk dihen), që mburret se ka investuar tek ne 1.7 miliardë dollarë, i lejon vetes të dalë për 11 vite rresht me humbje?!. Pra me koeficientin “R” më të vogël se 1. Po përse ka ardhur këtu, atëherë? Për të humbur?! Dhe përse, sapo tatimet shqiptare ia zbulojnë lojën në vitin 2015 dhe i kërkojnë të paguajë 75 milionë dollarë në fshehje fitimi vetëm për vitin 2011, së bashku me kamatat dhe gjobat, në më pak se një vit më vonë kërkon të ikë, nga sytë këmbët nga Shqipëria, duke ia shitur në vitin 2017 kompaninë e themeluar në Shqipëri një kompanie tjetër të huaj? Përse-ja qëndron në faktin e thjeshtë, se këto kompani, duke përfituar nga regjistrimi në parajsat fiskale, i kanë fshehur shtetit shqiptar, jo vetëm identitetin e pronarëve të tyre realë, por edhe qindra milionë euro dhe dollarë të shmangura si detyrime ndaj Buxhetit të Shtetit.

I vetmi institucion përgjegjës në vendin tonë për fatet e pasurive të shqiptarëve, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin e tij tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (KLSH-së nuk i lejohet me Kushtetutë që të kontrollojë kompanitë private, ose aty ku Shteti nuk zotëron gjysmën e aksioneve), flet shumë qartë. Ai tregon se të gjitha Marrëveshjet dhe Licencat për Marrëveshjet Hidrokarbure (marrëveshjet për shfrytëzimin e naftës) janë marrëveshje me ndarje prodhimi. Aty koncesionari zhvillon vendburimin për të cilin ka nënshkruar marrëveshjen dhe mbart riskun financiar e teknik të aktiviteteve në zonën ku ai kërkon e zbulon, sipas Planit afatgjatë të Zhvillimit të vendburimit të naftës, të rënë dakord me Shtetin shqiptar. KLSH thekson në gjetjen nga auditimi, se “Si pasojë e ndryshimeve të Planeve të Zhvillimit kohë mbas kohe, treguesit ekonomiko–financiarë të arritur nga veprimtaria e koncesionarëve kanë pasur mospërputhje, krahasuar me parashikimet e miratuara në Planet Afatgjatë të Zhvillimit, si dhe Planet dhe Buxhetet e Punës vjetore. Në rast se nuk do të kishim ndryshim të Planeve të Zhvillimit, Planeve të Punës dhe Buxhetit të kryer, Shteti Shqiptar do të kishte përfituar deri në fund të vitit 2014, përveç rentës minerare prej 199,4 milion USD, edhe një shumë prej afro 305 milion USD, si pjesë e fitimit nga prodhimi i naftës”. Ky është denoncimi më i hapur dhe më i fuqishëm i “parajsës” së krijuar nga këto kompani nga parajsat fiskale, në kurriz të Shtetit tonë dhe parave të të gjithë shqiptarëve. Askush nga strukturat përgjegjëse të qeverisë dhe shtetit, edhe pas konstatimeve dhe denoncimeve nga auditimet e KLSH, nuk ka ndërmarrë deri tani hapat e duhur. KLSH ka shkuar edhe me tej. Ka kërkuar me forcë të zhbirohen humbjet kolosale të shtetit shqiptar nga veprimtaria e derisotme e kompanive nga parajsat fiskale dhe të mos lejohen në të ardhmen që këto kompani të marrin pjesë në tenderët shtetërorë. Janë me qindra milionë dollarë të shtetit tonë, të qytetarëve shqiptarë, që presin të rimerren, nga shmangja tatimore dhe grabitja me mënyra të tjera të stërholluara, nga ana e kompanive të parajsave fiskale.   

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here