Nesim Spahiu: Marrëdhënia me qytetarët, e qëndrueshme dhe e fortë. Shërbimi ndaj tyre, fokusi i punës sonë…

0
145

Fjala e Kryetarit të Bashkisë së Skraparit në takimin me strukturat e LSI Skrapar

 

E nderuar Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Monika Kryemadhi!

Të nderuar Deputetë!

Të nderuar qytetarë, drejtues organizatash, anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim!

Më lejoni që në emrin tim, si Kryetar i Bashkisë Skrapar, por edhe në emrin tuaj, t’i uroj Mirëseardhjen në Skrapar Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim,
znj. Monika Kryemadhi!

Prej disa legjislaturash Bashkia Skrapar është fituar dhe menaxhohet nga përfaqësues të zgjedhur nga LSI, dhe një meritë të veçantë keni të gjithë ju. Menaxhimi i mirë e ka bërë Bashkinë tonë, të krijoj një marrëdhënie të fortë e të qëndrueshme me qytetarët dhe banorët e komunitetit duke u shërbyer atyre pa asnjë dallim partiak.

Ndryshimi që ka pësuar Skrapari dhe Bashkia në veçanti, është një ndryshim i madh, i prekshëm dhe i dukshëm për çdo njeri që jeton në Skrapar, apo që e viziton atë.

Më lejoni të kthej në kujtesën tuaj, një kohë jo shumë të largët, vitin 2011 sesi ishte gjendja e Qytetit dhe e Bashkisë.

Ishte Këmbëngulja, vizioni ynë i përbashkët që përmes punës, vullnetit dhe përkushtimit të arrinim së bashku të transformoj ai realitet i trishtë për ta kthyer sot Çorovodën dhe Skraparin në një destinacion të rëndësishëm turistik.

Ne filluam nga zero, duke ndërtuar një administratë profesionale, efikase dhe me energji të reja, e cila brenda një kohe të shkurtër rikthehu besimin e lëkundur të komunitetit.

Papunësia ishte sfida jonë e parë. Ne nxitëm punësimin përmes projekteve të ndërmarra dhe të zbatuara në sektorë të ndryshëm përmes fondeve nga shteti, donator vendas e të huaj dhe arritëm të përmbushnim me sukses këtë mision.

Një tjetër projekt, me rëndësi strategjike dhe rajonale si ai i gazsjellësit T.A.P. u shndërrua në një nga punëdhënësit më të mëdhenj jo vetëm për Skraparin por edhe për zona të tjera në vend.

Për herë të parë, ne arritëm që të ardhurat e Bashkisë të mos t’i përdornim vetëm për paga por ti përdornim ato për sektorë të nevojshëm për komunitetin.

Reforma e re administrative, solli si produkt të saj Bashkinë e Skraparit me një territor shumë të gjerë por me një numër të pakët popullsie, duke shkaktuar probleme të shumta për menaxhimin.

E si të mos mjaftonte kjo, Qeveria ka ulur grantin e akorduar ndaj Bashkisë sonë, duke krijuar një shumë defiçitare prej 18 milion lek, duke e bërë shtetin të na vendosi në vështirësi serioze për projektet që ne duam të zbatojmë.

Qeveria premtoi se do të rehabilitonte aksin rrugor Çorovodë – Berat, i vetmi aks nacional me të cilin komunikon Çorovoda. Por gënjeshtra dhe mashtrimi i kësaj qeverie u mjaftua me disa arnime të pjesshme, pa asnjë kusht sigurie në rrugë dhe pa një zgjidhje afatgjatë. Për të mos vijuar më tej për telenovelën e pambarimtë të rrugës Çorovodë – Përmet, ku askush nuk e di se kur mund të përfundoj.

Pezullimi i lejeve minerare për guroret dhe mermerin në Malin e Tomorrit, i orkestruar nga Ministri Klosi, u shit në media si një sukses, por në të vërtetë ky ministër u shndërrua në shkatërruesin më të madh të Skraparit. I vetmi sukses që arriti ky ministër ishte heqja nga arka e të ardhurave të Bashkisë të një shume prej 300 milion lekë të vjetra që sot do të ishin përdorur për këtë komunitet të varfër e halle plot, por që ministrat sharlatanë e duan të vuaj.

Shfrytëzimi barbar i Malit të Tomorrit dhe Dëvrisë, edhe sot vazhdon madje më keq, Sipërfaqja e shfrytëzimit nuk është hequr nga fondi pyjor e kullosor siç parashikohet nga ligji.

Qokat e radhës vazhduan nga Ministria e Turizmit e cila aprovoi në mënyrë të njëanshme, fshatin Blezënckë si fshat turistik duke shpërfillur propozimin e Bashkisë për fshatrat Bogovë apo Gjerbës që ne kishim propozuar.

Përmes këtij veprimi, kjo ministri pengoi projektet që do të implementoheshin për realizimin e infrastrukturës së nevojshme për rivitalizimin dhe zhvillimin e turizmit.

Pavarësisht përpjekjeve të turpshme të Adnor Shametit që troket zyrë më zyrë për uljen e fondeve të Bashkisë Skrapar, pavarësisht gjithçkaje. Ne ja kemi dalë me sukses që asnjë zonë, asnjë territor i bashkisë të mos jetë i pambuluar nga shërbimet e Bashkisë kundrejt çdo banori të saj.

Është pikërisht ky sukses i menaxhimit të mirë të Bashkisë sonë, që nuk durohet dot nga deputeti i rilindjes Adnor Shameti, një deputet inatçor dhe memec që asnjëherë nuk e ka ngritur zërin e tij në Parlament për Skraparin, për hallet që kanë banorët e kësaj zone, por përkundrazi për herë të parë në këto 28 vjet ka sjellë një klimë përçarëse dhe urrejtjeje e frike tek banorët, administratat, dhe kudo që shkel me makinat luksoze kur kalon para njerëzve që mezi fitojnë bukën e gojës.

Përmes parave dhe vendeve të punës, ai bleu shumicën e Këshillit Bashkiak duke sjellë si produkt zëvendësimin e Kryetarit të Këshillit të mëparshëm, një nga njerëzit e mirëarsimuar dhe me integritet që do të zëvendësohej me një Kryetar të ri, me vetëm 7 klasë shkollë. Kryetari aktual i Këshillit Partizan Gorçe, rezulton me diplomë të shkollës së mesme të falsifikuar me Nr. Amze 486, lehtësisht e dallueshme në regjistrat e shkollës së mesme Potom është objekt hetimi për Prokurorinë por që mbrohet nga deputeti dhe përdoret politikisht për të penguar punën e Bashkisë dhe Shërbimet Komunitare.

Mosmiratimi i Buxhetit nga ana e Këshillit të Bashkisë, kërkesa e padëgjuar ndonjëherë për shkurtimin e 157 vendeve të punës, tregon edhe njëherë dashakeqësinë e një njeriu që i janë errur sytë dhe që për të arritur qëllimet e tija të mbrapshta është në gjendje të lërë 157 veta në rrugë mes halleve vetëm e vetëm që të vetëkënaqet nga vuajtjet dhe lutjet e atyre hallexhinjve që u premton parajsa, por që shpejt i flak mes katër rrugëve.

Në funksion të urrejtjes që kanë kundër njerëzve të punës dhe komunitetit të Skraparit, nuk ngurojnë të përfshijnë në veprime antiligjore çdo strukturë. I tillë është edhe institucioni i Prefektit që me kulisa politike të dala nga Mbledhjet e Këshillit, të shndërruara në Mbledhje Partie po bëjnë çdo përpjekje që Skrapari dhe Skraparllinjtë t’i përulen lojërave për pushtetin që vetë ata duan me çdo kusht, edhe pse janë gati të lënë 157 familjarë pa punë.

Në vend që të mendonin sesi të përmirësonin shërbimet, sesi të përmirësonin sa të mundnin jetën e banorëve që çdo ditë e më shumë po velen nga fasadat për punësime dhe portale fallco, Rilindasit, që ju janë errur sytë nga pushteti dhe tepsia po ngadalësojnë çdo proces.

Është fakt, që Partia Socialiste në Skrapar, e ashtuquajtura Rilindje që menaxhohet nga deputeti në fjalë, përfaqëson nivelin më të pashkolluar që ka njohur kjo parti ndonjëherë, njerëzit më arrogant dhe pa integritet.

I tillë është edhe Kryetari Aktual i Partisë Socialiste këtu, i cili në të gjithë sektorët që ka punuar, ka abuzuar me vendin e punës dhe nga gjykata nuk lejohet të punoj në administratë për 7 vjet.

Por Rilindja shpërfill gjithçka, dhe e shpërbleu duke e bërë Kryetar të PS, duke e bërë atë si personazhi qesharak Robert Çamçakizi, me kapelen që mban mënjanë të endet institucion më institucion duke bërë presion për blerje votash me kërcënime për largime nga puna.

Reforma në arsim në Skrapar, ashtu si në të gjithë vendin tregon sesi është kapur dhe përdoret arsimi për motive politike.

U largua nga puna, një zonjë e nderuar, një mësuese profesioniste e me integritet vetëm për qëllime politike duke i nxjerrë pretekstin se kishte fyer administratën dhe si i kishte shkaktuar dëm shtetit.

Në vend të saj, një drejtoreshë e cila brenda një kohe të shkurtër brenda 2 muajve nën orkestrimin dhe dirigjimin e deputetit, kur edhe përse numri i nxënësve ulet vazhdimisht, ajo arrin të punësoj brenda 2 muajve 120 mësues politikë, jashtë profilit e të larguar me vendime gjykatash për falsifikime diplomash vetëm e vetëm për t’u marrë votën e për ti përdorur ata në fushatën e ardhshme lokale.

Si të mos mjaftonte kjo, gjithë komuniteti i njeh dy nga drejtuesit kryesor të arsimit në Skrapar, me probleme të mëdha në integritetin e figurës që profesioni i nderuar i mësuesit duhet të ketë. Njëri me varësi ndaj Bixhozit tjetri ndaj alkoolit, enden rrugëve duke prodhuar mangësi serioze në procesin delikat të mësimdhënies.

Përgjegjësi i OSHEE lokale, me profesion shofer, edhe ky me diplomë të falsifikuar, me mangësi në formimin personal për të mos përmendur anën profesionale që tek ai mungon tërësisht, bën gjithçka për të penguar punën e Bashkisë, me pretekset për t’i bindur urdhrave të shefit të tij politik, deputetit me Hammer që urdhëron edhe heqjen e dritave.

Një tjetër drejtor, ai i Spitalit, servil i çdo pushteti të momentit që e kthen kokën nga fryn era për lek, i shpërblyer me postin e drejtorit sa herë që ndodh rotacioni, i larguar për abuzime me detyrën, por rikthyer dhe shpërblyer më së fundmi me postin e drejtorit për vetëm një meritë: Për kontributin që ai ka për shitblerjen dhe deformimin e votës nën kërcënime.

Ardhja e tij në krye të këtij institucioni delikat solli rrënimin e këtij institucioni që tashmë e ka humbur kuptimin e tij si Spital, duke e kthyer këtë institucion të rëndësishëm thjesht në një vend parkim mjetesh me pamundësi shërbimi spitalor.

Është e turpshme, që administratat të drejtohen nga njerëz që komuniteti i njeh shumë mirë, por që s’flasin dot nga frika e hakmarrjes, kërcënimi për vendet e punës, duke dashur që këtë qytet t’a shkatërrojnë çdo ditë e më shumë.

Është kjo administrata politike e Rilindjes dhe e deputetit të saj, që nuk i intereson aspak qytetari, profesionisti, zyrtari i rregullt, por thjesht iu intereson bashkia si pushtet i vetëm për të futur akoma më të paaftë në punë, për ta shkatërruar tërësisht këtë vend, për ti bërë që njerëzit ti largojnë nga ky qytet, e për të shkatërruar gjithë mundin dhe punën e bërë në këto vite.

Në fund të kësaj fjale, Ju premtoj se Bashkia Skrapar dhe Unë si Kryetar i Saj, nuk trembemi nga këto vështirësi, por përkundrazi motivohemi për të punuar gjithnjë e më shumë.

Kundërshtarët tanë politikë, janë në krizën e identitetit të tyre, nuk arrijnë të nxjerrin kandidatë me reputacion dhe integritet pa folur për projekte dhe strategji qeverisëse. E vetmja gjë që dinë të bëjnë është pengimi dhe prishja e imazhit të mirë publik që gëzon Bashkia.

Ftesa ime e sinqertë është për të gjithë qytetarët e Skraparit, pa dallime partiake, të besojnë tek Bashkia Skrapar dhe projektet e saj për zhvillimin e Skraparit dhe jam i bindur se së bashku do të bëjmë më shumë, Për Skraparin, Për të Gjithë!

Ju Faleminderit!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here