Standard.al

Presidenti Meta: Të mbrojmë vlerat e Durrësit, xhevahir i çmuar i Shqipërisë

0

 

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti në një takim kryesinë e shoqatës “Durrësi” të përfaqësuar nga intelektualët z.Shpëtim Metani, znj.Lumturi Ngjala, z.Agim Shehi, z.Rifat Bilali dhe z.Gjon Huli.

Pasi u njoh me aktivitetin e kësaj shoqate, Presidenti Meta vlerësoi lart kontributin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave qytetare e patriotike, trashëgimisë së pasur historike, arkeologjike dhe kulturore të kësaj treve.

“Durrësi është një xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë, për vlerat e spikatura patriotike, intelektuale, artistike e kulturore, si vatër e rëndësishme e atdhedashurisë dhe dijes nga ku kanë dalë personalitete të shquara në të gjitha fushat. Por veçanërisht për trashëgiminë e pasur, autentike dhe të jashtëzakonshme arkeologjike, që e dallon nga trevat e tjera duke e kthyer në një atraksion të rëndësishëm turistik.

Mbrojtja dhe promovimi i këtyre vlerave që na bëjnë krenarë si shqiptarë duhet të jetë një prioritet madhor për të gjithë ne.

Sepse duke dashur vendlindjen, rrënjët tona, të parët tanë dhe trashëgiminë e vyer që na kanë lënë, fëmijët dhe të rinjtë do mund të ndërtojnë një të ardhme më të sigurtë në Shqipëri. Duke vlerësuar punën e shkëlqyer me pasion e përkushtrim që keni bërë në këtë drejtim, ju inkurajoj të vijoni më tej”, – u shpreh Presidenti Meta.

Përfaqësuesit e shoqatës “Durrësi” e falënderuan Kreun e Shtetit për vëmendjen e treguar ndaj këtij qyteti dhe promovimit të vlerave kombëtare, duke i shprehur dëshirën për një bashkëpunim më të ngushtë për këtë qëllim të përbashkët.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.